SI TA VRAS VËLLAIN?

22 Qershor 2011, 18:31Politika TEMA

LETËRKËMBIM mes Timo Merkurit dhe Daniel Gàzullit

 

 

 

SI TA VRAS VËLLAIN?

-Një letër mikut tim Daniel Gazulli në Lezhë

Nga Timo Merkuri

 

I nderuar mik!

Po të qaj hallin si miku mikut, si burri burrit (jo si vëllai vëllait) e po të them se kurrë më ngushtë se sot nuk kam qenë.

Zoti dëshmitar, vetëm ndihma jote me shpëton.

S’po të kërkoj pare, se s’kam hall për to. S’po të kërkoj mall e gjë, se e di që edhe ti s’ke për vete, por edhe mua s’ma zgjidhin hallin.

Veç një fjalë po të kërkoj, nga ato fjalë që vlejnë më shumë se floriri. Një këshillë more mik, nga ajo urtia shekullore e popullit tim, që ti e ke qëmtuar nëpër shekuj dhe e ke grumbulluar nëpër fletë letre dhe e mba aty në Lezhë. Nga ato qindra e mijra fletë që ke grumbulluar, të lutem, shkëpute një për mua e ma dërgo një këshillë a së paku një fjalë. Edhe një fjalë e vetme bën punë more mik, se edhe dielli një është, por e mbushi tokën me jetë.

Po që të mos ma dërgosh fjalën tjetër për tjetër, po të kallzoj hallin që kam, e mandej, te ai thesari i madh që ke grumbulluar dhe po e mban te shtëpia jote e se din kush, zgjidhe atë fjalën a këshillën e duhur e ma dërgo. Dhe po s’ta shpërbleva dot ndonjëherë, bëne të mirën e hidhe në det, po sta diti i zoti, ta din zoti vetë.

Kështu e thoni ju andej nga Lezha këtë fjalë të mënçme, apo jo?

Halli që kam unë, mos e pastë kush tjetër në këtë botë e po ta kallzoj si e qysh.

Ka ca mote e baba na la. Jo nga tjetër gjë, veç nga pleqëria. Kishte punuar gjithë jetën për të na rritur mua e tim vëlla. Një copë tokë qe gjithë pasuria e tij, me atë na rriti dhe atë na la trashëgim, bashkë me amanetin që të ruanim vëllazërinë e të mos e ndanim as tokën. Me lot në sy ju betuam se do ja mbanim amanetin e po me lot në sy shkuam tek toka arë unë e im vëlla, direkt pasi e përcollëm babën për te Zoti.

-Tokë e mirë dhe e bekuar- e mori fjalën im vëlla. Këtë vit do ta mbjellim me misër. Kanali po sjell ujë, misri po do rritet një bojë njeriu. Do hamë ne do hajë dhe bagëtia. Do bëjmë bukë koromane misri të ngrohtë e do e hamë me djathë. Si do zoti do jemi e do jemi. Pastë dheun të lehtë baba që na la këtë goxha pasuri.

-Dale more vëlla- ndërhyra unë- mos u nxito. Le ta pleqërojmë mirë punën. Unë them që ta mbjellim me grurë. Grurin po do e bëjmë miell, miellin po do e bëjmë petulla, petullat po do i ngjyejme në mjaltë. Po ka lezet kështu more vëlla, ka lezet të hashë petulla me mjaltë. Dhe babai do kënaqet kur të na shohë që nga lart ,nga parajsa…

Ç’ta zgjat o mik më tej! Valoi muhabeti; jo misër jo grurë, jo petulla e jo koromane kallamboqi, e siç kuptohet vetiu, pas muhabetit valoi dajaku. Rrëmbyem nga një hu gardhi dhe ja nisëm mbi njëri tjetrin; unë bam, ai babam.

Pasi u lodhëm me bamebumet, me hu në dorë u ngulëm në dy anët e parcelës, duke ju hakërruar njeri tjetrit me: -Po ta mbajti hajde dhe mbille arën me atë që thua ti pa të shikosh se çdo të punoj.

Tani ti do thuash pse të mos e mbillnim arën një vit me misër dhe një vit me grurë. Kështu edhe bëhej qarkullimi bujqësor edhe prodhimi rritej.

Mirë e ke ti more mik, po problemi është se ne shqiptarët nuk e kemi zakon t’i hapim rrugë njeri tjetrit. Se mos erdhi ndonjë …eskimez, p.sh, që të na thoshte që ta mbillnim tokën me… foka deti dhe ne s’i dhamë hakë.

Po t’i hap rrugë vëllait tim? Pse ore, më i ditur se unë është ai? Ai, i tilli dhe i këtilli.

Po për inat të atij, unë nuk e lë të mbillet toka me misër…

Se ne shqiptarët e kemi të madh inatin me vëllain. Me hasmin edhe pajtohemi, ndonjëherë edhe në mes të luftës, po me vëllanë s’ka pajtim, pa i nxjerrë themelet e shtëpisë.

Po se mos vetëm vëllai me vëllanë. Keq e mba inatin edhe motra me vëllanë. E ke vënë re zotrote, i thotë vëllai i merakosur motrës, që ka bërë një zgjedhje të gabuar, nisur vetëm nga bukuria e jashtme: -Moj motër, ai djalë që shoqërohesh nuk është për ty. Ti mund të zgjedhësh një tjetër më të mirë etj etj.

I përgjigjet motra flakë për flakë: -Ma ke zili të dashurin, prandaj flet kështu.

Nuk mbushet muaji dhe ja merr këngës: – Xhan o zjarr e shpirt o burrë, vëllai i madh më hëngërt mu.në. Vazhdimin e kësaj meseleje e dimë të tërë.

Nejse. Të kthehemi të unë dhe im vëlla, tek rrimë me hu në dorë në të dy anët e parcelës. Iku viti i parë dhe erdhi i dyti. Pasi e mendova mirë e mirë punën, me pamjen e një hovardai të madh, i drejtohem vëllait: -I dashur vëlla! Po të hap rrugë dhe këtë vit ara do mbillet me misër siç thoshje ti. Prishur mos qoftë.

Mirë i fola unë i varfëri, po ç’dreq i fryu në vesh tim vëllai që u hodh menjëherë përpjetë: – Jo, jo. Ara do mbillet me grurë siç doje ti. Unë jam më i madhi dhe unë po të hap rrugë. Mos e harro këtë.

Mua më hipën kacabunjtë. Sikur nuk e njihja se ç’plaçkë qe im vëlla që më hiqej tani si i mirë. Dhe kujt? Mua. Mua që jam i pikuar nga qielli. Mua që më ka “zografisur” vetë zoti me dorë, kaq i mire dhe i bukur jam.

-Dëgjo këtu-i them hazërxhevap tim vëllai, do mbillet me misër dhe pikë.

-Pikat i vë unë, se unë jam më i madhi.

Ç’të të them më tutje. Pikë ai e presje unë, shkoi dhe një vit me arën djerrë.

Po pas të dytit shkoi dhe i treti, i katërti e i pesti. Ferrat e mbira në arën tonë u mbushën me gjarpërinj që lemerisnin dynjanë.

Tek rrija me duart në kokë, duke parë këtë batërdi, s’di si më shkrepi mendimi më i zi që mund t’i shkrepë njeriut në kokë: -Do e vras vëllanë të shpëtoj njëherë e mirë nga kjo mesele.

Kur më shkrepi ky mendim, mu duk sikur lindi dielli dhe trembi natën e cila vrapoi prapa malit.

Kështu dhe unë vrapova te një miku im që shiste kobure, nga ato të ’97.

Vër paratë unë, njëzet kobure nxori ai mbi tavolinë.

-Përse e do, më tha.

-Dua të vras vëllanë- i thashë- se më ka nxirë jetën.

-Dale, dale- më tha miku, për të vrarë vëllanë duhet një kobure e madhe që e bën vrimën si grykë topi dhe e lë top në vend. Dhe duhen shumë fishekë.

-Atë nëmë – i thashë.

Pasi e bleva koburen, sa u bëra gati të iki, miku i kobureve më pyet:

-Po thikën e ke gjetur?

-Ç’thikë -i them- dhe ç’e dua?

-Po ti nuk e di që pasi vritet vëllai me kobure, duhet të theret dhe me thikë. Që të mos ngjallet lugat.

Unë bëra kryqin tre herë.

-Jo- i thashë-nuk e di. S’kam vrarë ndonjëherë vëlla.

-Si ore nuk e di? Pa e ditur si vritet do ta vrasësh ti vëllanë? Dëgjo këtu, dëgjo. Vëllai qëllohet më kobure në fillim, pastaj theret me thikë.

U pa puna, bleva dhe një thikë si ato të Rambos te filmi Rambo 3 dhe u nisa të vras vëllanë. Tek ecja rrugës i armatosur kësisoj, si ata komitët qëmoti, më del përpara një burrë i mënçur dhe i mirë që më pyet se për ku nxitoj kështu me armë sheshit.

-Do vras vëllanë- i them kapardisur-do e qëlloj me kobure në kokë pastaj do e ther me thikë.

-Ç’thua more djalë- më thotë plaku- Nuk vritet kështu vëllai. Dëgjomë këtu more djalë, se je i ri në këto punë. Punët bëhen me sira, me radhë. Në fillim vëllai theret me thikë. Domosdo që thika do t’i ngulet në zemër. Dhe gjer në mill, në dorezë, jo më pak. Pastaj do qëllohet me kobure në kokë. Pastaj do e pështysh në surrat dhe do e hedhësh në ndonjë palo gropë. Do e mbulosh më ç’të gjesh, gurrë e drurë e baltë e pleh. Sipër do i vësh një gur të madh, që të mos i lëvizë shpirti. Pastaj do e pështysh prapë e do ikësh pa kthyer kokën. Se po e ktheve kokën, të vjen nga mbrapa hija e tij.

Unë fillova të kruaj kokën. Qënka zanat më vete dhe të vrasësh vëllanë mendova.

Por plaku i ditur vazhdoi urtë e butë:

-Tani, more djalë, këtë punën e rëndë të të pështyrit mund ta bëjë edhe ndonjë tjetër. Por të qëlluarit më kobure dhe të therurit me thikë, domosdo që do e bësh ti vetë.

Iku plaku i urtë në rrugën e perëndisë (apo të shejtanit) dhe unë ngela vetëm me mendimet e trazuara si ferrat.

-Si ta vras vëllanë xhanëm, si ta vras? T’ja shkrep me kobure kokës në fillim apo ti ngul thikën në zemër? Se për ta pështyrë, kollaj kjo punë. Kam gjithë këta fqinjë që ma duan të mirën. Do e bëjnë kaq pako gjë për mua.

Ky është halli im more miku Daniel.

Ti që ke çfletuar male me libra, të shkruara nëpër shekuj e ke qëmtuar nëpër radhët e tyre, si në damarët e malit për të gjetur mineralin e floririt, më jep dhe mua një gramë nga ai flori i shumtë që ke gjetur.

Një gramë, vetëm një gramë. Një fjalë, vetëm një fjalë.

Si ta vras vëllain more mik?

 

 

SHIKO LISAT, MIKU IM.

Përgjegje Timo Mërkurit

 

Nga Daniel Gàzulli

 

Më ngjethe mishtë, miku im. Më rrëmove shekuj plagësh.

Më thua se kërkon një fjalë të urtë prej meje. Një fjalë që t’i vërë fre mendjes së ndërsyer me prroje vreri, që zbresin rrëmbyeshëm e bëjnë gjëmën. Po ku ta gjej urtësinë, miku im, unë që u rrita e u mplaka ja, në mes këtyre përrenjëve vreri, që sa herë kaluan rrënimtar edhe mbi mua? Ç’libri t’i kërkoj këshillë? Thua se kam mbledhë urtì nga ato të lashtat fare, kur nuk ishim të prishur me gjithçka. Po ja, një nga anët tona, që as plak nuk ishte kur i vrau vëllaj vëllanë, na pat lënë një porosi:

 

Ndalnju! Ku veni burra? …

Pash Zotin, lëshoni hutat!

Pse tepër gjak asht derdhë,

Pse tepër mbajtë kem’ futat:

Prej vajit na asht marrë zani …

Medet, o qiell, medet!

 

E harruam porosinë e tij pa u tharë boja në letër. Se ai porositë i linte me letër, ishte i kënduar. Gjergj Fishta e quanin, do t’ia keni dëgjuar zërin edhe ju andej, pa çka se herë bie mjegulla mbi të, herë del diell.

Liksht e paske hallin, miku im. Po ç’të të them. Të tregoj ç’rite do të duhej të ndiqje për të vrarë vëllanë po të ishe nga anët tona? Më mirë të mos i dijsh, se edhe ti je pak i kënduar, e të kënduarve u dridhet dora më lehtë.

Unë po përpiqem të të nxjerr nga sikleti simbas mendjes sime, sepse në urtësitë e të parëve tanë, që jam përpjekë t’i qëmtoj si bleta nektarin, nuk gjejmë derman. Nga ta merrnin me mend ata të gjorët se do të kërkonim edhe mbas kaq shekujsh koburet e tyre për të vrarë vëllanë, pa do të na kishin lënë pa kobure. Mendonin se do t’i përdornim vetëm për të huaj, ndaj na i lanë koburet. Bile na i veshen edhe me serm. Po edhe kobure të mos kishim, ti më thua se do të kishim thikat. Nuk ke nga i ikën tundimit për të vrarë vëllanë. Po ty, e shoh, të dridhet dora, ndaj më shkrove letër.

Do ta kesh kënduar atë rrëfimin tim “Shëmtimi i Blinishtit”, ku dy familje, Sallakë e Zhubë, vriten e priten gati deri në shuarje. Desh Zoti e dikur i thirren mendjes e për t’u pajtuar një herë e mirë, lidhen krushqi, ndrruan vajza, e tani rrjedh në detejt e tyre gjak edhe nga ai i hasmit të dikurshëm.

Po ti nuk lidh dot krushqi me vëllanë që të paqëtoni gjakrat, mos e thëntë Zoti.

Merr mundimin, miku im, e ngjitu edhe një herë në Pilur. E di që rruga është e theptë, e lodhëshme; kam qenë në ato vise kur isha i ri. Nuk kisha ardhë të kërkoja thesare, edhe pse ka, si nuk ka thesare atje. Po të vijë e të rrëmojë kush, do të gjejë thesare të paçmuara. Kam kënduar diçka edhe për thesaret që ke gjetë ti, po më thonë se nuk të ka zili njeri për këte.

Po ti ngjitu deri në Pilur. Jo për të parë nëse vijnë “dëname hasmi” nga deti, jo. Ajo kohë ka perënduar. Ngjitu të shohish se si lisat e vetmuar, rrahur nga furtunat e kohëve, janë hepuar e pak gjë do të duhej të binin ashtu rëndë mbi dhè. Shiko edhe ato lisat e lashtë, pranë e pranë njëri tjetrit, që rrinë hijerëndë drejt për nga qielli. Ç’mund t’i bëjnë furtunat pyllit me lisa ?! Në t’u mbushtë mendja të rrishë edhe ti në mes atyre lisave sup më sup, mbushja mendjen të vijë edhe vëllaj një ditë e t’i shohë.

Pa puna e arës, grurë apo misër, pastaj do të zgjidhet më lehtë.

Miku yt

Daniel Gàzulli

 

 

13 komente në “SI TA VRAS VËLLAIN?”

  1. Epirioti says:

    Nje fabule epike, hijerende dhe me barre mbi shpine!
    Ç’a t’u them me teper. Shume shpesh ndjehem krenar per ate pjese se historise kur shqipet fluturonin dhe vallezonin mbi kokat e armiqeve, por edhe ca here ndihem i turperuar kur degjoj gjema makbethiane brenda familjes, vrasje te gjitha me pendese nga prapa, vellai vllane, kushuririn, femija babane dhe e kunderta e madje edhe nena ndonjehere po ndjek shembujt qe e rrethojne.
    E sikur te mos mjaftojne keto mallkime qe na vijne nga shekujt, tanime kemi shpikur edhe te reja, vetvrasjet e frikshme dhe me idera te cuditshme, helmimi me droge, skllaverimi me lypje dhe prostitucion, vrasjet me pagese, vrasjen me uri, vrasjen nga “bujtesi” grek e serb.
    Vertet qe kemi goxha paqartesi sociale ne mendjet tona, por edhe duhet te jemi te kujdesshem, pasi shkjau rreth e rrotull nesh e ka kuptuar dhe i meshon me cdo lloj ndihme dhe propogande teorise se:
    “Nuk ka force ne bote qe te shkaterroje shqiptaret, pervec njeres, ti vesh shqiptaret te luftojne shqiptaret”
    Ndaj o njerez, kujdes kur mendime te zeza pllakosin mendjen tuaj, ato jane deshirat e shkjaut e hajnise se politikes qe padashje i kemi degjuar te thena kinse per tu degjuar nga ne.
    Ky shkrim ishte sikur Çajupi te kishte shkruar nje tragjedi e jo komedi plot sarkazem.

  2. mira says:

    Do te keshilloja te vrisje saliun me mire, se te jesh i sigurt se mendimet e keqia per te vrare vellain nga ai i ke.

    1. fule says:

      Epo se kemi akoma ket dhunti, qe ta godasim problemin ne thelbin e vet.

  3. Bardhi Tolabi says:

    Nuk eshte perralle,as e sajuar.Kjo eshte fatkeqesia qe ka plakosur kete popull.Ndodhemi ne udhekryq,ndodhemi ne prag te asimilimit gradual dhe me mbeshtetje qeveritare,ndodhemi perpara degjenerimit mendor e shpirteror,perseri me ndihmen e pakursyer qeveritare.Eshte mire qe ky”leterkembim”te gjeje jehone ne cdo Medie te shkruar dhe elektronike,ne menyre qe sado pak,njerzit te gjejne rrugen e aresyes,te vllazerimit,te mbeshtetjes tek njeri tjetri dhe jo te luftes deri ne flijim me shoqi shoqin.Per mua,ky eshte nje leterkembim-pamflet,se si duhet te mos sillemi dhe si duhet te ringrihemi.

  4. ali kelmendi thote: says:

    o sali kanibali mjaft me me vellavrasje se do te varin tek sheshi si çausheski

  5. pellumb lamaj says:

    Nje popull dhe nje shoqeri ecen perpara nepermjete shembujve te mire dhe jo te keqinje….Nuk ka popull me bujar dhe nuk ka vella ne bote si vellai shqipetar sepse po e njohim edhe boten e qyteteruar se ketu po jetojme cdo dite…..Kemi shume halle dhe probleme dhe keto si pasoje te atyre qe na pushtuan dhe nuk na lane kurre te behemi bashke….Te medhenjte po e kuotojne nevojen historike te shqipetareve,BASHKIMIN KOMBETAR dhe ora e races ILIRE po troket….Le te anojme nga virtytet e kombit tone se po qe per vese ,bota ka me shume se ne…Nese doni t’i sherbeni Kombit ,pasqyroni shembujt frymezues dhe jo ata negative..vendosni dhe ju nje gure dhe thoni nje fjale te mire…….Nje gje eshte e sigurte,bashkimi i zemrave te shqipetareve po ndodh,dhe asnjeher tjeter ne histori Shqiperia nuk ka qene afer bshkimit kombetar dhe te mos harrojme se Shqiperine do t’a bejne vete shqipetaret……Pellumb Lamaj USA

  6. Frederik says:

    Bukur dhe kuptimplote per koherat qe kalojne shqiptaret e Shqiperise.

  7. bazarhesap says:

    Hajde te pastrohet ajo toke nga gjarprite dhe shkuret te ruhesh mos te cjerin shkuret apo te ruhesh mos te pickojne gjarperite me kollaj eshte ti vesh zjarin………

  8. Ligor Luarasi says:

    NA MUNGON HARMONIA,MIREKUPTIMI.
    ********************************************************************
    Seicili ka mendimin e tij per kete teme e cila duket e ngushte vellai me vellane,por s’eshte keshtu tema eshte e gjere perfshin edhe maredhenjet brenda familjes por dhe jashte saj, eshte fjala per maredhenie,harmoni o disarmoni midis gjithe shqiptareve te kudondodhur.Shqiptaret deri me sot,askush nuk i harmonizoj per te mos ja pasur njeritjetrit me hile.Edhe ne prizmin historik shqiptaret me shume kane qene te percare se te armonizuar.Ne te dy rastet ideja hidhja tja hedhim njeritjetrit ka qene eshte dhe rezik do jete.Gjithe jeta ime u shoqerua nga hilete,krahas miqesise,dashurise e cila ne raport me dredhite ka qene me e paket.Mendoj se keshtu ka qene dhe eshte edhe per shumicen e shqiptareve. Shkaqet jane disa,ka qe dihen nga te gjithe ka qe s’dihen nga te gjithe.Qe dihen jane:1- Asnjehere gjithe shqiptaret s’krijuan shtet per te gjithe.2-Fqinjet si me te bashkuar midis tyre,nuk duronin dot qe turqia jo fqinje, jo vetem qe na turqizoi por edhe desh ne perjetesi te na sundonte.Ndaj edhe fqinjet kur mundesoheshin kafshonin teritoret tona.3-Percarja me e madhe ngelet e turqise(Gege-Toske) pas saj vjen percarja nga fqinjet.4-Percarjen e thelloi komunizmi 45 vite,me helmin(Te klases dhe jo te klases,lufta e klasave). Mbi te gjitha percarja me e madhe ka qene ajo fetare,ne besim,ne fe.(Myslimane-te Krishtere).Me qe feja e pare tek ne u realizua ne kohen e sundimit Romak,ishte e pa shmangshme perhapja e Krishterimit tek shqiptaret.
    Popuj te cilet ruajten nje besim,edhe sot kane me shume armoni se sa popuj me dy ose disa besime,ky me duket fakt.
    Kisha rastin te shoh nje ceremoni fetare te konvertimit te nje personi ne besimin Izriajlit.Atje per disa ore kuptova ku e kane fuqine e unitetit Izrialjitet te cilet dihet sa kane vuajtur historikisht.Konkludova se libri TORA,(BIBLA e tyre) eshte super e shenjte,e pa ndryshushme me ligjet qe ka.Ketij libri s’ka Izriajlit qe s’i perulet,qe nga kryeqeveritari deri tek me i thjeshti.Ky liber ju garanton UNITETIN,HARMONINE. Shqiptaret e kudondodhur s’kane nje liber te tille,ose analog me te nje dicka tjeter qe ti bashkoje te gjithe ne UNITET-HARMONI-BEGATI.Ne se sot kemi nje Kushtetute, e dime te gjithe sa here e ndryshojne ate qeveritaret brenda nje viti.Pse? sepse nuk zbatojne ato qe vendosin vete ne Kushtetute.Libri TORA eshte i pa ndryshushem per te gjithe Izriajlitet.Sikunder Bibla per Kristianet, nuk flas per Kuranin se nuk e di.
    Ne shqiptaret jemi edhe si guri i pa gdhendur,i gdhenduri thote populli hyn kudo.Edukimi ose gdhendja behet me sakte nga edukata fetare.Ajo te fut ne gjak 10-te porosite e pa vdekshme per edukim qe ne moshe te njome.Nemini mua femijet deri 7 vjec,pastaj merini ju tha PAPA.Mos kuitojme qe ne ne bote ngelem unikale kur mohuam ZOTIN.Ndaj historikisht shqiptari eshte edukuar hyrja-byrja sipas cunameve te historise.Popujt qe historikisht jane edukuar p.sh.vetem me BIBLEN jane me armonike midis njeritjetrit ne krahasim me ne.Jam 70 vjet,edukata ime ka qene ne prizmin shteteror hyrja-byrja.Ne prizmin gjenetik,duke studiuar qe c’do njeri prej ADN-se se tij ndertohet ndryshe nga njeritjetri,edhe ky faktor ka vleren e tij, per disarmoni.Sepse edhe dy binjake s’jane njesoj.Dirigjenti i vertete e di sakte kulmin e suksesit te tij, kjo arihet permes HARMONISE. Nje urtesi e ZOTIT thote:Mjer ai qe me tradheton mua. Si perfundim mendoj se ne shqiptaret duhet te gdhendemi(edukohemi) shume me sakte,vazhdimisht,qe ne moshe te njome, me nje liber te ri ndoshta me titullin HARMONIA SHQIPTARE. Ky liber do pune serioze te gatitet,do kohe,do gjitheperfshirje te shqiptreve te kudondodhur, do fonde nga qeveria per ajken e Inteligjenteve,akademisteve,studiuseve me te mire te shqiptareve kudo qe jane,ky liber nuk do partijake qe mendojne vetem per partine e tyre,ky liber do traditat me te mira te shqiptareve me te shquar historikisht,ky liber nuk do politiken ta drejtoje. Ne krye te tij kerkon vetem te dominoje HARMONIA,MIQESIA,BEGATIA MIDIS TE GJITHE SHQIPTAREVE, jo te jete vetem per disa. E keqia jone eshte se deri tani s’kemi nje mjet,liber,Kushtetute,qeveritar,President,Kryeminister,o dicka tjeter qe te na garantoje ate qe na mungon HRMONINE,MIRKUPTIMIN,MQESINE PA HILERA midis te gjithe shqiptareve pa perjashtuar askend dhe kudo qe jeton. Bazuar ne lirine e fjales dhashe keto ide pa pretenduar se i kam te persosura pra relativisht mendoj si kam shkrojtur.Natyrisht tema apo jeta ime eshte me e gjere dhe nuk pretendoj se i shkrojta te gjitha.P.Sh. pse disa shqiptare ju larguan dheut te atit(Atdheut) o dheut te memes(Memedheut) dhe disa jo? edhe kjo teme lidhet me armoinine e renuar nga pa aftesite e qeverive ne fuqi.Pse disa shqiptare kane parajsen ne atdhe disa jo? do te thote qe tema eshte teper, teper e gjere.Dy vellezrit shkuan drejt thikes sepse ishin si dy guret e pa gdhendur. Njeriu i pa edukuar kuptohet ka shume hilera,dredhira,intriga,etj.mekate qe i manifestojme ne shqiptaret ne jeten e perditeshme sipas nivelit te edukates qe ka seicili nga ne. Ligor Luarasi SHBA. 22 qershor 2011.

    1. Realisti says:

      O Ligor Shqiperise i mungon qeveria persembari dhe kaq prandaj i varim shpresat tek edi rama ne te ardhmen per fe shqiptarit nuk i kris asnjeheer nuk jemi popull fetar qe te jemi shume i lidhur pas fese dhe mbase kemi ndarje fetare po kemi dhe shume hramoni ku myslimane martohen me te krishtere apo atesite me te krishtere apo myslimane etj ka harmoni fetare plot ketu dhe kete mund ta vesh po te jetosh ne shqiperi qe nuk bejne ndarje hic si ne kafene shkolla dhe ambinete te tjera pubilke ku has njerez te kulturave te ndryshme dhe tilla gjera ndodhin vetem neper forum si ky ku dalin ekstremistet se te tille ne jeten reale ne shqiperi nuk i has askund.

  9. Gjergj Fishta says:

    Mjerisht e vertete, tragjike dhe plage e shoqerise tone.

    Vellavrasja, virtyt i te dobetit, mendesise shterpe dhe rraces se keqe. Keshtu me ka mesuar gjyshi im, fiset me te lena mas dore ne Mirdite ishin keto. Edhe pse kete mikrob ne ate pjese shoqerie e ndezen Bajraket si pasoje e mos-begatise se tokes e mungeses se saj, atyre u interesonte kjo gje per me pas te vinin rendin. Eshte pak a shume si sistemi gjygjesor sot… ku çdo gje funksionon pikerisht sepse ka krime nga me te ndryshmet. Duket e paqarte ndofta per disa, por keshtu ka funksionuar, por ma zemna keq kur njeriu vritet me vllane per cope te tokes.

    Jo vetem me vellane por as me komshiun, ne ka nje gje qe urrej fort rracen time asht vella vrasja… tregon nje barbarizem te pashoq, jo sepse kjo justifikon faktin qe mund te vrasesh dike tjeter, por duke mos vrare vellane ka shume gjasa mos te vrasesh as shoqin tjeter. FAMILJET ME TE LODHURA E TE TURPSHME NE MIRDITA KANE QENE ATO FAMILJE QE BRENDA TYRE KANE PAS HASMERI. RRACE E KEQ THEMI NE ANEJ KA MIRDITA.

  10. Miku qe ju don te miren says:

    Shkrimi me i dobet qe kame lexue ndonjeher ne Tema: Jo ne kohen e vendin e duhur .Me e goditur gjithmone per mendimin time do te ishte favola e Gjergj Elez Alis se ne na ka zane Bailozi frymen.

  11. rexha10 says:

    PER mendimin tim eshte SHPREHJA kapitali mbi GJITHCKA .NE zemer mungon cdo lloje dashurije,per vellane ,nenen,motren,baben,te afermit komshite ,shkurte je kthyer me karakteret e kafshes,qe nuke done tjeter vetem PARANE,ne asnje mynyre per te ofenduar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje