Skandali, Federata ka vendosur fitimin e të gjitha ndeshjeve nga Skënderbeu

15 Prill 2011, 10:29Sport TEMA

Federata Shqiptare e Futbollit duket se është përballë një skandali. Sekretari i klubit të futbollit të Flamurtarit, Geri Çipi, ka denoncuar një bisedë me sekretarin e Federatës, Prodanin, se i ka deklaruar se Skënderbeu do t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura në kampionat, deri në ndeshjen e fundit, që do të luajë pikërisht përballë Flamurtarit. Çipi ka thënë se pas kësaj fshihet presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i cili po favorizon hapur Skënderbeun e Korçës në luftën për fitimin e titullit.

“Ky fund kampionati po luhet me dy standarde. Janë përdorur pamjet filmike për të dënuar sulmuesin e Flamurtarit, por në përgjithësi të gjithë ekipin. U referohem këtu shumë rasteve të shënuara në superligë, por mbi të gjitha takimeve Dinamo Skënderbeu, ku është pranuar nga të gjithë se ka qenë një estradë e vërtetë.

Pamjet filmike kanë qenë të plota, por nuk janë vënë asnjëherë nga ky komision për të marrë masat dhe ndëshkuar. I kam kërkuar Prodanit arsyet e vërteta të dënimit dhe kemi folur edhe për ndeshjen Dinamo Skënderbeu, duke i kërkuar ta shohë edhe një herë shfaqjen e radhës dhe komisioni të veprojë. E dini si më është përgjigjur?

Jua them unë: “Të gjithë në FSHF e dinë jo vetëm për ndeshjen me Dinamon, por e dinë shumë mirë se Skënderbeu do t’i fitojë pa diskutim të gjitha ndeshjet deri në atë takim të fundit të kampinatit në Vlorë.

Por kjo që po ju ndodh ju si ekip, nuk është nga unë apo pjesëtarë të tjerë të FSHF së, por nga personi sipër meje, është pikërisht ai që vendos për gjithçka.” Pra, Prodani nënkupton Armand Dukën. Më thoni, çfarë duhet të mendoj pas kësaj thënieje të vetë sekretarit të përgjithshëm të FSHF së?

Ftoj të gjithë opinion sportiv në vend, të gjithë zyrtarët e FSHF së, ata të komisioneve të disiplinës, apelit, apo si e quajnë edhe të komisioneve me duar të pastra, të jenë të pranishëm në stadium për të ndjekur nga afër aktin e tretë të komedisë Dinamo Skënderbeu. Biletat i paguan klubi i Flamurtarit.

Ta ndjekin nga afër dhe më pas edhe të përdorin pamjet filmike, por jemi të sigurt se asgjë nuk do të kalojë në atë komision, apo në ndonjë zyrë tjetër.

Po të ishte Flamurtari, do të ndodhte krejt ndryshe,” është shprehur në fjalën e tij shefi i klubit të Flamurtari, Geri Çipi, menjëherë pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të FSHF së, Eduard Prodani, ku së bashku me trajnerin Gugash Magani kanë kërkuar të njihen me arsyet e vërteta të dënimit ndaj sulmuesit Xhafaj.

“Prodani na kërcënoi të mos bënim publik takimin”

Ajo që të çudit më shumë, sipas Çipit, është fakti se si sekretari i FSHF së, Eduard Prodani, arrin deri aty sa të kërcënojë Çipin dhe Maganin në telefon pas takimit me të që të os bëjnë publike për mediat bisedën mes tyre.

“Duke e ndierë që ne mund të bënim transparencën e këtij takimi me Prodanin, ky i fundit na merr në telefon dhe na kërcënon se do ta çojë sërish në Disiplinë nëse del gjë në media nga takimi ynë. Shikoni sa poshtë kanë rënë.

Nuk na intereson shumë, ne do të kërkojmë që të luajmë fort në çdo ndeshje, ata le të bëjnë të tyren, por s’na ndalin dot në qëllimin tonë madhor,”- ka thënë Çipi.

 

Lini një Përgjigje