Zgjedhjet ishin relativisht të mira. Kështu do e përkthenin raportin paraprak të OSBE/ODIHR disa nga agjencitë e mëdha ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, kryeministri Sali Berisha jo vetëm ka humbur zgjedhjet, por ka humbur edhe standardet zgjedhore.
Ndryshe nga herët e shkuara, raporti paraprak është publikuar dy ditë pas zgjedhjeve. Me shumë gjasë kjo u bë që të pritej numërimi i votave. Megjithatë, edhe pse qysh të hënën duhej të kishte përfunduar si proces, ai nuk është mbyllur as të martën. Deklaratën paraprake e lexoi kreu i misionit të vëzhguesve të ODIHR, Jonathan Stonestreet, që tha se zgjedhjet ishin konkurruese e transparente, por u zhvilluan në një ambient të polarizuar e në një klimë mosbesimi, që dëmtoi procesin.
Vëzhguesit kanë shprehur shqetësim për procesin e numërimit. Ata kanë thënë se kanë faktuar raste kërcënimi të votuesve, raste të abuzimit me administratën e kanë shtuar se fushata u shoqërua nga dhuna.
Më poshtë lexoni të plotë raportin e përgatitur nga vëzhguesit e ODIHR.
Deklarata paraprake
Zgjedhjet e 8 majit 2011 për qeverisjen vendore në Republikën e Shqipërisë ishin konkurruese dhe transparente, por u zhvilluan në një atmosferë polarizimi të lartë dhe mungese besimi ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës. Si në zgjedhje të kaluara, asnjëra prej dy partive kryesore politike nuk i kreu me përgjegjshmëri detyrat e saj zgjedhore, duke ndikuar negativisht administrimin e të gjithë procesit. Ditën e zgjedhjeve, votimi u krye relativisht mirë, edhe pse me vështirësi procedurale, por numërimi u vonua në shumë zona.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura për qetësi nga Presidenti dhe Kryeministri, në shumë bashki dhe komuna gjatë fushatës u vërejt dhunë e lidhur me zgjedhjet. Megjithatë, zgjedhjet kishin edhe aspekte pozitive, të cilat hodhën themelet për progresin në të ardhme. Ndër to mund të përmenden përmirësimi i listave të votuesve, puna e Kolegjit Zgjedhor në marrjen e vendimeve lidhur me ankimimet përpara ditës së zgjedhjeve dhe një mjedis mediatik pluralist.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) funksionoi në mënyrë transparente dhe, pavarësisht ndarjes së dukshme, i përfundoi përgatitjet teknike për zgjedhjet. Megjithatë, polarizimi pati ndikim në punën e KQZ-së, ku hera-herës diskutimet kishin natyre të ashpër dhe politike. Vendimet lidhur me çeshtjet e debatuara mes dy partive kryesore u trajtuan me tone partiake dhe jo në kolegjialitet. Disa prej këtyre vendimeve nuk ishin të bazuara në Kodin Zgjedhor dhe u rrëzuan pas ankimimit në Kolegjin Zgjedhor.
Kodi Zgjedhor është vlerësuar paraprakisht se siguron një bazë të detajuar teknike për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike nëse zbatohet me qëllimin për të mbështetur zgjedhje të tilla dhe ligjin. Megjithatë, ai përmban mangësi dhe paqartësi dhe jo gjithmonë merr parasysh specifikat e zgjedhjeve vendore.
Vonesa në lidhje me emërimin e komisionerëve të zgjedhjeve çuan në mosrespektimin e disa afateve kohore. Partia Socialiste në opozitë (PS) dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) vonuan caktimin e anëtarëve të komisioneve të nivelit të mesëm, duke e detyruar KQZ-në të ndërhynte në mënyrë që zgjedhjet të vazhdonin sipas kalendarit. Pas caktimit të tyre, shumica e komisioneve punuan në kolegjialitet gjatë periudhës para-zgjedhore. Partia Demokratike në pushtet (PD) dhe PS-ja nuk i emëruan në kohë anëtarët e KQV-ve dhe grupeve të numërimit. Edhe deklaratat e këtyre partive që vinin në dyshim integritetin e administrimit të zgjedhjeve dëmtuan besimin e publikut tek zgjedhjet.
Autoritet janë përpjekur shumë për të përmirësuar listat e votuesve. Megjithatë, një numër i madh votuesish nuk e kanë një adresë të regjistruar, një çeshtje që vazhdon që prej zgjedhjeve të kaluara. Regjistrimi i kandidatëve ishte gjithëpërfshirës. Shumica e partive hynë në zgjedhje si pjesë e dy koalicioneve, kryesuar nga PD-ja dhe PS-ja. Fushata ishte aktive në pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe të gjithë kandidatët mundën të zhvillonin fushatën në mbarë vendin. Fatkeqësisht, në disa zona, pati raste të konfirmuara presioni ndaj nëpunësve publikë për të mbështetur PD-në. Abuzimi me burimet administrative duket se ishte pakësuar ndjeshëm; megjithatë, në pak raste, zyrtarët qeveritarë dhe vendorë i përdorën aktivitetet zyrtare për qëllime fushate.
Zgjedhjet u mbuluan gjerësisht prej medias. Media ofroi një pluralitet pikëpamjesh, duke i ndihmuar votuesit të bënin një zgjedhje të informuar. Megjithatë, mungon media vizive tërësisht e pavarur, me shumicën e kanaleve private të rreshtuar përkrah njërës nga dy partitë më të mëdha. Televizioni publik u siguroi partive minutazh falas, por gjatë mbulimit me lajme, i kushtoi më shumë kohë televizive koalicionit qeverisës. Disa propozime të Bordit të Monitorimit të Medias (BMM) pasqyruan emrërimet/caktimet partiake të anëtarëve të tij, duke vënë e ulur besueshmërinë e tij. Një vendim i KQZ-së, bazuar në një propozim të BMM-së, u kërkonte transmetuesve televizive që gjatë mbulimit me lajme, të përdornin kasetat e përgatitura nga vetë partitë dhe u lejonte partive të ushtronin ndikim mbi zgjedhjet editoriale në programet e lajmeve. Ky vendim u rrëzua në në bazë të një ankimimi.
Sistemi i ankesave dhe ankimimeve lejoi një trajtim të efektshëm të çeshtjeve gjatë periudhës para zgjedhore. Kolegji Zgjedhor veproi në mënyrë profesionale dhe të paanshme gjatë shqyrtimit të ankimimeve përpara ditës së zgjedhjeve. Megjithatë, Kolegji Zgjedhor nuk e zbardhi vendimin brenda afatit ligjor, me përjashtim të një rasti. Kodi Zgjedhor specifikon përfaqësimin gjinor në listat e kandidatëve për anëtarët e këshillave, por nuk parashikon në mënyrë të efektshme që të plotësohet kjo kërkesë. Ndëshkimi për mosplotësimin e kërkesave gjinore është vetëm një gjobë e vogël. Duket se kanë qenë të shumta rastet në të cilat listat e kandidatëve për zgjedhjet e këshillave nuk i plotësuan kërkesat gjinore. Numri i kandidateve femra mbeti shumë i ulët.
Ndryshe nga periudha parazgjedhore, dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë, por e paorganizuar në disa raste. Vëzhguesit vendorë ishin të pranishëm në pothuajse të gjitha KQV-të dhe VNV-të dhe dukeshin se ishin në gjendje të vëzhgonin zgjedhjet pa pengesë. Në momentin e hartimit të kësaj deklarate, qendrat e vëzhguara të numërimit duket se funksiononin mirë dhe me transparencë, me disa përjashtime. Megjithatë, numërimi po vazhdon me ngadalësi dhe është i paorganizuar në disa raste. Në disa vende, numërimi i votave ka pasur ndërprerje të paparashikuara.
Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve do të varet pjesërisht nga administrimi i fazave të mbetura të procesit zgjedhor duke përfshirë numërimin, nxjerrjen dhe shpalljen e rezultateve si edhe trajtimin e ankesave apo ankimimeve të mundshme.
Fushata Zgjedhore
Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë politike mjaft të polarizuar. Disa kryetarë partish përdorën një gjuhë të ashpër kundër kundërshtarëve, përfshirë pretendimet për korrupsion dhe përgjegjësinë për ngjarjen e 21 janarit 2011. Partitë e opozitës shprehën mungesën e besimit tek autoritetet dhe administrata zgjedhore, ndërsa partitë në pushtet shprehën pretendime se komisionerët e zgjedhur nga opozita do të pengonin procesin.
Fushata zgjedhore u hap zyrtarisht më 8 prill. Kryetarët e partive zhvilluan mitingje në gjithë vendin dhe zyrat vendore të partive organizuan aktivitete fushate në shkallë të gjerë, përfshirë takimet me grupe të vogla të votuesve dhe fushatat derë më derë. Vëmendja u përqendrua më tepër në zgjedhjet për kryetar bashkie dhe komune sesa në zgjedhjet për këshilla, dhe veçanërisht në garën për kryetar bashkie të Tiranës. Kandidatët, veçanërisht ata të PD-së i vunë theksin çështjeve vendore, ndërsa PS-ja e përqendroi kritikën edhe ndaj punës së qeverisë, sidomos të Kryeministrit.
Të dyja palët përdorën gjerësisht reklamat e fushatës. Shumë reklama të PS-së ishin mjaft negative, përfshirë pamje të ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit.
Zyrtarët e shtetit, kryesisht Presidenti dhe Kryeministri bënë thirrje të përsëritura për një fushatë të qetë dhe paqësore. U shënua edhe një numër i madhe incidentesh të dhunshme të lidhura me zgjedhjet në disa qarqe, përfshirë edhe incidente jo fatale me armë, vënie eksplozivi në pronat e kandidatëve dhe partive, rrahje dhe kërcënime, të cilat prishën atmosferën e fushatës. Kjo është në kundërshtim me paragrafin 7.7 të Dokumentit të OSBE-së të Kopenhagenit në vitin 19909.
Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR dhe delegacionit të Kongresit iu raportuan një sërë ankesash në shumë qarqe të vendit se ndaj administratës shtetërore, përfshirë mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë si edhe nxënësit, është ushtruar presion ose për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës të PD-së, ose për të mos shkuar në aktivitetet e opozitës. Presione të tilla përfshinin kërcënime për humbjen e vendit të punës ose nota të ulëta për nxënësit. MVZ i OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si të besueshme rastet e presionit në qarkun e Tiranës, Kukësit, Elbasanit, Vlorës dhe Korcës. Kryeministri pranoi raste “sporadike” të një presioni të tillë dhe bëri thirrje për t’u dhënë fund atyre. Përveç kësaj, si PD-ja, ashtu edhe PS-së ngritën pretendimin se punonjësve të sektorit publik u kërkohej të jepnin të dhënat personale dhe të anëtarëve të familjes, përfshirë edhe vendin e votimit, si formë presioni. MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it verifikoi disa raste në qarkun e Elbasanit dhe Tiranës.
Pati mosmarrëveshje për vendosjen e posterave dhe flamujve në shumë zona. Dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe një udhëzim i KQZ-së që rregullojnë përgjegjësinë e autoriteteve vendore për përcaktimin e vendeve për afishimin e materialeve të fushatës nuk janë zbatuar rregullisht dhe në shumë vende nuk janë zbatuar aspak. Në disa raste kjo çoi në heqjen e posterave ose flamujve dhe ndonjëherë edhe në konfrontime të dhunshme.
Eshtë i ndaluar përdorimi i burimeve administrative për qëllime fushate. Qysh në hapje të fushatës, Kryeministri nxorri një udhëzim ku u kërkohej zyrtarëve shtetërorë dhe vendorë që burimet administrative, veçanërisht automjetet, të mos përdoreshin për qëllime fushate, në përputhje me Kodin Zgjedhor. Në një numër të kufizuar rastesh, qeveritarët, përfshirë Kryeministrin dhe kryetarët aktualë të bashkive që rikandidojnë në Tiranë dhe Durrës, shfrytëzuan aktivitetet zyrtare për qëllime fushate.
Që të dyja, si media vizive, ashtu edhe ajo e shkruar janë të ndara sipas linjave politike. Pavarësisht kësaj, larmia e mediave u lejoi votuesve të zgjidhnin ndërmjet një pluraliteti pikëpamjesh. Stacionet e shumta radiofonike dhe televizive janë burimi i parë i informacionit. Qarkullimi i medias së shkruar është i kufizuar në zonat urbane. Kodi Zgjedhor rregullon të gjithë median vizive gjatë periudhës së fushatës me rregulla strikte të mbulimit me lajme, reklamave me pagesë dhe minutazhit falas.
Media e monitoruar nga MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it mbuloi gjerësisht fushatën zgjedhore me lloje të ndryshme programesh. Këtu u përfshinë 35 debate televizive të planifikuara ndërmjet përfaqësuesve të partive dhe kandidatëve vendorë, ndonëse në 16 raste nuk u paraqit njëri ose që të dy kandidatët. Transmetuesi publik TVSH u akordoi partive politike kohë televizive falas sipas Kodit Zgjedhor. Media vizive e monitoruar i respektoi dispozitat e heshtjes zgjedhore.
Ndërsa ligji parashikon që TVSH-ja duhet të ofrojë kohë televizive të barabartë për partitë më të mëdha gjatë edicionit të lajmeve, ajo i kushtoi 42 për qind të lajmeve politike PD-së dhe 36 për qind PS-së. 10 për qind iu kushtua qeverisjes së kryesuar nga PD-ja. Për partitë e tjera politike mbeti vetëm 12 për qind e mbulimit me lajme. Toni i lajmeve ishte më shumë pozitiv për PD-në dhe disi më negativ për PS-në.
Për kanalet private, monitorimi i medias tregoi ndarjen politike ndërmjet medias, por edhe larminë e pikëpamjeve që iu transmetuan votuesve. TV Klan favorizoi partitë në pushtet, ndërsa Vizion Plus favorizoi opozitën. Top Channel dhe Neës 24 kishin në përgjithësi tone neutrale ndaj PD-së dhe PS-së, por përdorën tone më negative ndaj qeverisë.
TV Klan i kushtoi PD-së 59 për qind të mbulimit me lajme, 27 për qind PS-së dhe 7 për qind qeverisë. Vizion Plus favorizoi opozitën i kushtoi PS-së 47 për qind të mbulimit me lajme, 34 për qind PD-së dhe 7 për qind qeverisë. Neës 24 i kushtoi 45 për qind të mbulimit me lajme PS-së dhe 33 për qind PD-së. 5 për qind e kohës iu kushtua qeverisë. Top Channel i kushtoi 41 për qind të mbulimit me lajme PS-së, 31 për qind PD-së dhe 12 për qind qeverisë.
KQZ-ja emëroi Bordin e Monitorimit të Medias (BMM), organin përgjegjës për të mbikqyrur nëse media vizive po u përmbahej kërkesave ligjore për të ofruar mbulim të ekuilibruar të fushatës. Raportet e monitorimit, BMM-ja ia dorëzoi KQZ-së dhe bëri propozime për t’i urdhëruar transmetuesit të ofronin minutazh kompensues. Megjithatë, disa prej propozimeve të BMM-së pasqyronin përbërjen e tij partiake. Dy vendime të KQZ-së marrë sipas propozimeve të BMM-së ishin kontradiktore. Më 14 prill, KQZ-ja e urdhëroi median të ndërpriste transmetimin e dy reklamave elektorale të PS-së me argumentin se PS-ja nuk ishte qartësisht e dallueshme si sponsor i tyre. Vendimi bazohej në nenin 84.4 të Kodit Zgjedhor, megjithëse ky nen nuk specifikon se si duhet të identifikohet një reklamë elektorale. Reklamat u ritransmetuan pasi u identifikuan më qartë si të partisë. Vendimi i dytë urdhëronte transmetuesit të shfaqnin kasetat e përgatitura nga subjektet zgjedhore në rast se stacionet e kishin të pamundur t’i mbulonin me lajme dhe u jepte partive politike kompetenca për të përcaktuar mbulimin me lajme të aktiviteteve të partive dhe kandidatëve.Ky vendimet editoriale të medias vizive. Vendimi u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor.
Më 29 prill, KQZ-ja refuzoi një propozim të PS-së për të refuzuar transmetimin e reklamave të fushatës së PD-së në kanalet televizive që e kalonin kufirin kohor prej 90 minutash. KQZ-ja e mbështeti refuzimin në argumentimin se reklamat e sponsorizuara nga koalicioni në mbështetje të kandidatëve duhen llogaritur veçmas nga reklamat e sponsorizuara nga partia. Për pasojë, kufiri u llogarit edhe një herë sipas numrit të partive në koalicion me 411 minuta për koalicionin e kryesuar nga PD-ja dhe 310 minuta për koalicionin e kryesuar nga SP-ja.
Dita e Zgjedhjeve, numërimi dhe nxjerrja e rezultateve zgjedhore
Dita e zgjedhjeve ishte relativisht e qetë krahasuar me fushën parazgjedhore. Dita e zgjedhjeve u nga çorganizimi në një numër qendrash votimi, por shumica e problemeve në këto QV kishin natyrë procedurale. Mbi të gjitha, transparenca e procesit ditën e zgjedhjeve u vlerësua pozitivisht. Kandidatët politikë i shpërndanë përfaqësuesit në pothuajse të gjitha QV-të dhe VNV-të, ndërsa vëzhguesit vendas jo partiakë ishin të pranishëm në një të pestën e QV-ve të vizituara. KQZ-ja njoftoi një pjesëmarrje në zgjedhje prej 51 për qind.
Shumica e QV-ve të vëzhguara u hapën me vonesë (57 nga 75). Disa prej vonesave ishin si shkak i mungesës së materialeve zgjedhore, përfshirë fletët e votimit, bojën ose kutitë e votimit, por edhe për shkak të mosmarrëveshjeve të anëtarëve të KQV-ve lidhur me procedurat. Vëzhguesit raportuan probleme procedurale në 19 QV dhe persona të paautorizuar brenda 10 QV-ve, shumica aktivistë të partive. Këta faktorë bënë që vëzhguesit ta vlerësonin negativisht hapjen në numri të madh të QVve (21 QV). Gabimet në prodhimin ose shpërndarjen e fletëve të votimit rezultuan në moszhvillimin e tri garave zgjedhore dhe votimi u anullua në tetë QV të tjera.
Procesi i votimit u vlerësua si pozitiv prej vëzhguesve në 90 për qind të QV-ve të vizituara. Vlerësimi negativ në 10 për qind të tyre ishte kryesisht për shkak të problemeve procedurale, të cilat mund të jenë shkaktuar prej emërimit me vonesë të anëtarëve të KQV-ve dhe mungesës së trainimit të standartizuar. Në 16 për qind të QV-ve të vëzhguara, nuk u ndoqën gjithmonë procedurat dhe KQV-të nuk i njihnin procedurat në 12 për qind të rasteve. Kjo ishte mjaft e dukshme në procedurën e lyerjes së gishtit me bojë pasi komisionerët nuk i kontrollonin rregullisht votuesit nëse e kishin (20 për qind të vëzhgimit) apo nuk e kishin gishtin me bojë (7 për qind). Votimi familjar/në grup, çka dhunon fshehtësinë e votës, u vërejt në 21 për qind të QV-ve të vizituara. Në shumë QV kishte dyndje (14 për qind) ose vendosje të papërshtatshme të mjeteve të votimit (6 për qind). Tensioni ose shqetësimet u vërejtën brenda 7 për qind të QV-ve të vizituara. Disa materiale zgjedhore mungonin në 4 për qind të QV-ve. Vlerësimi i vëzhguesve varionte sipas rajoneve, me Tiranën të vlerësuar në përgjithësi si më pozitivisht (94 për qind).
Ndonëse në një shkallë më të vogël se problemet procedurale, u vërejtën një numër parregullsish. Votuesit u kërcënuan në 15 raste (në pothuaj 2 për qind të vëzhgimeve) ose u ndikuan në zgjedhjen e tyre (4 për qind). Votimi nga persona të tjerë u vërejt në 5 për qind të QV-ve të vizituara dhe i njëjti person “ndihmonte” votues të ndryshëm në 3 për qind të QV-ve. Vëzhguesit verifikuan dy raste të manipulimit të votave.
Në 18 nga 72 QV-të e vëzhguara, procedurat mbyllëse nuk aplikoheshin gjithmonë plotësisht. Në 6 QV kishte tension ose trazirë, dhe mbyllja në disa KQV u vonua në mënyrë të panevojshme. Vëzhguesit e vlerësuan mbylljen si pozitive në 56 QV. Transporti i materialeve në VNV u vlerësua pozitiv për të gjitha QV-të e vëzhguara.
Në momentin e publikimit të këtij raporti, VNV-të e vëzhguara duket se po funksionojnë mirë dhe me transparencë, me përjashtim të disa rasteve. Megjithatë, numërimi po vazhdon me ngadalësi dhe, në disa raste, me ndërprerje të paparashikuara. Hera-herës numërimi është vlerësuar si i paorganizuar. Aktivitetet janë ndikuar nga tensione (25 VNV) edhe nga prania e personave të paautorizuar (30 VNV), edhe pse në përgjithësi ata nuk po ndërhyjnë në procesin e numërimit. Të kuptuarit e procedurave të numërimit vlerësohet si i dobët në 10 VNV.
Në kundërshtim me praktikën e mëparshme, në momentin e hartimit të kësaj deklarate, publikimi i rezultateve paraprake të zgjedhjeve nga KQZ-ja nuk u lëshua duke specifikuar QV-në dhe KZAZ-në, por ishte i kufizuar në numrin e përgjithshëm të votave nga kandidatët dhe subjektet politike.
Comments are closed.
pikerisht ketu fillon veshtirsia,tek numerimi……me vend deri diku dhe mendimi juaj,,,tani presim te dali sala dhe te thot;”ishin zgjedhjet me te mir dhe te ndershpe qe u vlersuan nga nderkombetaret,dhe qe i ploteuan te gjitha standartet…”
populli shqiptar =mishi,saliu=helli, OSBE =dora qe rrotullon hellin
Numerojini ato vota sa me shpejt se Tirana 700000 banore ka dhe nuk ka nevoje per vonesa.KQZ duhet te percaktonte orarain e numerimit dhe ate te clodhjes me kohe precize.Komisineret paguhen per punen qe bejne prandaj KQZ si punedhenesi duhet te kishte nenshkruar kontrate provizore me ta.Ngelem gjithmone problematike ne syte e botes qe na vezhgon.Reflektoni dreqi e mori se pavaresisht kush fiton nuk eshte fundi i botes
o mero jetojme ne skajin e poshtem te polit por me leximet dhe shkrimet tek gazeta tema na clollin dhe na i afron me afer tiranen tone te bukur besoj se se nje dite e bukur do te ndricoje neper shqiperi zoti qofte gjithmone mety o mero 1000000000 vjec shkofsh ju faleminderit per informacionet qe marrim nga ju
Pavaresisht bindjeve politike, te demtuar jemi te gjithe si shqiptare. Te ndryshojme mentalitet dhe sjellje.
Rruga e Europes eshte e veshtire dhe behet akoma me e veshtire me keto mend qe kemi.