Kur je i ri, është më e lehtë të kuptosh shprehjet dhe ndjenjat e të tjerëve. Mund ta kuptosh nëse po bëjnë shaka apo jo. Ose mund ta kuptosh nëse po vuajnë apo janë të kënaqur dhe të lumtur. Pra, në një farë mënyre, kur je i ri mund të dëshifrosh çdo shprehje. Me kalimin e moshës, kjo gjë komplikohet. Sa më i vjetër, aë më e vështirë është që të kuptosh. Në këtë përfundim kanë arritur disa studiues neozelandez. Ata kanë vëzhguar një grup prej 121 personash, një pjesë e të cilëve ishin nga mosha 18 deri 35 vjeç dhe pjesa tjetër mbi 60 vjeç. Atyre iu paraqit një video, me titullin “The Office”. Pas videos, personave që u morën në vëzhgim iu kërkua një vlerësim për personat protagonistë në video. Të rinjtë arritën që të kuptonin ndjenjat, emocionet, mimikën dhe gjuhën e trupit të përdorur nga protagonistët e videos, ndërsa të vjetërit e kishin më të vështirë këtë gjë. Megjithatë, studiuesit thonë se gjatë vëzhgimit të tyre mund të ketë pasur edhe gabime.