Isa Mustafa do zgjedhje në shtator 2011

22 Dhjetor 2010, 10:06Rajoni TEMA

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore” pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e 12 dhjetorit, Isa Mustafa pati përmendur shtatorin e vitit të ardhshëm si muaj kur do ta rrëzonte qeverinë, në rast se partia të cilën e drejton, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk do të dilte e para në zgjedhjet nacionale. Zgjedhjet u mbajtën, rezultatet preliminare tregojnë se LDK-ja nuk është parti e para, ndërsa Mustafa e mban të fiksuar muajin shtator të 2011-s.
Në intervistën dhënë gazetës, të martën, ai ka thënë se domosdo duhet shkuar në zgjedhje në këtë kohë, dhe se deri atëherë vendi duhet drejtuar nga një qeveri teknike.
Por, ka dhënë sinjale se, pas certifikimit, do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe do të bëhet pjesë e Kuvendit. Kjo, ani se ka thënë që forumet më të larta të partisë janë ato që do ta marrin vendimin. Megjithëkëtë, ka shprehur zotimin që LDK-ja nuk do të bëhet shkaktare për të prodhuar vakum institucional.
Pavarësisht kësaj, Isa Mustafa nuk do të jetë njeriu që do t’ia urojë fitoren Hashim Thaçit. S’do ta bëjë këtë, pasi konsideron se urimi do të ishte i pasinqertë.
Rezultati i certifikuar, sipas tij, nuk do të shprehë vullnetin e vërtetë të qytetarëve, ngaqë konsideron se është i manipuluar. E në manipulim përfshin, jo vetëm PDK-në, por edhe mekanizma të tjerë institucionalë e jashtinstitucionalë. Pandeh edhe ndërkombëtarët, për të cilët thotë se nuk e thanë të vërtetën për zgjedhjet në Kosovë.
Pavarësisht këtyre, ai tregon se nuk ka mundur të ofrojë fakte për t’i bindur mekanizmat shtetërorë që të anulojnë votat në qendrat ku janë parë manipulime, në mënyrë që të shkohet në rivotim. Mustafa ka thënë se janë të domosdoshme ndërrime rrënjësore ligjore, duke përfshirë edhe lejimin e kamerave në vendvotime, në mënyrë që të evidentohen të gjitha abuzimet me vota në zgjedhjet e ardhshme.
Ai është i bindur që Hashim Thaçi nuk do të mund ta formojë qeverinë. Ka folur me zyrtarë të AAK-së e të AKR-së, me të cilët thotë të ketë mendim të njëjtë se zgjedhjet e sivjetme janë lënduar në masë, kryesisht nga PDK-ja. Shprehet skeptik nëse ndonjëra prej këtyre dy subjekteve do t’i bashkohet PDK-së në qeverisje, por thotë se nuk do të mundohet ta bindë ndonjërën se si duhet vepruar. Ai ka folur vetëm për partinë e tij, LDK-në, për të cilën konsideron se duhet të mësohet me rolin e ri, atë opozitar.
I pyetur nëse ka plane  për përmbysje të rezultatit, nga ky preliminar që është tani, Isa Mustafa u përgjigj: Unë mendoj se domosdo duhet të shkojmë së shpejti në zgjedhjet e reja, sepse është e pamundur, të themi, që organet, edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, edhe Qeveria e Kosovës, të ketë legjitimitet të qëndrueshëm. Neve nuk na nevojitet një Kuvend dhe një Qeveri pa legjitimitet. Mirëpo, megjithatë mendojmë se kjo duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje të brendshme që duhet të bëhet në mes të partive politike, në mënyrë që Kosova të mos mbetet pa institucione dhe unë konsideroj që një Parlament duhet ta bëjmë, i cili duhet të funksionojë ashtu siç është, por që ta caktojmë një periudhë e cila nuk mund të jetë më e gjatë se shtatori i vitit të ardhshëm, në të cilin Kosova domosdo duhet të shkojë edhe t’i bëjë zgjedhjet, sepse këto zgjedhje nuk i sigurojnë legjitimitet Kosovës, sidomos për punët e mëdha që na presin në periudhën e ardhshme.
Pasi iu rikujtua se kishte thënë me herët, në prag të zgjedhjeve,  se më së largu në shtator, si opozitar, do të mund ta rrëzonte Qeverinë, ai u përgjigj shkurt: “Po, do ta rrëzojmë. Në të vërtetë, në këtë rast nuk flitet për rrëzim të Qeverisë, të themi, për shkak të kualitetit të qeverisjes. Por, jam duke folur për atë se ka pasur shumë abuzime. Procesi zgjedhor është shumë i lëndueshëm, një proces në të cilin tash për tash ndodhen 40 për qind e kutive në rinumërim. Pra, 40 për qind janë totalisht të parregullta. Shtrohet pyetja, çfarë është edhe me tjerat?
Nëse LDK-ja do t’i pranojë ose jo rezultatet e zgjedhjeve, Isa Mustafa dha një përgjigje të paqartë.  “Rezultatet, do të vendosim, do të ulemi, sepse nuk varet vetëm prej vullnetit individual timit. Do ta bisedojmë në Kryesi. Në qoftë se ka nevojë, në Këshillin Qendror. Por, nuk jemi për atë që të kemi vakum institucional”.
Në pyetjen tjetër se a do të hyni në Kuvend, Mustafa po ashtu nuk dha një përgjigje të qartë: “Për Kuvend do të vendosim. Çështja e hyrjes në Kuvend është një çështje shumë e madhe, është një vendim shumë i madh… (vendimin) do ta marrë Kryesia ose Këshilli Qendror, për të cilin ne do të vendosim pasi që të përfundojë procesi. Por ne domosdoshmërisht do të jemi përgjegjës që Kosova të mos mbesë pa institucione, sepse nuk dëshirojmë që asnjë ditë të kemi vakuum institucional në Kosovë.”

1 komente në “Isa Mustafa do zgjedhje në shtator 2011”

  1. mufiti nga ny. says:

    Kosova ka nevoje per qetsi dhe maturi .te lihen menjan interesat partiake dhe te shikohen interesat madhore te Kosoves.tebeni nje koalicion te gjer me njerzit me te mire qe ka KOSOVA. mos tehiqni litarin nga krahu i serbeve me veprimet prej foshnje. Vendosni nje stabilitet politik sa me te gjat dhe mos u merni me shpirt ngushtesira !

Comments are closed.

Lini një Përgjigje