Zgjedhjet e 2021, do të jenë fundi i politikanëve parazitë

14 Korrik 2020, 15:11Blog TEMA

Nga Artur Ajazi

Në politikë, në rast se nuk kap “trenin” dhe nuk gjen stacionin e duhur, padyshim ke humbur gjithçka. Ke humbur sensin, fillin e drejtimit, ke humbur “nuhatjen” dhe kuptueshmërinë e ngjarjeve dhe gjërave që ndodhin, ke humbur stilin e diskutimeve dhe virtytin e tolerancës, ke humbur shansin të mbetesh faktor dhe aktor i tryezave, ku vlerësohesh ose ç’vlerësohesh. Në Shqipëri, ka 30 vjet që klasa politike nxiton, lodhet, ndalon, shikon dhe kthehet sërish atje ku ishte. Shumica e partive politike, të krijuara nga nevoja apo risia e ndryshimit të sistemit, sot ekzistojnë si të tilla, thjesht nga rastësia.

Mungesa e reformimit të tyre rradikal, implementimi dhe përshtatja me situatat e ndryshme politike në kuadër të angazhimeve europianiste, ka stopuar hapur gjithë procesin e partneritetit me partitë simotra në Europë. Edhe pse shumë nga partitë politike në Shqipëri, janë anëtare të forumeve dhe bashkësive europiane, edhe pse marrin pjesë aktive në kongreset e tyre, kanë mbetur njëanshmërisht, pjesë e “vogëlsirave” ballkanike.

E ndërsa Europa, dhe një pjesë e Ballkanit e kanë zgjidhur tanimë politikisht problemin e zgjedhjeve, duket se klasa politike në Tiranë, kryesisht partitë që mbahen peng nga e shkuara komuniste, mundohen të krijojnë tensione dhe situata me ngarkesë të theksuara negativiteti. Mbajtja peng me mënyra të vjetra e drejtimit të partisë, mungesa e theksuar e lirive dhe afrimit me proceset integruese në gjirin e partive europiane, ka sjellë shpesh përplasje të kota, duke dashur që në çdo rast, përgjatë 30 viteve, ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

Ka qenë pikërisht faktori ndërkombëtar, kanë qenë pikërisht ambasadorët e huaj, ata që kanë mbledhur me komandë, politikanët e hazdisur, ata që me frymën e vjetër, kanë guxuar të jetojnë gjatë si kryetarë të përjetshëm në partitë e tyre, për ti bindur ç’duhet të bëjnë.

Duhet thënë se, marrëveshja e 5 Qershorit, ishte dhe mbetet një arritje e madhe e cila padyshim kishte angazhimin maksimal edhe të faktorit ndërkombëtar. Të mësuar me takime dhe mbledhje bodrumesh, apo me “rreshtore” gjithmonë kur u është dashur ta bëjnë para ambasadorëve, ndoshta kjo do të jetë hera e fundit, për kryetarët pazaritë të partive të tranzicionit. Kryeministri Rama e deklaroi qartë se “marrëveshje me prani ambasadorësh dhe në ambasada, nuk do të ketë më”.

Kjo vlen shumë, por më tepër u vlen politikanëve tekanjozë, të paskrupullt, hileqarë, dhe të konsumuar, që praninë e ambasadorëve, e shohin si të vetmin “shpëtim” për karrierën e tyre të përkohshme. Edhe së fundmi, politikanët tekanjozë po kërkojnë ti mbajnë të trazuara “ujërat”, duke kërkuar njëherë lista të hapura njëherë lista të mbyllura, njëherë futjen në zgjedhje me koalicione, dhe njëherë prishjen e tyre.

Duke dashur të prishin marrëveshjen e 5 Qershorit, apo duke paralajmëruar “trazira dhe kaos” në gjithë vendin, ish-opozita e vjetëruar e tranzicionit, po tenton të mbajë peng të ardhmen e vendit, Parlamentin e Shqipërisë, procesin e integrimit dhe reformave europianizuese. Zgjedhjet e 2021, natyrisht do të nxjerrin jashtë skenës politike, kryetarët parazitë dhe partitë e tyre tranzitore, për ti hapur rrugën një epoke të re civilizuese, dhe marshimit të pandalshëm të Shqipërisë drejt BE.

1 komente në “Zgjedhjet e 2021, do të jenë fundi i politikanëve parazitë”

  1. Roberto says:

    Gjeja me e mire qe do behet. Te na shoorren nga syte keta parazite qe llimotisin gjithe diten dhe mendojne per popullin se i plasi trapi per ne atyre. Edhe nje miremengjes mezi ta thone se kane hall mos i kerkon ndonje nder,apo ndonje cope pune gjekundi. Kesaj i thone -Nuk ka qofte te daja me.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje