Armata të vetëshpallura përmes internetit sërish janë bërë temë debati në mediat shqiptare.
Një organizatë e vetëquajtur FASHE (Forcat e Armatosura të Shqipërisë Etnike) që pohon se është pjesë e AKSH-së dje përmes një emaili dhe komandanti të saj ka dhënë ultimatume në adresë të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentes Atifete Jahjaga, që deri më 30 shtator të krijojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).
Komunikata është nënshkruar nga zëdhënësi i FASHE, dr. Sazan Toplica, i cili më tej shton se në rast të kundërt FASHE do të fillojë veprimet ushtarake në veriun e Kosovës.
Por, kundër kësaj komunikate, sot ka reaguar një organizatë tjetër FBKSH, e cila pohon se “komunikata e sipërpërmendur e ashtu quajturës (AKSH-SKSH në formë të kërcënimit i është drejtuar udhëheqësve të një pjese të Shqipërisë Etnike, se ata duhet të veprojnë sipas urdhrave të tyre, është një budallallëk i llojit të vet”.
Madje thuhet se “AKSH-ja nuk vepron në Zonën nr.02 – Kosova Historike si dhe në Zonen nr.01 – Shqipëria Londineze”.
Prandaj FBKSH-ja dhe strukturat e saja distancohen nga kjo komunikatë e FASHE-së”. Në çdo situatë tensionuese në Kosovë është në trend paraqitja e këtyre organizatave që paraqesin kërcënim për sigurinë. (INA)