Fondi për shpëtimin e shteteve të eurozonës nuk do të zgjerohet. Për këtë u morën vesh ministrat e Financave të eurozonës në Bruksel. Para takimit ishte sugjeruar rritja e shumës, që sot arrin 750 miliardë euro.
Obligacione të përbashkëta të shteteve të eurozonës: këtë ide hodhën në një artikull gazete presidenti i eurogrupit Jean-Claude Juncker dhe ministri italian i Financave, Giulio Tremonti. Me këtë, ata ranë në një fole gjarpërinjsh. Shumica e përfaqësuesve të vendeve me gjendje buxhetore të qëndrueshme i refuzojnë obligacionet në euro, sepse atëherë atyre do t’u duhej ndoshta të paguanin norma më të larta interesi, sesa tani. Vendet më të paqëndrueshme nga ana tjetër do të përfitonin, sepse norma e tyre e interesit do të ulej.
Ndër kundërshtarët bën pjesë edhe ministri austriak i Financave, Josef Proll. “Nuk bën që ato vende si Austria, që kanë ekonomi të disiplinuar, që ndjekin edhe një rrugë të vështirë për ta mbajtur vendin në stabilitet, në fund të rrugës të paguajnë plus”, deklaroi ai.
Kancelarja Angela Merkel ishte shprehur në Berlin po ashtu kundër obligacioneve të përbashkëta në euro. Ajo i sheh normat e ndryshme të interesit si shenjë të një konkurrence të shëndoshë dhe disiplinuese.
Në mënyrë po kaq të ndezur po diskutohet pyetja, nëse mekanizmi i krizës ka ende mjete të mjaftueshme, në rast se përveç Irlandës do të kenë nevojë për ndihmë financiare edhe vende të tjera. Prej kohësh Portugalia, por edhe Spanja, e cila është ekonomikisht shumë më e rëndësishme, konsiderohen si kandidatë të mundshëm.
Por Klaus Regling, shefi i mekanizmit të krizës, u përpoq të qetësonte. “Ndonjëherë dëgjoj dhe lexoj, se mekanizmi i krizës nuk mjafton. Kjo nuk është e saktë. Mjetet për Irlandën janë relativisht të pakta, krahasuar me mundësitë e kredidhënies që ka mekanizmi. Ka mjete të mjaftueshme, që në rast nevoje të përballohen edhe raste të tjera”, pohoi ai.
Por ndaj deklaratave të tilla është përhapur ndërkohë njëfarë mosbesimi. Pak para ngritjes së fondit të shpëtimit, Regling kishte thënë se, me gjasa mjetet financiare nuk do të kërkoheshin kurrë. Më pas Irlanda i tregoi atij të kundërtën.
Ndërkaq, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, u përmbajt në Bruksel mjaft me komente mbi temat e diskutueshme. Ai këshillon tani për qetësi dhe përmbajtje.
Sidoqoftë, për momentin Portugalia nuk gjendet nën ombrellën e shpëtimit, siç parashikonin shumë veta disa ditë më parë. Në këtë këndvështrim, Këshilli i Ministrave nuk mori vendime dramatike, por çështjet e përballimit dhe shmangjes së krizave në të ardhmen përmbajnë shumë lëndë shpërthyese. Grindja do të plasë më e vonëta në samitin tjetër të BE-së javën e ardhshme.