Pse Liu Xiaobo është armiku numër një i shtetit kinez?

9 Dhjetor 2010, 20:25Bota TEMA

Çmimi Nobel për Paqe këtë vit i ndahet intelektualit liberal të Kinës, Liu Xiaobo. Por ai aktualisht ndodhet në një burg kinez. Liu Xiaobo konsiderohet nga udhëheqja kineze si “armiku numër një i shtetit”

Regjimi kinez e vlerëson Xiaobon si faktor pasigurie

Si mund të jetë kaq  i “rrezikshëm” një intelektual në Kinë? Liu Xiaobo kishte përpiluar në vitin 2008, me disa intelektualë të tjerë kinezë dhe aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ashtuquajturën “Karta 08”, e cila është një manifest për modernizimin politik të Kinës. Në të kërkohet ndarje pushtetesh, liri mendimi dhe konkurrencë e lirë e partive politike. Pushtetmbajëtsitë e Kinës e shohin “Kartën 08” si një provokim, sqaron gazetari i Hong Kongut dhe ekspert i shquar i Kinës, Willy Lam. Pekini sheh tek Liu Xiaobon një faktor pasigurie, i cili kërcënon stabilitetin e vendit. Prandaj shkalla e dënimit ishte kaq e lartë.

“Dënimi i Liu Xiaobos me 11 vjet burg duhet të ketë qenë një vendim unanim i Byros Politike të Partisë Komuniste të Kinës. Ndarja e Çmimit Nobel për Paqe për Liu Xaiobon, është për Pekinin një komplot i perëndimit. Pekini e konsideron këtë si një strategji për përmbysjen e autoriteteve shtetërore në Kinë”, shprehet Lam.

Kina hedh poshtë si të pabaza akuzat e bashkësisë ndërkombëtare

Qeveria kineze injoron çdo apel të bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e laueratit të sivjetëm të Çmimit Nobel për Paqë. Gruaja e tij, Liu Xia ndodhet ende në arrest shtëpiak. Ma Zhaoxu, zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze hedh poshtë si të pabaza të gjitha akuzat.

“Ndarja e Çmimit Nobel për Paqe e një të burgosuri të dënuar, tregon mungesën e respektit të Komitetit të Çmimit Nobel ndaj drejtësisë kineze”, u shpreh ai.

Udhëheqja kineze mbetet kokëfortë dhe aktualisht nuk i shmanget konfrontimeve, sepse ekonomia e Kinës po lulëzon dhe kjo i jep asaj siguri. Pavarësisht krizës së fundit globale financiare, vendi është forcuar, duke u bërë ekonomia e dytë kombëtare në botë. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, prodhimi vendor bruto i Kinës për kokë banori, ka qenë këtë vit mbi 4000 dollarë amerikan. Ka vite që jo pak njerëz në perëndim besojnë që zhvillimi i shpejtë ekonomik në Kinë do të ndikojë edhe në hapjen politike dhe në reformat në vend. Megjithatë, eksperti i Kinës, Willy Lam, i vlerëson këto pritje si jorealiste.

“Ruajtja e stabilitetit ka prioritetin më të lartë. Kështu kishte vendosur qysh në vitin 1989 ish-kryetari i Partisë Komuniste të Kinës, Deng Xiapoping, i cili bënte pjesë në gjeneratën e parë të udhëheqjes kineze të epokës së reformave. Sot, 20 vjet më vonë, gjenerata e katërt udhëheqëse qëndron pas këtij vendimi, se një ndryshim i plotë nuk është i nevojshëm, përderisa vazhdon zhvillimi i ekonomisë së vendit dhe funksionon aparati shtetëror”, shprehet ai.

Kina intensifikon retorikën anti-Nobel

Pekini ka përshkallëzuar fushatën për diskretitimin e Komitetit të Nobelit, një ditë para ceremonisë për akordimin e Nobelit për Paqe për disidentin kinez, Liu Xiaobo në Oslo.

Ministria e Jashtme këmbënguli se Liu Xiaobo nuk është dënuar vetëm për kërkesat e tij për më shumë demokraci, por aktivisht ishte përpjekur për të rrëzuar pushtetin.

Ndërkohë, komiteti norvegjez i Nobelit ka thënë se akordimi i çmimit për Paqe këtë vit për disidentin e burgosur kinez, nuk ishte përpjekje për ta detyruar Kinën që të respektojë vlerat perëndimore, por të drejtat universale të njeriut.

Kreu i komitetit, Thorbjoern Jagland, tha se çmimi nuk ishte protestë, por një sinjal se ishte me rëndësi për të ardhmen e Kinës, që ajo të kombinojë zhvillimin ekonomik, me reformat politike.

‘Të drejta universale’

“Të drejtat universale të shpjeguara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, nuk janë vlera apo standarte perëndimore. Ato janë standarte globale, të vlefshme për secilin vend të botës që është anëtar i OKB-së,” tha Jagland.

Ai tha se nuk duhet bërë dallim mes të ashtuquajturave vende perëndimore, të cilat respektojnë të drejtat e njeriut dhe vendeve të tjera.

“Rruga drejt demokracisë është e ndryshme”, tha kreu i komitetit të çmimit perstigjoz, “por një gjë është pliotësisht e qartë: nuk ka demokraci pa lirinë e fjalës”.

Deklarata e Jagland u bë vetëm një ditë para mbajtjes së ceremonisë së dorëzimit të çmimit perstigjoz.

Ai njoftoi se në sallë të premten do të ketë një karrige bosh, për të simbolizuar mospjesëmarrjen në ceremoni të disidentit kinez.

Presion kinez

Lui Xiaobo, 54 vjeç, po vuan dënimin me 11 vjet burg në Kinë për “nxitje të subversionit” ndaj shtetit kinez.

Autoritetet nuk e kanë lejuar bashkëshorten dhe të afërm e kolegë të tij, që të udhëtojnë në Oslo për të marrë çmimin.

Kina ka zhvilluar dhe një fushatë intensive diplomatike për të bindur vedne të ndryshem që të bojkotojnë ceremoninë e sivjetshme.

Njoftohet se 18 vende kanë deklaruar se nuk do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në Oslo.

Kina sërish ka sulmuar të enjten mbështetësit e fituesit të këtij viti të çmimit Nobel për Paqe.

Kina sulmon Amerikën

Një zëdhënëse për autoritetet tha se rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, e cila përgëzon Liu Xiaobo për çmimin, ishte arrogante dhe e paarsyeshme.

Ajo tha se rezoluta që bën thirrje për lirimin e Xiaobo, ishte një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kinës.

Në prag të ceremonies, duket se autoritetet kanë bllokuar qasjen në disa faqe të huaja lajmesh në internet, duke përfshirë dhe atë të BBC-së.

Përmes instituteve “Konfuci” provohet të ndryshohet imazhi jashtë vendit

Nga njëra anë Pekini nuk dëshiron të rrezikoj stabilitetin e vendit. Por nga ana tjetër vendi nuk dëshiron që për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, të mbetet në thumb të kritikave të bashkësisë ndërkombëtare. Pushtetmbajtësit kinezë ka vite që përmes projekteve të ndryshme, provojnë të ndryshojnë imazhin jashtë vendit dhe të ndikojnë në opinionin publik. Simbol për këtë është themelimi gjatë viteve të kaluara i mbi 250 instituteve “Konfuci” në 80 vende të ndryshme të botës. Për projekte kulturore dhe mediatike, për botimin e një gazete të re në gjuhën angleze dhe për kanale televizive në gjuhën angleze, që transmetojnë 24 orë në ditë, Kina ka vënë në dispozicion një buxhet të posaçëm prej 4,5 miliardë euro.

“Megjithatë, për aq kohë sa Kina nuk lejon shprehjen e lirë të mendimit dhe fut në burg ithtarët e demokracisë, si Liu Xiaobon, të gjitha përpjekjet për përmirësimin e imazhit jashtë vendit shkojnë huq”, thekson politologu Andrew James Nathan nga Universiteti Columbia.

“Shumica do të pyesin përse Kina nuk mund të pranojë Çmimin Nobel për Paqë? Bile qeveria në Pekin i ndalon gruas së Liu-s që të japë intervista për mediet vendore apo të huaja. Shumë do të jenë të mendimit se fuqia e butë kineze (Soft Power) nuk do të forcohet nga veprime të tilla, përkundrazi”, pohon ai.

1 komente në “Pse Liu Xiaobo është armiku numër një i shtetit kinez?”

  1. Dino USA says:

    Kina e di mire si i ben punet e veta.Kot e ka bota qe kerkon ta cthur!!!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje