Kush do të jetë vendimi për Bashkinë e Tiranës

30 Maj 2011, 13:30Politika TEMA

Nga Artan Mullaj

Është e qartë që pushteti ka zbatuar një strategji  të shëmtuar gjatë tranzicionit. Vit pas viti, kjo strategji  ka synuar të shkatërrojë normalitetin. Një vend normal nuk mund të sundohet lehtë:  Ky është një perceptim i njohur për  sundimtarët, sipas të cilëve mënyra më e mirë për të vrarë shpresën, është vrasja e drejtësisë, që do të thotë, pesimizwm kolektiv e rrjedhimisht, c’normalizim. Prandaj banditët pushtetarë  të tranzicionit  kanë sulmuar  pikërisht drejtësinë, kalimthi  edhe moralin, dhe në fund edhe vlerat, për të  qenë në pushtet sa më gjatë.

Po të kthejmë kokën pas, konfliktet më të qarta në horizontin e së shkuarës janë ato midis pushtetit dhe institucioneve të drejtësisë, dhe kjo gjë nuk është një rastësi. Edhe më hutaqët dhe harraqët e këtij vendi e dinë këtë gjë:  makthi më i madh i mazhorancës së Berishës nuk ka qenë aq ardhja në pushtet sa ka qenë mbajtja nën kontroll e organeve të drejtësisë. Në do të sundosh një popull sa më gjatë, vraji shpresën duke i vrarë drejtësinë. Sepse vetëm një vend në të cilin nuk funksionon drejtësia, sundimi është i kollajtë. .. Prandaj lufta e pandalur kundër prokurorëve rebelë, kur këta  kanë dalë rishtazi nga kontrolli i mazhorancës, ka qenë motoja e përhershme e pushtetit të kryeministrit Sali.

Kriza politike në Shqipëri sot po prodhon një ndjeshmëri të pazakontë, për shkak se kjo është transformuar në një krizë besimi. Frymëmarrja e kombit është ndalur në vendimin e ardhshëm të Kolegjit Zgjedhor. Kush do të jetë vendimi për Bashkinë e Tiranës në gjykimin e tij? Ka një ngarkesë ngazëllimi publik vendimi final i këtij  Kolegji që historia sot e ka vënë në provë integrale të provojë drejtësinë në këtë vend.  Kjo është një kurth iluzioni, me përshpirtje besimi: A do të shkojnë gjërat në vendin e duhur dhe a do të triumfojë normaliteti? A do të votohet një herë të vetme drejtësia, apo sundimi,  dhe a do të ketë më në fund një hapësirë të re për një besim të ri ndaj organeve të saj në këtë vend?

Edhe për shkak të kësaj, situata paszgjedhore i ka dhënë Kolegjit  Zgjedhor  një autoritet të pazakontë:? Shumëkush i ka lejuar hapësirë përfytyrimeve të ndaluara: Ç’po ndodh me shpirtrat e gjykatësve që mbajnë në dorë vulat e rënda të gjykimit, shpresës dhe ardhmërisë?

Vështirë të fantazosh të kundërtën e faktit që ndërgjegjet e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor sot janë të trazuara. Engjëj të shqetësuar patjetër që vijnë rrotull tyre e flatrojnë nervozë këto ditë, në familjet e tyre, në dhomat e gjumit, në ambientet ku rrinë, pinë kafe dhe bisedojnë kushedi çfarë. Perëndim i zi, atje tej, me re të zeza horizonti matanë, ju ka pushtuar me siguri peizazhet e brendshme … Ç’mallkim për historinë sikur në koshiencën e tyre mos ketë shpërthyer vullkani përvëlues i një përgjegjësie të madhe! Mesazhi i qartë gjëmon për të gjithë, dhe vjen nga qielli edhe për veshët e tyre: Këta gjyqtarë, të cilët e kanë ose jo në kontroll ndjeshmërinë apo autoritetin e tyre, ftohen  të jenë shenjtorët e parë të lirisë, nëse do mund dhe do duan të vendosin drejtësinë, ose do të jenë si të tjerët, paraardhësit e tranzicionit, djajtë e një epoke të vjetër, mbyllur përgjithmonë në shishet e pushtetit. Natyrshëm, pyetja vjen për furinë e presionit që politika i bën Kolegjit Zgjedhor:  A ka arsye të mjaftueshme që njerëzit të mendojnë se “rasot e zeza të fatit njerëzor”, që quhen gjykatës të këtij Kolegji, sido që të gjykojnë, do të kenë lartësinë profesionale që kërkon situata , për të dalë mbi kërcënimet, presionin dhe mbi frikën civile që gjeneron sundimi, pushteti, për të vulosur drejtësi të shëndetshme? Pyetje e vështirë. Bazuar në inercinë që ka patur dhe ka babëzia e mazhorancës për të qeverisur, përgjigja është jo. Edhe murgjërit e manastireve të malit të Shenjtë e dinë që pasioni i pamposhtur i kryeministrit shqiptar për të qenë në pushtet dhe për të kontrolluar çdo nyje pushteti, nuk është thjesht një dëshirë, është babëzi. Është dashuri me lëngje dhe orgazëm! Përballë këtij shkulmi, asnjëherë drejtësia deri më sot nuk ka fituar qoftë edhe një betejë të vetme. Përse duhet të ndodhë tani? Por, mund të ndodhë, kushedi. Bazuar në supozimin se këtë herë, mbase nuk do të kemi  thjesht një gjykim, por një sfidë, madje nuk do të kemi thjesht një sfidë, por  një epokë  drejtësie dhe ndershmërie për  shqiptarët, përgjigja le hapësirë për të besuar tjetër gjë.

Lajmi i mirë është se drejtësia e shqiptarëve, këtë herë, me sa duket, nuk do të jetë vetëm çështje e brendshme e tyre. Edhe pse të manipuluara mjeshtërisht nga kreu i qeverisë deri tani, opinionet e të huajve duket se kanë ndryshuar. Pasi kanë bërë paqe me dilemat e tyre, arbitrat ndërkombëtarë e kanë lënë pas paqartësinë, me një sjellje të qartë: Nuk mund të paragjykosh shijen e ardhshme të kulaçit, pa futur më parë duart  në brumin e tij. Nuk mund të njohësh mirë shqiptarët në pushtet dhe në opozitë, pa hedhur vetë vallen e tyre. Kjo ka ndodhur: Duke futur duart në brumin e fatit tonë, të huajt zëre se po trokasin në pragjet e përditshmërisë sonë, për të kuptuar se sa i pazakontë është tradicionaliteti ynë për ata. Si partnerë, si arbitra, ata kanë hequr dorë nga zakoni planetar i tyre, për të na dhënë nga larg mësime morali dhe demokracie. Për shkak të antikitetit dhe primitivitetit që kanë kuptuar në natyrën tone, ata kanë zgjedhur të jenë konstruktivë dhe instruktivë me ne, brenda nesh, sepse, sigurisht që tani e dinë që ne përbëjmë një rast unikal për ata. Dhe përfundimi është i qartë: C’surprizë deri në histeri përfaqësoka kokëulja jonë gjenetike ndaj shtypjes dhe mungesës së drejtësisë! Deri dje, po këta që ishin sinonime të paqartësisë, që na këshillonin prej tribunave respektimin e ligjeve, kushtetutës dhe institucioneve të vendit dhe drejtësisë,  sot janë të shokuar tek shohin nga afër se jo vetëm pushteti por edhe drejtësia është pronë e duarve  të padrejta dhe si e tillë, rrezikon të mos ekzistojë.  Pasi vëzhguan me sytë e tyre dhe numëruan me gishtat e tyre një rezultat, në mes të shqiptarëve dhe në mes të habisë së tyre, ata u gdhinë dhe vetë të habitur nga një  rezultat i ndryshuar me shkop magjik nga Komisioni Ristanor i Zgjedhjeve.

Jo vetëm ata. Duket se ka një reagim cilësor ndaj ndryshimit të turpshëm që Komisioni Zgjedhor i bëri rezultatit delikat në Tiranë. Njerëzit e emancipuar, intelektualë dhe personazhe të shoqërisë civile, janë përfshirë në një valë proteste të heshtur ndaj shkeljes bajraktare të rregullave, sepse e kanë të vështirë të pranojnë fyerjen që vjen prej logjikës: “Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë”, të përdorur në një film për fëmijë të realizmit socialist. “Komisioni është i imi, rregullat i ndryshoj si të dua, zgjedhjet i fitoj vetë, kur të dua!”

Por edhe pala tjetër, që përfiton nga këto shkelje e ndryshime, është hedhur në barrikadën e kundërshtisë së kotë, me një pasion kokëfortë. Ditët e fundit, një numër jo i vogël gërmashkruesish shkuan madje shumë larg,  me sulme mediokre kundër gjigandit të letrave shqipe, Kadare, i cili  hodhi dritë mbi ndershmërinë e munguar: “Shpërdorimi i demokracisë në emër të kualitetit të saj, përbën shpërdorim dinjiteti dhe poshtërim  për të gjithë”. Gjallesat e analizave proqeveritare atëherë u hodhën në korr, në shtypin qeveritar: “Le të jetë kush të dojë Ismail Kadare! Gjigandët e vërtetë jemi ne, talentet e mëdhenj jemi ne, këlyshët krenarë të pushtetit që na mban dhe e mbajmë me çdo kusht!”

Prandaj ka një elektrizim në Shqipëri dhe sytë e kombit janë drejtuar mbi Kolegjin Zgjedhor.  Si kurrë ndonjëherë, drejtësia ka një pritshmëri therëse për të gjithë. Moralitet, pikë së pari, do të thotë, normalitet. Do të shkëlqejë një herë të vetme dielli i kaltër i moralitetit, dhe a do të hyjë vendi në normalitet, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, apo ky vendim do të sjellë daljen e një dhëmbi të ri në gojën e egër të sundimit të vjetër të Saliut, që shpresa për drejtësi   të humbë përgjithmonë.?  Këtë do ta shohim!

11 komente në “Kush do të jetë vendimi për Bashkinë e Tiranës”

  1. nicolla disha says:

    Jane 3 vendime. Ose te perseriten zgjedhjet? Ose te shpallin fitues Ramen? Ose te shpallin fitues Bashen qe nuk e meriton?

  2. karaduzi says:

    Po te kemi parasysh edhe vende te stabilizuara dhe me tradite demokratike perseri drejtesia nuk
    ka funksionuar ne menyre perfekte ne denimin e korrupsiont shteteror.Do te ishte nje mrekulli qe ne rastin tone te ndodhte ndryshe kur nuk duket ne horizont nje Dipjetro shqiptar.Vetem uragani popullor
    mund te rivendos normalitetin precedent qe dote frenonte ne te ardhemen abuzimin me pushtetin.

  3. marko says:

    Hija e sales uroj te mos ndikoje ne kolegj gje te cilen as nuk mund ta fantazoj.Sala e ka hedhur tani helmin.Pret i qet e me bindje shpalljen e fitores.Mos harroni fjalet e Namik Hotit…sala nuk zbret nga kali kollaj pavarsisht se kali ka ngordhur me kohe.Vendimi pro te vertetes do jete fillimi nje epoke te re per shqiperine e shqipetaret dhe fundi per plehrat e shqiperise ,i sales e bythlepirsave te tij

  4. asti says:

    NJE KORRIGJIM PER TITULLIN :
    FJALA KUSH PERDORET PER FRYMORE DHE CILI PER JO FRYMORE
    ME RRESPEKT,ASTI

  5. Epirioti says:

    Nuk ka per te pasur asnjehere nje vendim per Tiranen nga Kolegji Zgjedhor, per vet arsyen e mosekzistences se objektit te shqyrtimit, gje qe i takon ne fakt prokurorise per shkelje te ligjit nga Ristani. Ne castin qe Sala e futi perdhunshem ne kete rruge kete proces, di ai tani shume mire sesi ta rrotulloje, dhe per kete merite te vecante i ka dhene Rama dhe PS-ja me ndryshimin e kushtetutes me 28 prill 2008 dhe me kodin zgjedhor qe realisht Sala ia la Rames ta bente si te donte dhe ai thjesht do ta votonte me PD-ne dhe ne fakt ashtu u be. Rama e beri kodin sic deshi Kastriot Islami me shoke, dhe i tundur nga ardhja e shpejte ne pushtet si kryeminister vendosi te merrte cdo atritut te fuqive qe tashme i ka Berisha me tabakan e servirur nga Rama. Keto jane realitete te hidhura qe na bejne ta kthejme koken te fajtor Salibani por edhe nga Rama. Vertet nuk eshte koha te ngacmojme Ramen se eshte salibani qe duhet qeruar i pari, por kjo nuk do te thote se duhet te pranojme Ramen pa kushte fare, te deklaroj nje autokritike para popullit te majte dhe asnjanes per mekatet e bashkepunimit me Salibanin, dhe te premtoj rishikim te drejte Kushtetutes sic e ka nje vend perendimor, por jo me hile, duke marre nje ligj nga Spanja, nje nga Lituania e nje nga Kili.

  6. LAJMI I FUNDIT nga priam says:

    saliu e provoi ta rrembej bashkine me dhune antiligjore,por qe dy ditet e para te ‘numerimit’ te famshem te kqz-s ne menyre ristanore,saliu e mori vesh se nje gje e tille nuk do lejohej nga te huajt,jo kesaj rradhe.por saliu vendosi te vazhdoj ate qe nisi,por jo per te marr bashine,por per te marr garancine se rama nuk do e pengoje te qeverisi per dy vitet e mbetura te mandatit te vjedhur te ketij pushteti,(jo se rama kishte ndermend ta conte vendin drejt zgjedhjeve te parakohshme,perkundrazi).por saliu,sic njihet boll mire,nuk mjaftohet me thjesht llafe,por do prova konkrete.pikerisht me kete u servir nga kqz dhe te huajt te cilet e lane nje manipulim kaq transparent te ndodhte para syve te tyre.
    vendimi i kolegjit do jete i tille: vendimi i kqz i pavlefshem,rama fituesi legjitim i tiranes.
    kjo con ne nje skenar ku rama del fituesi de jure,por luli na del fituesi ‘de facto’ i tyre.nje leter AS kjo ne doren e saliut,leter te cilen ai di ta perdori shume me mire se kundershtari.
    ndryshe nga sa mendojne disa te tjere,kjo nuk behet thjesht per te zbehur fitoren e rames dhe te opozites,por tani behet vetem e vetem per garantuar se rama nuk do ‘kete me goje’ te kerkoj zgjedhje te reja,pasi 1)pozita ka dale 70000 vota para, dhe 2)zgjedhjet e 2009-es nuk mund te quhen me te vjedhura pasi te njejten gje i bie qe ka bere rama tani me tiranen ku ne fakt fitoi luli,por rama e merr ne tavoline per arsye proceduriale!
    ky eshte ne fakt qellimi per te cilin luftoi saliu,dhe te cilin e ka arritur qe me marrjen e vendimit te kqz.e gjithe pjesa tjeter e betejes mediatike qe po zhvillon ky palaco kryeminister,eshte thjesht per te garantuar paprekshmerin e nje kamikazi te ndyre si ristani,duke siguruar mbeshtetjen e forte te opnionit publik ne menyre qe te pengoje cdo kerkese te mundshme nga te huajt per ndeshkimin e ristanit.KJO ESHTE HUMBJA E VERTET E DEMOKRACISE!
    te dikutohet fitorja e rames do te thote te diskutosh nese ne demokraci duhet te kete kushtetute.pikerisht kete po ben saliu tani,po fokuson gjithe opinionin,perfshire dhe humbamenot e ps,te nje diskutim absurd se kush eshte fituesi,nderkohe qe diskutimi real duhet te ishte se cili do te ishte ndeshkimi per ristanin dhe rrjedhimisht te gjith ata qe guxojne te manipulojne ne menyre aq te hapur voten!
    paprekshmeria e ristanit,do te thote se pavarsisht vendimit te drejte te kolegjit,demokracia ka marr fund pasi vete institucionet kane rrene!aty ku pasi vriten njerez,ka ngushellime por vrasesit bejne xhiro neper qytet,aty ku pasi eshte vjedhur,njerezit gezohen se thjesht i kthehet malli i vjedhur packa se hajdutet nuk ndeshkohen,madje dhe mund te lavderohen,me vjen keq te dashur shqiptar,por nuk mund te thote askush se aty ka demokraci!ky lloj vendi absurd mund te quhet gjithcka por JO NJE VEND DEMOKRATIK!

  7. Mergim Tari says:

    Shkrimi i z Artan Mullai eshte i sakte. Por kundershtoj shpresen e tij se Kolegji mund te marre vendim te drejte. Eshte i njejti Kolegj i vitit 2009, jane te njejtet njerez. Ne skene eshte i njejti MASKARA qe ka bere te njejten presion dhe shantgazh ndaj GJYKATES SE LARTE ne kohen e ZEF BROZIT kur gjykohej Fatos Nano. Nese nuk ju kujtohet shikoni shkrimin e fundit te Zef Brozit kur flet per kete ceshtje.

    Ne radhe te dyte flitet per te huajt. Edhe nese Komisioni dhe Kolegji thone “JO FLUTUROI GOMARI POR E PASHE VETE” cfare do te bejne te huajt. Per mendimin tim te huajt mund te thone (jo per hi rte se vertetes por per te mos turperuar inteligjencen e tyre nga nje i denuar ordiner si Ristani) qe Komisioni dhe Kolegji e kane gabim se gomarin po e vezhgonim edhe ne dhe ai ishte ne zyre jepte urdhera dhe nuk fluturoi gjekundi. Ne fund do te thone qe ne zgjedhjet e tjera mos Komisioni dhe Kolegji te jene me te pavarur ne vendimet e tyre. Megjithate, opozita duhet te kthehet ne parlament te mos dale ne rruge te jete e urte se vetem keshtu punon demokracia (duke harruar se pika kryesore e demokraciese jane zgjedhjet e lira dhe jot e vjedhura).

    Dua qe dikush sinqerisht te me sqaroje se cfare mund te bejne te huajt, pasi une kam patur shprese vetem atje dhe tek kryengritja popullore. Ne te kundert cfare rrugezgjidhje ka qe Shqiperia te jete normale pra a ja vlen te kete me zgejdhje ne Shqiperi….
    Mergim Tari

  8. 21Janari says:

    Unë mendoj se largimi i Berishës është futur tashmë në rrugë pa kthim. Vendimi i Kolegjit vetëm se mund ta shpejtojë ose ngadalsojë atë.
    10 votat e arta të Ramës i kthjelluan të gjithë, veçanërisht ndërkombëtarët, se me Berishën në qeveri nuk mund të ketë më zgjedhje në Shqipëri.

  9. Ndoc Sukaj says:

    Me Sali Berishen kryeminister eshte veshtire te ,,vesh bast,,se gjerat do te ecin ne rrugen e duhur pasi ky model njeriu eshte shum i pa parashikueshem pasi ,,taktikat,, e tije nryshojne nga sekonda ne sekonde per te mos thene me shpejt.Nje nga variantet etij ,,taktikore,, mund te jete qe ai e di mire qe ne kete,, Beteje Pluhuri,,nuk del aspak i fituar por e perdore per shum arsye te tjera dhe me ne fund pasi i ka perdhosur te gjitha institucionet e shtetit te dale perpara publikut dhe te deklaroje: se ne megjithese fituam Bashkine e Tiranes njohem vendimin e kolegjit zgjedhor dhe e respektuam ate per hir te stabilitetit te vendit dhe te ardhmes europiane te Shqiperise,dhe pas kesaje furtune nese opozita ,,lajthite,, dhe kerkon zgjellje te parakohshme tu thuhet se ju jeni te cmendur dhe prandaj beni kerkesa absurde,,rrini urte se boll ju kemi toleruar,,.Kjo mund te kete dhe nje strategji pak me afatgjate per te shpikur ndonje metode te re manipulimi te pa kapshme nga radaret e vezhguesve kombetare dhe nderkombetare me shpresen se do te dale perseri,,fitues,, ne zgjedhjet e ardheshme politike.

  10. rezi says:

    jam shume dakort me epiriotin……………..

  11. lala says:

    le te marrin shembull tek gjykatat kosovare te cilat dhe pse jane te 1 shteti te ri japin drejtesi dhe shkarkoi presidentin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje