FOTOT: A mund ta fusë Rama, Vlorën, në destinacionet shumëngjyrëshe europiane?

14 Tetor 2019, 10:10Sociale TEMA
FOTOT: A mund ta fusë Rama, Vlorën, në destinacionet

Kryeministri Edi Rama duket se nuk lë rast në postimet e tij, pa reklamuar Rilindjen e lagjes së vjetër të Vlorës, ose asaj që njihet si pjesa historike e saj.

Në një album me shtëpi e ndërtesa shumëngjyrëshe, ai prezantoi edhe dje ndërhyrjen rrënjësore në këtë pjesë të qytetit bregdetar, e cila për të thënë të vërtetën, kishte arritur një degradim total.

Nga Bashkia e Vlorës që ka ndjekur punimet, kreu i Urbanistikës të këtij institucioni, Erion Hamataj do të deklaronte në janar të këtij viti se “krahas punimeve të rikonstruksionit është kryer edhe prishjea e shtesave anësore dhe në lartësi të objekteve”.

Sipas tij, mirëkuptimi me banorët ka qenë vështirë, por më në fund ata e kanë kuptuar rëndësinë e këtij investimi që do të ndryshojë ekonominë dhe të ardhurat familjare të gjithsecilit.

Qendra historike e Vlorës është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart: rruga “Justin Godard”.

Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Postën e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni.

Ngjyrat e forta dominojnë tani fasadat e të paktën 68 objekteve që i janë nënshtruar rikonstruksionit total. Por ashtu si në qytetet e tjera ku “Rilindja Urbane” ka ndërhyrë, pamja në kartolinë është thuajse njësoj: Nuk e merr vesh mirë a je te Pazari i Tiranës, te Pazari i Korcës, apo në Vlorë. Ngjyrat janë njësoj; e njëjta “stampë” që “arkitekti” Rama ka përdorur, pa marrë ndoshta parasysh traditën dhe historinë e asaj zone.

Dëshira duket se ka qenë e madhe për ta bashkuar Vlorën me destinacionet e tjera shumëngjyrëshe, kudo nëpër Europë. Por me një ndryshim domethënës: Kudo që të shkosh nëpër qytetet që spikasin me shtëpitë e tyre shumëngjyrëshe, qyteti dhe njerëzit e saj të japin një shpjegim historik apo dicka që lidhet me traditën, se përse janë zgjedhur ngjyrat e shumëllojshme për të dekoruar fasadat e ndërtesave.

Po në Vlorë? Si do t’i përgjigjemi një turisti që me naivitet do të pyesë: Ore, pse shtëpitë janë lyer kështu?

Dëshmitë në imazhe historike të para Luftës së Dytë Botërore tregojnë se shtëpitë asokohe shumica ishin të lyera me gëlqere të bardhë. Dhe vetëm tek-tuk të shihte syri ndonjë ngjyrë nëpër fasada.(SI)

 

10 komente në “FOTOT: A mund ta fusë Rama, Vlorën, në destinacionet shumëngjyrëshe europiane?”

  1. Klodi says:

    Se mos harroni te beni dhe kanalizimet se plas muti sa here bie shi… te rrofshin ngjyrat pastaj kur mbushen rruget me fekale!
    Se e pame si e keni qare me lot lungomaren.

    1. Raimond vlonjati says:

      Europa nuk eshte shume ngjyreesho , eshte Neo Klasike

      Shune ngjyreshe esht Kuba me shoke dhe mendja skizofrenike e Rames

  2. Skulptori says:

    I vetmi “difekt” , ne se do ta quanim te tille , per te vetmen arsye se ndodhemi ne ballanin jonian ku ngjyra dominante ka qene bardha dhe guri i zbuluar ….do te doja qe ngjyrat te ishin pak me te qeta te pakten , kjo nuk e nenvlefteson punen e madhe qe po behet ne Vlore si asnjehere me perpara..

  3. Adi says:

    Po 4 shtepi jane o njerez! Nuk ben dot nje foto pa dale ai pallati shpifur mbrapa?! Berati, Korca, Shkodra, Durresi madje dhe Tirana kane shume me teper trashegimi te mbetur. Vlora duhet te jete qyteti i vetem ne mesdhe qe nuk ka nje kala!

  4. uskania says:

    Që të bësh një punë këtu në Shqipëri duhet të këndosh këngën “Çfar uji i ke dhënë kalit?”.

  5. VLONJATI says:

    O Adiiii , ke qene ndonjehere ne Vlore , a lumadh ? Vlora e ka mbi koke kalane e Kanines , o Adiiiii , pirdh te shfryesh .

  6. Adi says:

    Ndonje gje e re per pune ka aty ne Vlore se tani kemb njeriu nuk ka aty thone qe perdite ikin..pa bojrat me tendera do bejn punen e tyre..

  7. Pato says:

    Po kalaja e Kanines ca eshte e cila ka qe ne kohen e Ilirise? Ne ate kala Skenderbeu beri dasmen me Doniken te bijen e Gjergj Aranitit.

  8. Enea says:

    Ate pallatin e bardhe do ta kisha shemb qe ta conim punen deri ne fund.

  9. animas says:

    Shume e bukur dhe me vlera historike, tani ju takon qytetareve ta mbajne e te jene krenare per historine e qytetit te tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje