Parlamenti shqiptar miraton ligjin mbi Kriptomonedhat. Risitë dhe Mundësitë e kësaj industrie të re

21 Maj 2020, 14:35Politika TEMA
Parlamenti shqiptar miraton ligjin mbi Kriptomonedhat. Risitë dhe

Në seancën e sotme plenare, Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin mbi “Tregjet financiare të mbështetura në teknologjinë e  regjistrave të shpërndarë” osë e thënë ndryshe, tregjet që operojnë përmes teknologjisë ‘blockchain’. 

E konsideruar si shpikja me e madhe teknologjike pas internetit, blockchain është implementuar për herë të parë pas krizës financiare në vitin 2008. Blockchain-i fillestar u krijua si një mënyrë pagesash alternative për të shmangur përdorimin e institucioneve tradicionale financiare, që asokohe prej papërgjegjshmërisë së tyre, e kishin çuar të gjithë botën drejt kolapsit financiar.

Çfarë është ‘blockchain’?

Teknologjia Blockchain vjen si rezultat i bashkimit të parimeve të hershme të kriptografisë dhe bashkëpunimit kolektiv në zgjidhjen e algoritmeve. 

Në thelb, ‘blockchain’ është një regjistër i shpërndarë i cili mund të inspektohet nga të gjithë, por nuk mund të kontrollohet nga askush, duke mundësuar kështu transaksione ekonomike të besueshme që verifikohen nga bashkëpunimi masiv i përdoruesve dhe jo nga ndonjë autoritet publik ose privat.

Për ta bërë më të kuptueshme këtë teknologji, po marrim një krahasim mes mënyrës së operimit të pagesave me kartë krediti dhe pagesave në ‘blockchain’.

Kur një person paguan për nje picë përmes kartës së kreditit, procesi duket i thjeshtë: personi kalon kartën në aparatin lexues, shtyp pinin, merr picën dhe në fund të muajit i vjen një faturë prej 500 lekësh për produktin në fjalë.

Megjithatë, prapaskena e kësaj pagese është shumë më e ndërlikuar. Kur personi kalon kartën e kreditit, piceria i bën kërkesë bankës së klientit për të aprovuar transaksionin. Pasi banka e aprovon, piceria i bën kërkesë bankës së saj për të depozituar 500 lekë në llogarinë e saj ndërsa vetë banka i bën kërkesë procesuesit VISA ose Mastercard për të transferuar 500 lekëshin. Pastaj VISA/Mastercard ia kërkon atë bankës së klientit. Në fund, banka e klientit aprovon kërkesën the i transferon VISA 500 lekë minus tarifën e shkëmbimit (2%), ose e thënë ndryshe 490 lekë. VISA i transferon bankës ku ka llogarinë piceria 490 lekë minus një komision prej 0.1, e thënë ndryshe 489 lekë, ndërsa kjo e fundit i kalon picerisë në llogarinë e saj 489 lekë. Pra në fund të transaksionit, piceria merr 489 lekë ndërsa blerësi faturohet për 500 lëkë. Kostoja e ndërmjetësve në këtë shembull transaksioni fare të vogël është 11 lekë. 

Nëse i njëjti transaksion do të kryhej përmes teknologjisë blockchain, blerësi do ti kalonte shumën e përcaktuar nga portofoli i tij digjital në portofolin e shitësit  në mënyrë direkte. Verifikimi dhe aprovimi i këtij transaksioni do të kryhej automatikisht përmes fuqisë kompjuterike të të gjithë përdoruesve të blokchain dhe më pas do të publikohej në një regjistër të sigurt dhe të pandryshueshëm. Në fund të procesit, shitësi B do të merrte të gjithë shumën e përcaktuar pa përfshirë asnjë palë të tretë në këtë transaksion. 

Një tjetër inovacion që mund të implementohet përmes teknologjisë blockchain, është ai i përdorimit të kontratave smart. Kontratat smart janë kontrata digjitale që përmbajnë një set rregullash e kushtesh, të cilat vënë në lëvizje reagime të paracaktuara dhe që vetëzbatohen automatikisht në rast të përmbushjes së kushteve të përcaktuara në to. Për ta bërë më të kuptueshme, kontratat smart mund të konsiderohen si pasardhësit e automateve për blerjen e pijeve si coca-cola etj, ku personi fuste nje monedhë, shtypte numrin e pijes dhe sistemi automatikisht e procesonte atë. 

Përdorimi i kontratave të zgjuara (smart) kanë një potencial të jashtëzakonshëm në uljen e kostove të transaksioneve ekonomike, duke zëvendësuar ndërmjetësuesit tradicionalë të transaksioneve, si: noterët ose sistemet e pagesave me programe të automatizuara.

Këto janë disa nga aspektet e kësaj teknologjie që mendohet se mund të ndryshojnë rrënjësisht sektorin financiar në vecanti dhe atë të shërbimeve në përgjithësi. 

Mundësitë e reja që ofron kjo teknologji në Shqipëri

Disa nga sektorët që mbartin potencialin më të madh të aplikueshmërisë së kësaj teknologjie në Shqipëri janë si më poshtë : 

Fillimisht, sektori i remitancave, një treg masiv me një fluks prej  rreth 2 miliardë eurosh në vit, është i pari që pritet të preket pozitivisht nga ky zhvillim i ri. Përmes teknologjisë blockchain komisionet marramendese të bankave ose kompanive të trasnfertave të parave, të cilat shkojne deri në 10% të shumës, mund të reduktohen masivisht duke shkuar deri në 0.1% të shumës së dërguar. 

Së dyti,  financimi i sipërmarrjeve te vogla dhe të mesme përmes ICO-ve (metoda digjitale të grumbullimit te fondeve, të përafërta me ofertat publike në bursa) i lejon shoqëritë tregtare shqiptare të kenë akses në më shumë mundësi për të grumbulluar kapital duke diversifikuar kështu metodat e financimit të projekteve, duke mos ngelur thjesht në mëshirë të kredive bankare.

Përtej shërbimeve financiare, kjo teknologji ofron mundësi të jashtëzakonshme edhe për ofrimin e shërbimeve shtetërore të sakta dhe të sigurta. 

Kjo teknologji mund të implementohet në përmirësimin e sistemit të administrimit të pasurive të paluajtshme duke mundësuar kështu që cdo person të jetë i qartë dhe i sigurt që një pronë e caktuar i përket vetëm atij dhe se zyrtari në hipoteke nuk mund të ndryshojë certifikatën e pronësisë me një të rënë të lapsit. 

Më tej, teknologjia blockchain mund të përdoret edhe për të ofruar një regjistër zgjedhor të saktë, të besueshëm dhe të pandryshueshëm si dhe votim dhe numërim të sigurt votash. 

Shërbime të tjera qeveritare që mund të përfitojnë nga kjo teknologji janë sistemet e doganave, sistemet e menaxhimit të fatkeqësive natyrore etj… 

Gjatë pandemisë së COVID-19 ,shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare i kanë kthyer sytë pikërisht tek kjo teknologji blockchain për të ngritur sisteme gjurmimi të sigurta duke respektuar gjithashtu të drejtën e privatësisë së individëve si dhe për të monituruar zinxhirin e shpërndarjes dhe furnizimit të pajisjeve mjekësore. 

Risqet

Teksa blockchain sjell potenciale të jashtëzakonshme për të transformuar ekonomitë botërore, sikurse interneti në fillimet e tij, edhe kjo teknologji ka ngritur një sërë dyshimesh lidhur me anonimitetin që ajo ofron në një treg të parregulluar. Në mungesë të rregullave të qarta për identifikimin dhe raportimin e transaksioneve, përdorimi i kësaj monedhe mund të ndihmojë subjektet kriminale për të kryer transferta parash në mënyrë anonime. Ndaj dhe rregullimi i këtij sektori nga qeveria shqiptare duke përcaktuar kushte dhe kritere për operimin në këto lloj tregjesh shihet si një hap i mirëpritur për të parandaluar llojet e aktiviteteve të mësipërme. 

Blockchain: Flluskë apo Revolucion?

Vetëm koha do të mund të tregojë nëse  blockchain do të arrijë ndonjëherë të zevendësojë ndërmjetësuesit tradicionalë me sisteme të pakontrolluara nga askush. Risku për të nxjerrë jashtë loje ndërmjetësues historikë si institucione financiare ose autoritete publike kanë bërë që këto të fundit ta shohin me skepticizëm këtë industri si dhe ta frenojnë përhapjen e saj. 

Nga ana tjetër, operimi përmes skemave mashtruese në tregje të parregulluara ka ngritur gjithashtu hije dyshimi rreth besueshmërisë ndaj kësaj tekonologjie. 

Ndonëse monedhat si Bitcoin, Ethereum etj mund të mos mbijetojnë gjatë duke marrë parasysh volatilitetin e tyre dhe riskun që mbartin, teknologjia që i mundëson ato (blokchain) ka potencialin të ngulitet në mënyrë të përhershme në sistemet financiare dhe qeverisëse. / TemA

9 komente në “Parlamenti shqiptar miraton ligjin mbi Kriptomonedhat. Risitë dhe Mundësitë e kësaj industrie të re”

  1. Nga larg says:

    A ka njeri ne ate parlament qe ka njohuri ekonomike, teknologjike dhe ligjore per te diskutuar dhe aprovuar kete ligj????? Majtas apo djathas?
    Ruci? Murrizi? Gjuzi? Hajdari? Rama?

    1. Tani says:

      Ata me shkolla partie, diplloma plepash, kristali, apo at me 8 klase?

  2. Taksidari says:

    Shume mire, sa me pak kosto sherbimesh aq me kompetitv tregu. Na jane bo bankat si taksidare.

  3. Cen says:

    Cfare thoshte ligji qe votoi z.Gjuzi se nuk morem vesh asgje ?? Shpresoj te lejojne kripto monedha Exchange si Malta te mbledhin ndonje takse.

  4. Shqiptar says:

    Deri sa të konsolidohet kjo teknologji e re, është mirë të mos nguteni shumë. Prisni si do shkojë , ç’rezultate do ketë. Mundet të bëhen ca veprime të vogla, pastaj gradualisht të zgjerohet. Unë mendoj se një organizim i tillë gjigand që do sjellë ndryshime të mëdha në metodollogjite a sotme, pa dyshim që do ketë reaksion nga ata që preken, te cilët do ti kundërvihen. Organizmat e reja të metodës së re, duhet të jenë transparente, kush janë personnat që e administrojnë, ku e kanë qendrën, si garantohet siguria, si zgjidhen kontradiktat ankesat e tjera probleme. Duhet guxim, por pa harruar asnjëherë kujdesin . Le të eksperimentojnë të tjerët, ne të hyjmë të sigurtë. Nuk mbarohet supa.

  5. Lani says:

    Tani e tutje mafjozet e politikes Shqiptare nuk kane nevoje per thase me para ti nxjerrin jashte,por me 1 cop leter te koduar nga kompjuteri shkojne dhe i thyejne milljonat ku tu doje bytha.

  6. Tani says:

    Bukur,po kujt ja mban ?

  7. Baliu says:

    Monedhat elektronike do te behen perditshmeri, por si monedha kombetare te qdo shteti, e jo si monedhe “globale”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje