Fier, vazhdon grabitja e skrapit nga Uzinat e Azotikut dhe Uresë

11 Tetor 2011, 19:03Politika TEMA
Fier, vazhdon grabitja e skrapit nga Uzinat e Azotikut dhe Uresë

Grabitja bëhet nga një kompani nënkontrakotore e KURUM-it për demolimin e objektit, e cila ka të ngarkuar për marrëdhëniet me autoritetet Leonard Kokën, vëllain e deputetit të LSI në Durrës, Lefter Koka.

Uzina e Azotikut dhe Uresë në Fier vazhdon të shkatërrohet nga një kompani nënkontraktore e kompanisë KURUM, e cila po merr prej uzinave hekurin dhe çelikun. Demolimi i objekteve prej metali dhe rrethimi me njerëz të armatosur i objekteve, nuk është ndalur dot as nga hetimet e prokurorisë dhe nga raportet e medies. Gazeta Shqip raporton sot se në portat ku dikur hynin dhe dilnin qindra punonjës qëndrojnë vetëm rojat, një në çdo prej tyre. Njëri syresh, teksa ha mëngjesin mbi tavolinën e vjetër prej druri, shpjegon qetë-qetë se hyrja në brendësi të territorit është e ndaluar. Ai shpjegon se tashmë aty kanë mbetur pak gjëra. “Inoksi dhe metalet e tjera me vlerë të madhe janë marrë prej kohësh. Tani kanë mbetur vetëm copa hekuri të ndryshkura. Kam punuar vetë dikur aty dhe e di mirë që vlera e metaleve të ndodhura në këtë uzinë, si dhe mjaft materiale të tjera ka qenë e pallogaritshme”, tregon roja i njërës prej portave që të çon në gërmadhat e godinave të dikurshme, që po mbulohen nga shkurret. Ndërsa e pyesim lidhur me “plaçkitjen” e fundit që po i bëhet kësaj godine, ai shprehet se pas publikimit në disa media të lajmit për pezullimin e tenderit, kamionët janë rralluar disi.

Ndonëse duket një kamion i vjetër dhe i mbingarkuar, ai ecën shumë shpejt, duke sfiduar edhe amortizimin e rrugës. Është ora 09:30 e ditës së hënë (10 tetor) dhe ai kamion pa targa del i qetë nga një prej portave të ish-Azotikut. Mjeti i rëndë shoqërohet nga një fuoristrada ngjyrë gri me targa të huaja. Të shqetësuar dhe me nxitim pesë personat që ndodhen në fuoristrada ndjekin kamionin dhe shikojnë të nervozuar nga të gjitha anët. Madje makina e tyre ndihmon kamionin të largohet me shpejtësi, duke bërë zhbllokimin e qarkullimit derisa ai humbet nga objektivi i aparatit. Duket se askush nuk mund ta ndalojë këtë “plaçkitje”, as pezullimi i tenderit dhe as hetimi i prokurorisë. Pasi gjithçka kryhet në mes të ditës dhe këtë herë objektivi është i paidentifikueshëm dhe shoqëruesit janë vigjilentë, nëse tenton t’i ndjekësh deri në destinacionin përfundimtar të tyre. Ndërkaq, askush prej përgjegjësve ende në detyrë nuk preferon të japë shpjegime apo të sqarojë rrethanat e daljes nga territori i ish-uzinës së kamionit me skrap. Ndërsa banorë të zonës shprehen se gjithçka vazhdon të jetë si më parë. Sipas tyre, kamionët që ngarkohen aty plot e përplot me mbetje metalike vazhdojnë të qarkullojnë ditën dhe natën. Një tjetër fakt që të bie në sy teksa kalon jashtë murit apo kangjellave rrethuese është numri i madh i personave që qarkullojnë aty. Ata nuk janë nëpër zyra apo nëpër sektorë duke punuar, qëndrojnë pranë portave, flasin në telefon dhe janë gjithnjë në lëvizje duke treguar me gjestet e tyre nervozizmin që ndoshta përjetojnë. Kjo ishte një paradite jashtë rrethimit të ish-uzinës së Azotikut. Çfarë ndodh brenda këtij rrethimi e tregojnë kamionët që vazhdojnë të mbartin skrapin e gjigandit që dikur quhej Azotik.

5 komente në “Fier, vazhdon grabitja e skrapit nga Uzinat e Azotikut dhe Uresë”

  1. Kalorsi i zi says:

    Po si more Patriote nuk ndertuat nje uzine per shqiptaret po i shkaterruat te gjitha. O pipul shqiptar do vdesim per te ngrene do i lutemi fqinjeve te na pranojne dhe do na vrasin si lepuj, nuk eshte armiku TF as fqinji por jane keta qeveritare oj moj shqiperi

    1. fule says:

      Po na integrojne ne EU Sali Gerdeci dhe Ilir Skrapi (ish-floriri)

    2. EDI DETROIT says:

      Qeveritaret si Saliu qe e shiti detin tek Gerqia,I perdhunuari TF,edhe ti K…I zi jeni antishqiptare.Por ndryshimi eshte se ti dhe Turguoa, jeni patru dhe te shitur lire per 300 evro,ndersa Saliu eshte I shitur per miliona.Pra armiqe jeni edhe ju,filogreke te ndyre,por jeni te pafuqishem per te bere dem,jeni kuaj te ngordhur.

  2. tekniku says:

    Te gjitha keto qe vidhen e shkaterrohen u ndertuan ne kohen e E.Hoxhes nga duart e puntorise.Me sa duket ne Shqiperi paska akoma ithtare te toerise zero ndonese predikuesi i saj shqiptar eshte ne fund te Adriatikut.Sa e pasur paska qene Shqiperia ,ka 20 vjet qe vidhet dhe shkaterrohet dhe s’ka te mbaruar

  3. lida says:

    deri yani kemi lexuar si u vodh gjithe ajo uzine nga kasta dhe pushtat e ketij pushteti. A e dini se kupola e Azotikut ishte e veshur me nje shtrese diamanti prej disa kilogramesh? Interesohuni me qe i keni mundesite dhe gjeni kush do te kete fatin t’i gezoje ato kg. diamamti. Kur eshte transportuar ne Itali per ne drejtim te portit ruhej me autokolone policie. Thone qe jane 15 kg. diamant.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje