Kisha katolike dhe ajo ungjillore, kanë vendosur që të mos mbajnë më mesha dhe takime, deri në një afat të pacaktuar.
Meshat dhe predikimet tashmë do të transmetohen online, për të gjithë besimtarët.
Njoftimi i Vëllazëria Ungjillore te Shqipërisë
Të dashur vëllezër dhe motra,
Ditët në të cilat po jetojmë duken të vështira për kombin dhe popullin tonë. Ne besojmë që si Kisha Shqiptare jemi ndërmjetësuesit e këtij vendi para Perëndisë. Fjala e Zotit na thotë 2 Kronikave 7 :14 “Në qoftë se populli im, i cili thirret në emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën Time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqia, Unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do të shëroj vendin e tij.”
Ne besojmë se kjo është koha që si Kisha Shqiptare duhet të kërkojmë fytyrën e Zotit dhe shërimin e vendit tonë nga Corona Virusi. Le të lutemi që ky virus do të zhduket, dhe njerëzit nuk do të kenë frikë nga virusi, por do të kthehen tek Zoti dhe do të kenë frikë vetëm nga Jezusi.
Së bashku me Rrjetin e Lutjes kemi menduar që kjo e Dielë, dt. 15 Mars të përkushtohemi në lutje dhe agjerim para Perëndisë. Ndërsa shumë kisha do të zhvillojnë shërbesat live stream kësaj jave, le të shfrytëzojmë kohën jo për të qëndruar para televizorit apo internetit, por të kërkojmë ndërhyrjen e Perëndisë që frikërat të largohen, viroza të largohet dhe njerëzit t’i kthehen normalitetit. Vetë Perëndia ynë, nuk na ka dhënë fymën e frikës, por të fuqisë në emrin e Tij. Le të ecim në paqen e Perëndisë dhe që prezenca e Tij do të mbushë jetët tona dhe gjithë vendin tonë.
Ndërkohë lutemi edhe për gjithë shtetet që janë të prekur nga ky virus dhe që bekimet e Perendise do të vijnë mbi këta popuj.
Të mbajmë në mënyrë të veçantë në lutje personat që janë prekur nga covind 19 për paqe në jetët e tyre dhe shërim, dhe kryesisht moshën e tretë.
Ju lutemi, lajmëroni kishat tuaja për një thirrje kombëtare lutje dhe agjërimi në datën 15 Mars për të sjellë Shqipërinë përpara Zotit.
Jemi mirënjohës që jemi një familje në Krishtin dhe mund të shkojmë të gjithë së bashku përpara Tij me lutje dhe përgjërime.
Njoftimi i Kishës katolike
Fort të dashur meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, besimtarë,
Duke vlerësuar situatën e ditëve të fundit e krijuar nga Covid-19 në Shqipëri, duke pasur parasysh urdhëresën nr. 132, datë 08.03.2020, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, po ashtu Letrën e Konferencës Ipeshkvore të datës datës 29 shkurt 2020, duke vlerësuar përvojën e kishave simotra në vende të tjera, pas konsultimit me specialistë të fushës e duke i thirrur sensit të përgjegjësisë si Ipeshkëvinj të Kishës Katolike në Shqipëri:
Dekretojmë
Pezullimin e të gjithë aktiviteteve dioqezane dhe famullitare në Kishën Katolike në Shqipëri në të cilat parashikohet pjesmarrja dhe grumbullimi i popullit deri me datë 3 prill 2020 e që konkretisht do të thotë:
– Pezullimin e të gjitha kremtimeve liturgjike, përfshirë Meshën e Shenjtë;
– Pezullimin e katekizmit, për fëmijë e të rritur;
– Pezullimin e të gjitha aktiviteteve të tjera të programuara, dioqezane dhe famullitare, me fëmijët dhe të rriturit;
– Pezullimin e të gjitha kurseve të formimit pranë qëndrave tona komunitare.
Ndërkohë, ftojmë famullitarët që:
– të kremtojnë Meshën në kapelat e tyre, duke e transmetuar atë edhe online nëpërmjet rrjeteve sociale;
– të garantojnë rrëfimin personal duke ruajtur distancat e duhura e duke garantuar edhe sekretin e bisedës;
– të garantojnë marrjen e Kungimit për të sëmurët që e kërkojnë në shtëpi dhe për ata të pranishëm, gjithmonë duke ruajtur rregullat e vendosura nga organet e shëndetësisë;
– të garantohet Sakramenti i Vajimit për të sëmurët në rastet kur kërkohet, duke ndjekur rregullat e duhura higjenike;
– të garantohen funeralet duke shmangur mbledhjen e popullit, por duke bërë lutjen në momentin e mbylljes së arkivolit dhe në momentin e vendosjes në varr;
– kishat të rrinë të hapura për lutjen personale gjatë ditës, duke informuar dhe këshilluar njerëzit që të mbajnë distancën e duhur nga njëri-tjetri.
Po ashtu ftojmë të gjithë besimtarët katolikë që të jenë të vëmendshëm dhe të dëgjueshëm ndaj rregullave dhe udhëzimeve të nxjerra nga organet përkatëse për përballimin e situatës.
Të jemi të vetëdijshëm për sakrificën që duhet të bëjmë të gjithë bashkë për të mirën e njerëzve dhe shëndetit të tyre.
Të vazhdojmë, të dashur besimtarë t’i lutemi Hyjit në familjet dhe në shtëpitë tona për këtë situatë që të kalojë sa më shpejt në vendin tonë dhe në të gjithë botën.
Ky dekret do të hyjë në fuqi nesër, e premte, 13 mars.
Dhënë nga Selia e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, me datë 12 mars 2020
Ipeshkëvinjtë e Kishës Katolike