Albana Vokshit i doli fjala. Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë vërtet tregoi sa e fortë është. Pikërisht siç u kishte thënë policëve të Kosovës, në mesditën e 14 nëntorit, në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, në Vërmicë.
“Kafshë je ti dhe do shihemi, se ti kujton se mund t’ia kalosh lehtë me mua, unë jam deputete”, citohet të ketë thënë Vokshi në aktvendimin e Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Prizren. Këtë dhe fyerje të tjera, sipas dokumentit zyrtar, ajo ia ka drejtuar policit kufitar, Bujar Shala.
Stuhia
Vërtet me kaq nuk mbaroi kjo punë. Stuhia e fuqisë së deputetes, përmes zinxhirit të Policisë Kufitare të Kosovës, ka mbërritur deri në Prishtinë. Inspektorati Policor, organ i brendshëm i Policisë së Kosovës, i cili heton sjelljet e rreth 7 mijë pjesëtarëve të vet, i ka rekomanduar ndihmësdrejtorit të përgjithshëm për Policinë Kufitare, Shaban Guda, pezullimin nga detyra të katër zyrtarëve të saj. Sipas Inspektoratit, kjo duhet të bëhet në mënyrë që të hetohet rasti. Express ka arritur të lexojë dokumentin për pezullim ndaj katër oficerëve të policisë, të rangjeve të ndryshme si dhe të sigurojë emrat dhe pozitat e tyre.
Pezullimet
Kështu, në lidhje me këtë incident, janë pezulluar nga puna në afat të pacaktuar; Azem Mala, përgjegjës për rajonin kufitar me Shqipërinë, Qemal Kroni, komandant i pikës kufitare në Vërmicë, Sylejman Hoxha, shef i ndërrimit në këtë pikë kufitare dhe sigurisht, kësaj liste nuk i mungon edhe polici Bujar Shala. Kontakti me policin e pezulluar, Bujar Shala, protagonistin kryesor të tërë kësaj zallamahie, është i pamundur. Për shkak të hetimeve që janë duke u bërë, ai nuk pranon të japë asnjë deklaratë. Por, të afërmit e tij çuditen. “Bujari nuk ka filluar punë aty para disa ditëve, por ka 8 vjet që në atë pikë kufitare kryen të njëjtën detyrë”, thotë në Prizren, një i afërm i tij.
“Ai kurrë nuk ka pasur problem me askënd. Jemi të tronditur se si i doli ky problem, aq më shumë, me një deputete”, thotë i afërmi i policit të pezulluar për Express.
Hetimi
Në dokumentin e pezullimit të policit Bujar Shala, nga burime të veta në Prishtinë, një kopje e ka parë edhe Express. Aty shkruan se oficeri Bujar Shala është subjekt i hetimeve të brendshme nga Inspektorati Policor i Kosovës. “Ne i rekomandojmë ndihmës të drejtorit të përgjithshëm për Policinë Kufitare, të bëjë pezullimin e tij, sipas Ligjit të Inspektoratit Policor, neni 31.3”, thuhet ndër të tjera në këtë rekomandim, të institucionit të brendshëm hetues të Policisë së Kosovës. Një rekomandim i tillë është dhënë edhe për tre zyrtarët e tjerë të Policisë Kufitare, të rangjeve më të larta, duke pasur për bazë incidentin me deputeten Albana Vokshi. Në këtë mënyrë, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Ndihmësi i Drejtorit të Përgjithshëm për Policinë Kufitare, Shaban Guda, ka pezulluar të katër zyrtarët e policisë, duke u bazuar në parmin 1.62.3A të Policisë Kufitare.
Konfirmimi
Pezullimin e katër zyrtarëve të Policisë Kufitare e konfirmon për Express edhe Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës. Por, ai nuk dëshiron të japë asnjë informacion shtesë sa i përket të pezulluarve. “Katër oficerët e Policisë Kufitare janë pezulluar me pagesë sepse janë subjekt i hetimeve të brendshme nga Inspektorati Policor. Kjo është bërë me qëllim të zhvillimit të besueshëm të hetimeve”, thotë Kelani për Express. Në këtë mënyrë, deputetes Albana Vokshi, si fillim, iu pezullua dënimi prej 250 euro nga gjyqtari i njëjtë, i cili në fillim atë e kishte dënuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Pa koment
Alia Fazliç është kryetar i Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Prizren, gjyqtari i së cilës, Nazim Vllaço, e kishte dënuar në fillim deputeten Albana Vokshi me 250 euro, aktvendim i cili më vonë, pa asnjë sqarim zyrtar, u pezullua. Por, i kontaktuar nga Express, kryetari i gjykatës, Alia Fazliç, nuk pranon të japë asnjë koment në lidhje me këtë çështje. I pyetur përse vendimi për dënim i deputetes është pezulluar, Fazliç thotë se duhet biseduar më gjatë për këtë çështje. “Edhe pse jam në Prishtinë, nuk mund të takohem me ju sepse nuk kam kohë. Për këtë çështje nuk flitet në telefon. Ejani në Prizren dhe flasim”, thotë Fazliç, duke e ndërprerë telefonin. Express është munduar të kontaktojë edhe zyrtarë të Inspektoratit të Policisë në Prishtinë, por kjo ishte e pamundur.
Pezullimi
Vendimet për pezullim nga puna policëve u janë dorëzuar ditën e martë, datë 23 nëntor 2010. Ndër të tjera aty shkruan se Inspektorati i Policisë së Kosovës i kërkon Ndihmës Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Kufitare, t’i pezullojë ata nga detyra, për arsye të hetimeve të mëtejshme të çështjes. Sipas dokumentit, masa e pezullimit të tyre vazhdon deri në përfundim të hetimit të rastit. Por në këtë rast, në dokument nuk ka të përcaktuar asnjë afat kohor se deri kur mund të vazhdojnë apo përfundojnë këto hetime.
Ngjarja
Sipas aktvendimit të Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Prizren, e pandehura Albana Vokshi, “….në vendin e kontrollimit të dokumenteve ka dalë nga vetura dhe me sjelljet e saj të pahijshme dhe arrogante ka ofenduar zyrtarin e policor të Policisë Kufitare, Bujar Shala me fjalët ‘Ju jeni kafshë dhe silleni si kafshë’”. Gjykata kishte vlerësuar e deklaratat e dhëna nga dëshmitarët rastit, policët Bujar Shala, Bekim Morina dhe Mjellma Shala, në tërësi janë identike, në pjesën që ka të bëjë me atë se pandehura Albana Vokshi, në orën kritike të asaj dite ka ofenduar rëndë me shprehjet që në të gjitha rastet përmbajnë fjalën “kafshë”. “Pranë kësaj deklarate, në tërësi kanë mbetur edhe gjatë ballafaqimit me të pandehurën edhe dëshmitari Bujar Shala”, thuhet dokumentin zyrtar të gjykatës. “…Duke vlerësuar deklaratën e të pandehurës dhe deklaratën e dëshmitarëve, është konstatuar se e pandehura ka kryer kundërvajtjen nga neni 5 pika 3 e Ligjit mbi rendin dhe qetësinë publike dhe pas administrimit të të gjitha provave është shpallur përgjegjëse…”, shkruan në dokument.
Madje aty përmendet edhe një fakt tjetër. “…Si rrethanë rënduese është marrë parasysh qëndrimi i saj (Albana Vokshit) jo korrekt dhe i vrazhdë ndaj dëshmitarit-personit zyrtar, Bujar Shalës gjatë procedurës gjyqësore..”, thuhet në fund të arsyetimit të gjyqtarit, pasi ka marrë vendimin për dënimin e deputetes me 250 euro. I njëjti vendim më vonë pezullohet.