Rovena Daja, epidemiologe në ISHP, anëtare e komitetit të ekspertëve tha se nisur nga studimet më të fundit sipas të cilave virusi qëndron për një kohë të gjatë në ajër dhe ardhja e sezonit të gripit, bëjnë që vendimi për mbajtjen me detyrim të maskës në çdo ambient, të brendshëm apo të jashtëm, të jetë më se i drejtë dhe i domosdoshëm.
Sipas epidemiologes, jo të gjithë njerëzit janë të përgjegjshëm në rrugë dhe fakti që mund të teshtijnë përpara nesh na vë në rrezik përballë virusit, gjë që sipas saj mund ta shmangim përmes maskës.
“Mundësia për ta marrë virusin është më e madhe, ka nisur vjeshta, është rritur numri i rasteve në Shqipëri, por kemi rritje të numrave në Itali, Francë, Greqi. Ne po bëjmë një fazë parapërgatitore, kërkojmë të përdoret maska edhe në mjedise të hapura, personalisht mendoj se duhet mbajtur edhe në natyrë.
Njerëzit janë të papërgjegjshëm, teshtijnë afër teje, edhe në ambient të hapur, në park dikush teshtin para teje duke të vënë në rrezik”, tha epidemiologia.