Ish-trajneri i Sllovenisë, Matjazh Kek është në pole position për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Shqipërisë. Nëse tratativat e drejtpërdrejta mes tij dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka, do të kenë sukses, slloveni do të prezantohet si emri i ri i stolit kuqezi. Duka dhe Kek pritet të kenë një takim kokë-më-kokë sot, takim i cili do të vendosë përfundimisht nëse njeriu që dërgoi Slloveninë në botërorin Afrikë e Jugut 2010 do e marrë apo jo në dorë “çelësat” e përfaqësueses shqiptare. Burime të besueshme në Federatën Shqiptare të Futbollit, i thanë dje “Sport Ekspresit” se Matjazh Kek pëlqehet shumë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe stafi i tij i ngushtë. Numri 1 i institucionit ka marrë informacione të shumta në lidhje me sllovenin, nga ish-bashkëpunëtorë të tij shqiptarë dhe të huaj dhe këto impresione i kanë rritur ndjeshëm kuotat e sllovenit për t’u ulur në stolin që la bosh Josip Kuzhe, vetëm tri javë më parë. “Të gjithë personat që janë pyetur për Matjazh Kekun, për cilësitë e tij në stol apo jashtë stolit kanë dhënë përshtypjet më të mira. Kanë folur shkëlqyeshëm për të dhe kjo pritet të ndikojë në zgjedhjen e Dukës”, tha burimi.
Nëse takimi i sipërpërmendur do të ketë sukses, presidenti Duka, ashtu siē paralajmëroi dje do të prezantojë të hënën zyrtarisht Matjazh Kekun në krye të Shqipërisë. Fakti që Duka konfirmon që do ta mbyllë çështjen e trajnerit deri të hënën e ardhshme nënkupton se kontaktet mes palëve janë në një stad të avancuar tashmë.
Pas rënies së kandidaturës së Besnik Hasit, që ishte zgjedhja e parë e presidentit të FSHF-së, duket se slloveni është njeriu i ri për stolin e Shqipërisë. Dy ditë më parë, i kontaktuar përmes telefonit, vetë Matjazh Kek tha se nuk kishte bërë ende bisedime zyrtare. Ai e specifikoi qartë këtë duke lënë të nënkuptohej se bisedimet deri në këto momente ishin bërë nëpërmjet menaxherit të tij. Slloveni mendohet të ketë kërkuar shumë para fillimisht, por pretendimet e tij kanë rënë ndjeshëm. Trajnerit Matjazh Kek, i cili dy javë më parë la drejtimin e Sllovenisë i pëlqen sfida shqiptare, gjë që e vërteton edhe fakti që ka qenë vetë ai që ka kërkuar të nisin kontaktet. “Është e vërtetë, vetë Matjazh Kek ka hedhur hapin e parë. Ai është interesuar personalisht në lidhje me këtë mundësi”, tha i njëjti burim i gazetës.
Nëse zyrtarizohet ditën e hënë, Kek nuk do ta drejtojë megjithatë Shqipërinë në ndeshjen e parë miqësore që do të luhet të premten, në Tiranë kundër Azerbajxhanit. Këtë takim do e drejtojë ndihmësi i ish-trajnerit Kuzhe, Xhemal Mustedanagiç. Kek do e bënte debutimin e tij zyrtar në ndeshjen kundër Maqedonisë, të martën e ardhshme në Prilep.
MUND TE JET NJE ZGJIDHJE E SAKTE KA PERVOJE PER DERISA E KA CUAR SLLOVENINE NE BOTROR 2010 ESHTE NJE SHPRESE PER NE
KY DUKA ME TAPI E KA MARRE ATE VEND PUNE???
me duket se eshte kushri me berishen