Flamuri ka marrë përsipër të bëjë protokollin e festës së 8 Dhjetorit. Kjo ishte mënyra e vetme që të mblidhte dhe faturat për festën. Por problemet që i dolën aq papritur, ia nxinë jetën.
Duke qenë se e mori lehtë, desh t’u bënte ndonjë surprizë njerëzve të Partisë.
– Po e marr me radhë, tha, duke e filluar nga ai burri.
Kishte vendosur të bënte një skenar ku gjithë njerëzit më të rëndësishëm të pushtetit të deklaronin se si kishin qenë me studentët më 8 Dhjetor 1990.
E nisi me atë burrin.
“Sali Berisha më 8 Dhjetor në mbrëmje po shikonte televizorin, kur një komshi e njoftoi se diçka po ndodhte në Qytetin Studenti. Ai mbylli TV, mori pardesynë dhe doli jashtë. U nis me rrëmbim drejt Qytetit Studenti në këmbë, pa pyetur për shiun e ftohtë që kish nisur të binte…”
Këtu i duheshin disa detaje.
– Më mirë ta pyes vetë, tha. I bëri telefon.
– I duhet këtij skenaristit diçka për natën e 8 Dhjetorit, ku ke qenë ti dhe si ke vajtur tek studentët, e pyeti Flamuri.
– Nuk kam qenë në Shqipëri më 8 Dhjetor Flamur. Atë natë kam udhëtu nga Italia në Shqipëri. Jo, nuk kam qenë.
Flamuri ngeli me gisht në gojë.
– Po s’ka qenë ky, ç’më duhen të tjerët, tha me vete. Dhe i ra vizë fletës. Pastaj u pendua. Po vazhdoj me të tjerët, tha.
Vazhdoi me Ridvanin si njeriun më të afërt që ka.
“Ridvan Bode ishte në konviktin e tij në Universitetin Bujqësor në Kamzës. I sapoardhur nga Librazhdi në Institutin e Kamzës si pedagog i ri, Ridvani sapo mori vesh që studentët në Tiranë kanë dalë në rrugë, filloi të trokasë në dhomat fqinje që të zgjonte studentët pas-universitarë dhe pedagogët…”
Ngeci dhe këtu.
– Kë të pyes unë për Kamzën, tha, prit se do gjej njeri. Ju kujtua kryetari i Lëvizjes Studentore në Kamëz. E mori me siklet se nuk i kanë marrëdhëniet e mira, ngaqë e kanë degdisur në një zyrë pa rëndësi në një Ministri.
– Më shpjego pak, tha, si i ka mobilizuar studentët Ridvan Bode në Dhjetor 1990?
– Ta tregoj unë, i tha ai. Në mëngjes, kur ne e kishim ndarë mendjen që do niseshim për në Qytet Studenti, na thanë se ka një mbledhje aty tek këndi sportiv. Na thanë që janë mbledhë studentë dhe pedagogë. Shkuam dhe ne se menduam që do bëhej nisje e organizuar. Po ç’të shihnim. Në krye të tyre ishte Ridvani, të cilin ne nuk e njihnim. Po fliste me zë të lartë dhe tundte gishtin.
– Nuk shkelim ne mbi gjakun e dëshmorëve, thoshte, dhe mbi të mirat që na ka bërë partia. Pastaj ngriti një bust allçie që ishte aty dhe u nis në krye të studentëve pas-universitarë dhe disa pedagogëve duke shëtitur para gjithë godinave të studentëve.
– Çfarë thua mo burrë? Unë të them si u bashkua me ju, i tha Flamuri.
– A më pyete për ’90-ën, a për ‘95-ën, i tha Bislimi.
– Për ‘90-ën, i tha Flamuri.
– E më ‘90-ën ishte kështu siç thashë. Më ‘95-ën pastaj ia çoi Moza Vokshit Doktorit, na e bëri drejtor doganash dhe pas një viti ministër.
S’i doli gjë dhe kjo.
Filloi për Jozefinën. Nisi të shkruajë… “Jozefina Topalli ishte nga intelektualet e reja në Shkodër. Më 9 Dhjetor në mëngjes, ajo mësoi për protestën e studentëve në Tiranë dhe nuk shkoi më në punë. Duhet me organizu intelektualët në Shkodër, tha. Ata vijshin çdo natë tek shtëpia e saj dhe bëjshin biseda kundër komunizmit. Jozefina ishte mbrujtë nga ato biseda, shumë prej të cilave mund të gjenden dhe sot në arkivën e Degës së Brendshme në Shkodër. Të nesërmen Jozefina…”
Këtu ngeci. I duhej dikush me i thënë ndonjë fakt për Jozefinën.
Mori një themelues të vjetër të PD-së në Shkodër. Ja lexoi pjesën që kishte shkruar për Jozefinën dhe iu lut t’i thoshte diçka të re se donte t’i bënte një skenar për festën.
– Ça di unë çfarë ke shkru ti mor Flamur, i tha ai, por më 1990-ën Jozefina nuk ishte intelektuale se nuk kishte shkollë të lartë. Më pas e ka pasë marrë natën. Në atë kohë ishte tek Instituti i Misrit dhe Orizit si sekretare e Drejtorit.
– Po nuk ka qenë pro intelektualëve, tha Flamuri.
– S’di a pro a kundër ka kenë me menje të vet, veç nuk ka qenë intelektuale atëhere. Më pas asht ba, kur u punësu në universitet si kancelare. Dhe krejt Shkodra po e pëson prej kësaj punet se ata që i kanë vënë nota asaj janë ba krejt drejtora dhe ata që kanë marrë nota vetë janë krejt pa punë.
Flamuri ia mbylli telefonin. Nuk duronte dot gjëra të tilla. Ngeli keq. Dilema për të vazhduar më tej iu shua. S’kish më kuptim. Veten e vet po nuk e nxirrte dot si kryesor se ai në atë kohë kishte vetëm një ëndërr, të kalonte kufirin fshehurazi për në Kosovë, për të blerë speca.
E la me aq. I dërrmuar u shtri të flinte me shpresë se do shikonte ndonjë ëndërr që do t’ia hiqte mërzinë e skenarit të 8 Dhjetorit.