“Helicopter Money”, ideja e ‘çmendur’ e Bankave Qendrore për t’i dhuruar çdo qytetari 200 euro në muaj!

23 Tetor 2019, 10:37Ekonomia TEMA

Dhurimi i 200 eurove në muaj në llogarinë e çdo qytetari të Eurozonës. Kjo është një nga idetë që po ushqen debatin në rritje për adoptimin, në një të ardhme jo shumë të largët, të një politike te emërtuar “Helicopter Money (para helikopter)”.

Nuk bëhet fjalë për një teori konspirative. Ideja është rimarrë sëfundmi nga  Ben Bernanke, ish guvernator i Federal Reserve që ka rikthyer konceptin e ideuar nga Milton Friedman, që konsiderohet edhe si babai i teorisë monetare dhe që ka marrë edhe çmimin Nobel për Ekonominë.

Ky i fundit në vitet ’60 shkruante në një provokim intelektual: “Të supozojmë se një ditë një helikopter do të fluturonte sipër këtij komuniteti dhe do të hidhte 1 mijë dollarë nga qielli. Sigurisht ato do të mblidheshin me shpejtësi nga qytetarët”.

Sipas Friedman, një lëvizje e tillë do të kishte “automatikisht” një impakt në inflacion, duke e rritur atë.

Rritja e inflacionit është një nga sfidat me të cilat po përballet Banka Qendore Europiane prej 10 vitesh. Synimi është arritja e një niveli 2 % të inflacionit por mesatarja e arritur është 1.2 %. Dhe perspektiva e 10 viteve të ardhshme për 19 vendet e zonës euro mbetet e njëjtë, pra inflacion 1.2 %.

Aspekti “kurioz” është që investitorët duket se tashmë nuk besojnë më në mundësinë që politikat e fundit zgjeruese të BQE-së janë në gjendje që të sjellin rritjen e çmimeve në nivelet e kërkuara.

Nuk përfundon këtu! Investitorët jo vetëm nuk besojnë te rritja e inflacionit por te e kundërta; te deflacioni. Arsyeja për të cilët BQE (por edhe bankat e tjera qendrore të mëdha) has vështirësi për të ringritur inflacionin i ka rrënjët edhe më të thella.

Gjithçka ka nisur në vitet ’80 kohë kur “gërshëra” e barazisë mes të pasurve dhe të varfërve ka nisur të zgjerohet.

Fillimisht ka nisur me ritme të ngadalta por pas rënies së Murit të Berlinit dhe globalizimit, ritmet janë përshpejtuar.

Raporti mes të ardhurave të disponueshme të 10 % më të pasur të popullsisë dhe 10 % më të varfër, është rritur me 7 herë nga 1980 dhe me 9 herë në 2015.

Përfitimet e rritjes ekonomike përfundojnë në xhepin e një fashe gjithnjë e më të ngushtë të popullsisë, evidentohet në studimin “Income Inequality” (Pabarazia e të ardhurave).

Mes 1975 dhe 2012, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth 47 % e të ardhurave të gjeneruara nga rritja ekonomike ka shkuar për të fryrë portofolet e vetëm 1 % më të pasurve të popullsisë; një fenomen veçanërisht i reflektuar edhe në Kanada, Australi dhe Britani të Madhe.

Si rrjedhojë, shtresa e mesme gjendet gjithnjë e më shumë nën presion.

Motivet e kësaj shpërndarje asimetrike të pasurisë janë shumë. Është mbi të gjitha impakti i globalizimit që ka revolucionarizuar plotësisht flukset tregtare por edhe inovacionin teknologjik, që po krijon profesione të reja me vlerë të shtuar shumë të lartë duke i bërë shumë të tjera të panevojshme, me pasoja të ndjeshme te pagat dhe punësimi.

Por shtimi i pabarazive ka kontribuar në krijimin e një tregu pune gjithnjë e më shumë të “financiarizuar” me përdorimin e gjerë të planeve të “stock options” (aksione që u jepen falas punonjësve, zakonisht manaxherëve të kompanive) dhe të bonuseve për drejtuesit, sëbashku me rënien e rregulloreve dhe të rolit të sindikatave. “Gërshëra” mes të pasurve dhe të varfërve është zgjeruar akoma më shumë pas krizës së vitit 2008 dhe tashmë po merr një impulsi të ri të fuqishëm nga politika monetare jo e zakonshme e bankave qendrore.

Ja pse në tentativën për të gjetur zgjidhje, debati për “Helicopter Money” po rritet. Për të është folur shumë sëfundmi nga ish guvernatori i Federal Reserve të Dallasit Richard Fischer, ish zëvëndës guvernatori i Bankës së Kanadasë Jean Boivin, ish presidenti i Bankës Qendrore Zvicerane Philipp Hildebrand etj., që kanë publikuar një propozim që synon përdorimin e një fondi emergjence fiskale të financuar nga banka qendrore.

Për të shkuar më tej, Moritz Kraemer, krye-ekonomisti i Acreditus, shoqëri konsulence me seli në Dubai, në një artikull në Financial Times ha hipotetizuar për një program të Bankës Qendrore Europiane 36 mujor që parashikon dhurimin e 200 eurove në muaj për çdo qytetar nëse niveli i inflacionit bie nën 1 % në vit. Shuma do të reduktohet gradualisht pasi të arrihet niveli 2 % i inflacionit. Një operacion kolosal që kushton 900 miliardë euro.

Por a do të funksiononte? A do të arrinte të rindizte inflacionin dhe rritjen ekonomike ky hap?

Ata që kundërshtojnë idenë japin disa argumente.

Fillimisht duhet të sqarojmë se “Helicopter Money” i përket politikës fiskale dhe jo asaj monetare sepse ndarja direkte e parasë në llogaritë bankare kërkon emisionin e bonove për riekuilibruar pasivitetin e Bankës Qendrore Europiane.

Por duke qenë se në Eurozonë nuk ekziston  as imazhi i një superministri financash e as eurobonde, në vendimmarrje duhen përfshirë të gjithë ministrat e financave të 19 shteteve që aderojnë në zonën euro.

Pyetja e fundit është një e vetme: njerëzit do t’i shpenzonin paratë e “dhuruara” nga Banka Qendrore Europiane?

Mbi këtë nuk ka siguri sepse qytetarët mund të vendosin që t’i ruajnë paratë si pjesë të kursimeve, duke zbehur kështu operacionin.

Edhe në rast se paratë e dhëna do të shpenzoheshin në pjesën më të madhe të tyre, inflacioni do të rritej por vetëm për periudhën e “Helicopter Money”. Kur efektet stimuluese të “drogës” të përfundojnë, do të ktheheshim në pikën e nisjes. Është e vështirë pra që një ekonomi të mund të rritet pa investime në infrastrukturë, që të përmirësohet vetëm sepse njerëzit me paratë e BQE-së do të shkojnë (dhe nuk është e sigurtë) për të shpenzuar më shumë në kinema apo në piceri.

‘Shkopi magjik’ i ‘Helicopter Money’ do të rezultonte një armë e papërshtatshme sepse pritshmëritë e tregjeve mbi inflacionin do të ambientoheshin lehtësisht me klimën e parasë së shpejtë e të lehtë.

Ndaj, “Helicopter Money”, rrezikon të mos ketë efektin e shpresuar.

Por cila do të ishte zgjidhja e përshtatshme?

Sipas ekspertëve të ndryshëm që vënë në pikëpyetje këtë skemë, problemi duhet kërkuar në përmirësimin e bashkëpunimit dhe të koordinimit mes politkave monetare dhe atyre fiskale.

Marrë me shkurtime nga Ilsole24ore

10 komente në ““Helicopter Money”, ideja e ‘çmendur’ e Bankave Qendrore për t’i dhuruar çdo qytetari 200 euro në muaj!”

  1. KORÇARI says:

    Sistemi Kapital-ist ka erdhur drejt fundit duke vërtetuar kështu dështimin e tij të plotë.
    Nqs duam që të përmirësohet gjëndja , zgjidhja është sistemi Socialist që përdoret nga vendet Skandinave dhe që ka rezultuar dhe vazhdon të rezultojë efikas.
    KUJDES !!!!!
    Jo Socializmi i Komunizmit dhe as ai i Ramës por Socializmi i vërtetë.

  2. asd says:

    Tek ne helikopteri ka filluar, por ne vend te parave kemi PPP deri ne 2040.

  3. Bilbilenjet says:

    Opo ç’jane keto budalleqe? Para nga qielli.

  4. Komentuesi says:

    Nuk a socializem te vertete apo te pavertete.Socializmi eshte vetem nje,ate qe ka themeluar Karl Marksi me teorine e tij te famsheme te socializmit shkencor.Ky rend apo sistem,qe u perjetua ne shume vende te botes,eshte me i miri,por rendi kapitalist,duke e pare socializmin si rendi qe do pushtonte boten,iu vu me te gjitha baterite e tija per t’a mposhtur se po e shikonte se po i vinte fundi.Kapitalizmi,perfitoi nga numeri me i madh i shteteve,forca ekonomike,ushtarake,diplomatike,ne nje kohe qe socializmi ne vendet demokracive socialiste ishte si femija e porsa lindur.Ai e mbyti qe ne djep.Por e ardhmja i takon socializmit, i cili do vije si nje domosdoshmeri per popujt e botes,si nje sistem,rend, qe mbron ineresat dhe lirit tyre.

  5. Lexues says:

    Keto jane budalleqe te ekonomisteve qe medemek studiojne politikat monetare.
    Ideja vertete origjinale e shekullit tone eshte Universal Basic Income (te ardhurat baze universale). Kjo do te ishte nje pagese periodike e bere nga shteti ne favor te cdo qytetari, pavaresisht nivelit te te ardhrave. Pagesa perfaqeson nje dividend mbi pasurite e perbashketa te nje shteti dhe do te zevendesonte sistemin aktual te asistences sociale. Progresi teknologjik e ben eliminimin e shume vendesh pune te paevitueshem dhe ne te ardhmen UBI mund te jete e vetmja menyre per te evituar konfliktet sociale dhe per te ruajtur demokracine ne perendim.

  6. Shqiptari says:

    Socializmi eshte njerzillèk,ndersa kapitalizmi e kunderta e tij.

  7. Lee lee says:

    LEXUESIT Po ku eshte ndryshimi mes UBI dhe uljes te tax. Ose nje jave nje here ne muaj Mos te paguaj tax. Te pyes thjesht per te sqaruar veten. Po munde ta vazhdosh arsyetimin po pate kohe

    1. Lexues says:

      Nje pjese e madhe e popullsise (ata me te ardhura te ulta) nuk paguan tatim mbi te ardhurat ose paguan shume pak, prandaj nje ulje e tatimit nuk do te kishte te njejtin efekt. Efekti i deshiruar do te ishte nje rishperndarje e te ardhurave nga kompanite qe perfitojne nga progresi teknologjik tek te papunet ose te keqpunesuarit. Niveli i UBI-t do te ishte i tille qe t’i siguronte njeriut mbijetesen, por kuptohet jo aq i larte sa t’i hiqte cdokujt deshiren per pune.

      1. Lee lee says:

        LEXUESIT.. Flm per sqarimin

  8. realisti says:

    Kapitalizem . Emertesa vjen nga dy fjale kapi – talio. E para do te thote kokë e dyta do te thote prerje . Pra koke per tu prere . Capi da tagliare. Socializem vjen nga socio qe do te thote ortak, bashke , shoqeri, sebashku. Pra qysh ne zanafill jane tregues te asj se çfar ofrojne sejcili nga sistemet per individin. Tregojne se kush eshte me human. Ne kapitalizem motoja eshte ” Sejcili per vete Zoti per tegjithe. Ne socializem motoja eshte “Nje per tegjithe e tegjithe per nje . Kapitalizmi funksionon me baze te konkurences. Socializmi vepron ne base te solidaritetit. Sa i takon asaj qe u aplikua ne Shqiperi para 90-tes nuk e kishin fajin parimet e socializmit por abuzimi me pushtetin. Kjo per politiken. Nga ana ekonomike shperndarje te pasurise kombetare me te barabarte nuk ka pasur ndonjehere ne asnjw vend te botes se ne socializmin Shqipetar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje