Për shkak të tërmetit që goditi Durrësin, mëngjesin e së martës, mijëra banesa janë kthyer të pabanueshme.
Deri më tani qeveria është angazhuar duke ngritur çadra për të mbijetuarit, ka bërë marrëveshje me hotele për strehim, ka dërguar ushqime dhe veshje, por nuk ka një plan konkret për zgjidhjen e kësaj emergjence,
Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, por kjo nënkupton se të gjitha strukturat e shtetit shqiptar do të jenë në gatishmëri, për t’i ofruar asistencë të dëmtuarve nga tërmeti.
Gjithashtu, shteti ynë ka hapur një numër llogarie, për të mbledhur disa fonde nga shqiptarët e Shqipërisë dhe emigrantët anembanë botës.
Por të gjitha këto përpjekje, janë një zgjidhje e përkohshme.
Në këtë kaos të krijuar, ku mijëra banorë janë vërsulur qendrave të emergjencës për të përfituar ushqim dhe veshje, ku banorët janë në qiell të hapur dhe ku i ftohti mund të shkaktojë viktima, ka një zgjidhje të shpejtë, dhe me pak kosto.
Sipas INSTAT, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Lezhë ka mbi 50 mijë banesa të pashitura nga biznesi.
Kriza ekonomike ka fundosur këta biznesmenë, të cilët nuk kanë mundur t’i shesin apartamentet e ndërtuara prej vitesh.
Për këtë arsye, zgjidhja më e shpejtë dhe me pak kosto është blerja e këtyre apartamenteve me koston e ndërtimit, me një ligj special të qeverisë.
Kjo zgjidhje nuk ka nevojë as për komitet shpëtimi, as për tendera me prokurim të drejtëpërdrejtë, por vetëm për marrëveshje të menjëhershme me pronarët e këtyre pallatave.
Gjithashtu, qeveria nëpërmjet bashkive, gjithashtu mund të stimulojë ndërtuesit me heqjen e taksës së ndërtimit, prej 8 %, për ata që po ndërtojnë aktualisht dhe janë drejt përfundimit.
Kjo do të ulte koston e ndërtimit, duke i ofruar mundësi qeverisë, që të t’i blejë dhe më pas të akomodojë të mbijetuarit e tërmetit.
Nga ana tjetër, emigrantët shqiptarë dhe donatorë të ndryshëm, nëpërmjet thirrjeve të Marin Memës, Fundjavës Ndryshe, Elvis Naçit dhe mediave si JOQ Albania, kanë arritur sëbashku të mbledhin mbi 4 milionë dollarë.
Të gjitha këta njëzëri kanë kërkuar që të blejnë apartamente të pashitura në Shqipëri, në mënyrë që t’i strehojnë të mbijetuarit, përpara Vitit të Ri.
Edhe ndërtimi i banesave në Thumanë, një nismë e marrë nga qeveria, nuk është zgjidhje permanente.
Kjo sepse ndërtimi kërkon kohë dhe një pjesë e mirë e banorëve nuk duan të jetojnë më në Thumanë, për shkak të panikut nga dridhjet e tokës.
Si përfundim, mjafton vetëm një ligj special, një VKM që qeveria të futë mekanizmin e blerjeve të apartamenteve të pashitura dhe strehimin e menjëhershëm të banorëve që janë prekur nga tërmeti i llahtarshëm.
Jo or mik jo. Ato pallate qe u shemben duhet ti paguajne ata qafire qe i kane ndertuar shkel e shko duke mos zbatuar asnje kusht teknik. Ata maskarenj duhet tua blejne ose tua bejne perseri shtepite fatkeqeve se u kane marre lekt dhe jo une si popull te paguaj bemat e tyre.
Ideja jote ka paksa thelb siperfaqesor prej paditurise…
Per sqarim – kosto e ndertuesit jane nje shumatore qe perfshin kosto materiale, shpenzime administrative te lejes, kosto prej pjeses qe merr trualli, kosto prej tatim fitimit e dividentit, dhe mos te harrojme kostot e fshehta te korrupsionit… fitimi real ne objekte nuk i kalon 15-20% te xhiros, pavaresisht komenteve apo legjendave urbane.
E them kete per te shprehur bindjen se shtetit gjithmone do ti kushtoje me lire te ndertoje vete si investitor, per te zgjidhur kete situate. Kuptohet qe kostoja monetare e kesaj situate do ishte jo thjeshte e pa perballueshme prej shtetit, por edhe disi e padrejte, qe te perballohej nga sistemi i taksave – duhet perpjekje per sensibilizim dhe arritje konkrete ne ndihme monetare nga komuniteti europian dhe vende mike te zhvilluara, per perballimin e kesaj krize kombetare mjaft te rende.