Disa histori të jashtëzakonshme mbijetese pas tërmeteve

28 Nëntor 2019, 12:56Sociale TEMA

Lëkundja e fortë e orës 03:56 të mëngjesit të së martës ka kthyer në gërmadha disa ndërtesa në Durrës dhe Thumanë, ku kërkimet vijojnë ende.

Ndërkohë që nuk dihet sa është numri i të pagjeturve, koha që kalon i zbeh shpresat për të mbijetuar.

Më shumë se 48 orë pas lëkundjes shkatërruese dhe në kushtet e rënies së temperaturave, mundësitë për mbijetesë vijnë duke u ulur.

Situata ideale në të cilën një person nën rrënoja mund të mbijetojë është kur pozicioni në të cilin ndodhet ia lejon furnizimin me oksigjen, nuk është i plagosur dhe ka mundësi të pijë ujë.

Në vitin 2005, tre djem i mbijetuan një tërmeti shkatërrues në Pakistan. Ata u nxorën nga rrënojat e shkollës së tyre pesë ditë pas tërmetit. Ata u gjetën të shtrirë në shpinë, pranë njëri-tjetrit, ndërsa tavani u prekte hundën. Skuadrave të shpëtimit iu desh t’ua mbulonin sytë kur i nxorën, për t’i mbrojtur nga drita e diellit.

Sindroma e shtypjes

Mjekët që kanë asistuar në situata të tilla thonë se të plagosurit nga tërmeti mund të vuajnë nga sindroma e shtypjes. Kjo ndodh kur indi kompresohet dhe vdes.

Kjo shkakton dhimbje, tronditje dhe dëmtim të veshkave, nëse i plagosuri nuk merr ndihmën mjekësore.

Mungesa e oksigjenit

Të qenit i bllokuar në një hapësirë të mbyllur nënkupton gjithashtu rritjen e temperaturës dhe nivelit të dioksidit të karbonit, i cili nëse arrin në një nivel shumë të lartë, mund ta çojë të lënduarin në vdekje.

Ekipet e kërkim-shpëtimit monitorojnë rritjen e niveleve të dioksidit të karbonit në ndërtesë. Nëse ka CO2 të shtuar do të thotë se dikush është i bllokuar brenda dhe po merr frymë. Kur nivelet e CO2 ndalojnë, shanset për të gjetur të mbijetuar janë të vogla.

Një njeriu të bllokuar në këto kushte mund t’i ndodhë të bjerë pa ndjenja ose në gjumë, prandaj ekipet e kërkimit vijojnë punën.

Nëse një person nën rrënoja nuk është lënduar fizikisht, furnizohet me oksigjen dhe ndodhet në një hapësirë të përshtatshme – sado e vogël – domosdoshmëria tjetër mbetet uji.

Pyetja që lind në këto kushte është sa mund të mbijetojë pa ujë një njeri? Mesatarja është 3-7 ditë. Kjo varet nga temperatura e mjedisit ku ndodhet, sa lëngje nxjerr nga trupi nëpërmjet djersës, sa i shëndetshëm është dhe sigurisht, edhe mosha është faktor me rëndësi. Në situata të tilla, bebet janë ato që mbijetojnë më gjatë.

Forca dhe vullneti

Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm që ndikon në mbijetesë është vullneti. Bluzat e bardha të Mjekëve pa Kufij, që janë përballur me situata të tilla të panumërta, thonë se shumë prej atyre që ia dalin të mbijetojnë janë njerëz që e pranojnë se janë të bllokuar, ruajnë qetësinë dhe presin ndihmë.

Disa histori të mbijetesës së gjatë nën rrënoja

Në maj të vitit 2013, një grua u nxorr nga rrënojat e një fabrike në Bangladesh 17 ditë pas shembjes së saj.

Pas tërmetit shkatërrues të vitit 2010 në Haiti, një burrë mbijetoi 12 ditët nën rrënojat e dyqanit. Të paktën 200 mijë njerëz vdiqën nga ai tërmet.

Një rast tjetër mbijetese të jashtëzakonshme është ai i një gruaje 40-vjeçare, e mbijetuar e tërmetit të vitit 2005 në Pakistan. Ajo u nxorr nga kuzhina e shtëpisë së saj, e kthyer pothuajse në gërmadhë, plot 40 ditë pas tërmetit. Gruaja mbijetoi në një hapësirë aq të vogël saqë nuk mund të lëvizte.

Përgatiti: Gazmira Sokoli 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje