Ekonomia shqiptare është ajo më e brishta mes 6 vendeve të rajonit, ku borxhi përbën më shumë se dyfishin e të ardhurave vjetore. Shenjat e kohëve të fundit të një rritjeje ekonomike më të dobët në Shqipëri dhe niveli i saj ri i borxhit relativisht të lartë nënkupton se edhe Shqipëria kësaj here mund të preket negativisht. Këto radhë nuk i takojnë opozitës shqiptare, është një raport i Bankës Botërore i 15 nëntorit 2011 që “nxin” retorikën rozë të qeverisë. Por konstatohet se gjatë diskutimit të ashpër parlamentar për buxhetin e shtetit, askush nuk citoi këtë raport, shkruan e përjavshmja “Investigim”.
“Shqetësimet në lidhje me ekonominë shqiptare rezultuan në një rënie të të ardhurave me 2.8 për qind në terma reale gjatë gjysmës së parë të vitit 2011. Tendenca të ngjashme vijuan të përshkonin ekonominë shqiptare edhe gjatë tremujorit të tretë, bashkë me një përmirësim të akcizave dhe kontributeve duke kompensuar një arkëtim relativisht të ulët të shumicës së taksave”, raporti i Bankës Botërore është tejet “cinik”. Vihet alarmi se aktualisht, sistemet bankare në 6 vendet e rajonit duken të qëndrueshme, me nivel të lartë likuiditeti dhe rezerva të larta kapitali, por kjo mund të ndryshojë papritur, sidomos për disa banka specifike. Rajoni karakterizohet nga një përqindje relativisht e lartë të bankave me pronësi greke dhe italiane dhe se diaspora shqiptare është e përqendruar në Greqi dhe në Itali dhe ky është praktikisht edhe krahu i punës që është prekur më negativisht.
NËSE KRIZA DO TË PËRKEQËSOHET
Ndërkohë që një ngadalësim global dhe një trazirë e kohëve të fundit në Eurozonë (EZ) kanë lëkundur ekonomitë e gjashtë vendeve në Evropën Juglindore (SEE6), integrimi i tyre më i thellë me Bashkimin Evropian (BE) mbetet perspektiva më e mirë afatgjatë për rritjen e tyre, sipas dokumentit të ri të Bankës Botërore “Raporti i Rregullt Ekonomik mbi Evropën Juglindore” (SEE RER), i nxjerrë më 15 nëntor 2011. Ky është i pari i një serie raportesh të rregullt që do të dalin çdo gjashtë muaj. “Parashikimet tona për rritjen ekonomike në këtë rajon janë prej 2.5 për qind në vitin 2011 dhe 2.1 për qind në 2012,” thotë Ron Hud (Hood), Kryeekonomist në Sektorin e Bankës Botërore për Uljen e Varfërisë dhe Menaxhimin Ekonomik dhe autor kryesor i raportit. “Megjithatë, edhe këto parashikime rritjeje modeste supozojnë që kriza e Eurozonës të zgjidhet në mënyrë të rregullt. Nëse kriza do të përkeqësohet, rritja ekonomike në këto vende mund të jetë shumë më e keqe.”
PASIGURITË E ZGJATURA
Efektet e një ngadalësimi të mëtejshëm global dhe pasiguritë e zgjatura rreth krizës së EZ do të ndikojnë ekonomitë e SEE6 nëpërmjet tregtisë, investimeve të huaja të drejtpërdrejta (FDI), bankave të huaja dhe remitancave, sipas “Raportit të Rregullt Ekonomik mbi Evropën Juglindore”. Të gjithë këta kanale do të prekeshin nga tensione më të thella ekonomike dhe financiare në BE dhe EZ. Përtej tregtisë, investitorët e BE janë gjithashtu ofruesit më të mëdhenj të FDI në rajon, me hyrje neto me vlerë mbi 2 për qind të PPB-së sëë EJL. Gjithashtu, vendet e EZ paraqesin një burim të rëndësishëm të remitancave për të gjithë vendet e SEE6, veçanërisht për Kosovën, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe Serbinë.
PËRQINDJE E LARTË BANKASH GREKE DHE ITALIANE
Prania e bankave të huaja krijon një kanal tjetër të ndikimit të mundshëm. Pjesa e bankave të huaja në asetet totale të sistemit bankar të rajonit është rreth 89 për qind.“Ndërkohë që sistemet bankare në përgjithësi në vendet e SEE6 duken të jenë rezistente, me likuiditet të lartë dhe amortizatorë të rëndësishëm kapitalë, rreziqet ekzistuese të kredisë dhe financimit po zmadhohen në rajon, të shtyra kryesisht nga zhvillimet negative në BE, barra e kredive me probleme nga bankat në shumë vende të SEE6 dhe rritja ekonomike në ngadalësim,” paralajmëron Hud-i. “Pothuajse të gjithë bankat e huaja në SEE6 janë nga vende të BE, me një për qindje krahasueshmërisht të lartë të bankave me pronësi greke dhe italiane. Stresi i mëtejshëm mbi bankat e tyre përkatëse mëmë mund të krijonte një tkurrje tjetër të kredisë në rajon”. Hudi thekson që, “Financimi ka të ngjarë të jetë një kufizim në ecjen përpara. Borxhi i jashtëm është rritur dhe një rënie në rritjen ekonomike në SEE6 mund të shkurtojë të ardhurat e qeverive, duke ngritur presionet për financim publik”.
PËR MATURI FISKALE
Raporti u rekomandon autoriteteve në vendet e SEE6 të tregojnë maturi fiskale, të rindërtojnë amortizatorët fiskalë dhe të jenë të përgatitur për konsolidim të mëtejshëm të shpenzimeve. Për fat të keq, performanca fiskale është përkeqësuar në të gjitha vendet që nga viti 2008, dhe pak vende në rajon kanë ende hapësirë për të trajtuar një përkeqësim të krizës nëpërmjet lejimit të funksionimit të stabilizuesve automatikë. Me përjashtim të Kosovës, asnjë vend nuk ka depozita të mëdha për të tërhequr. Prandaj, disa vende duhet të përshpejtojnë konsolidimin fiskal, me faturat e pensioneve dhe pagave që janë fushat e rëndësishme të fokusimit, thotë raporti.
Ndërkohë që nevojat e menjëhershme të financimit të deficiteve fiskale duket sikur janë siguruar, perspektivat afatgjata do të mbeten të vështira, paralajmëron SEE RER. Ngritja e shpejtë e borxhit bruto të jashtëm dhe qeveritar ndaj PPB-së nga viti 2008 në vitin 2010 kryesisht i atribuohet huamarrjes së qeverisë që synon financimin e deficiteve fiskale të përdorura për të zbutur efektet e krizës. Grupi i SEE6 është heterogjen në lidhje me nivelin e borxhit të jashtëm, ku borxhi total në Malin e Zi dhe Serbi është mbi mesataren e rajonit, ndërkohë që Shqipëria ka borxhin më të madh publik si përqindje e PPB-së.
“Shpohen” depozitat greke, për 10 muaj u zhdukën 13-14 miliardë euro
Depozitat e bankave greke janë tkurrur me 26,4 miliardë euro, ose 12.6 për qind, që nga fillimi i vitit 2011. Ata janë nën 49,8 miliardë euro ose 21.3 për qind që nga janari 2010, kur filloi kriza e borxhit grek, njofton Reuters, që i referohet guvernatort të Bankës së Greqisë dhe anëtar i Këshillit të Bankës Qendrore Evropiane, 61-vjeçarit Georgis Provopullos para një komisioni të posaçëm parlamentar.
Provopullosi tha gjithashtu se ekonomia e Greqisë, tani në vitin e katërt të recesionit, ka të ngjarë të tkurret me më shumë se 5.5 për qind në vitin 2011, duke përsëritur ato që janë thënë në raportin monetar paraprak të bankës qendrore. “Ka më shumë gjasa se ajo (tkurrja) do të jetë më e lartë, ndoshta në 5.8 për qind, më afër 6 se 5.5 për qind”, tha Provopullosi.
Dy nga tre bankat më të mëdha greke e kanë mbyllur 9-mujorin e parë të vitit 2011 me humbje. Alpha Bank pati një humbje neto prej 566.7 milionë euro krahasuar me fitimin neto prej 75.5 milionë euro një vit më parë. Humbja neto e Eurobank-ut arriti në 575 milionë euro kundrejt fitimit neto prej 60 milionë euro në janar-shtator 2010, njoftonte më 29 nëntor “Wall-Street Journal”.
Më 2 nëntor gazeta e madhe amerikane “New York Times”, në një raport special nga Frankfurti “Kriza e euros kërcënon sistemin bankar”, paralajmëronte se “shumë prej bankave të huaja me praninë më të madhe në Evropën Lindore janë në kushtet e një stresi të rëndë të brendshëm, veçanërisht institucione greke, si Alpha Bank dhe Piraeus Bank. Ata ishin ndër të parat që u shtrinë në vendet fqinje si Shqipëria dhe Bullgaria pas rënies së komunizmit, por tani po pësojnë dëme të rënda në kolateral nga pesha e borxhit të vendit të tyre si dhe rënia e dukshme ekonomike”.
DEPËRTIMI I BANKAVE GREKE NË SHQIPËRI
Alpha Bank-Albania e ka filluar aktivitetin e saj në Shqiperi në vitin 1998 dhe operon me 47 degë në të gjithë. Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare ka financuar me kredi shumë projekte siç janë ndërtimi i seksionit Rrëshen-Kalimash dhe ndërtimi i aeroportit ndërkombetar të Tiranës “Nënë Tereza”.
Tirana Bank u themelua me 1996. Sot ka 52 degë në shumicën e qyteteve kryesore. Është antare e Piraeus Bank Group. Tirana Leasing është themeluar në vitin 2004 në Shqipëri dhe ofron shërbime leasing (qeramarrje të kredituar) për makina dhe automjete transporti me kushte të specifikuara.
NBG Bank në Shqipëri është pjesë e Grupit NBG. Në Shqipëri filloi aktivitetin e saj në nëntor 1996. Ka 30 degë, 12 nga të cilat në Tiranë, dhe 18 të tjerat në çdo qytet të Shqipërisë. NBG Bank në Shqipëri ka një rrjet ATM-sh.
Banka Emporiki – Shqipëri, pjesë e Grupit Emporiki Bank Greqi S. A., operon në tregun shqiptar që në 1999. Që në 2004, synon të rrisë të gjitha aktivetet e Retail qe perfshijne individët dhe biznesin e vogël.
Ambasadori Pazios: Edhe Shqipëria mund të preket nga kriza greke
“Greqia po përjeton një krizë ekonomike që në mënyrë të pashmangshme ka lënë pasoja në shumë fusha të jetës publike”, kështu ka deklaruar ambasadori i Republikës së Greqisë në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij Nikolaos Pazios. Është e çuditshme që nga kjo intervistë disa të përditshme zgjodhën titullin “Bankat greke të sigurta”. Diplomati 59-vjeçar, me përvojë dhe me formim në jurisprudencë dhe marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare, mendon se kriza greke “lidhet drejtpëdrejt me krizën që po torturon krejt Evropën. Disa ekspertë argumentojnë se kjo krizë e ka rrënjën tek mënyra sesi është konceptuar eurozona, të tjerë e lidhin me gabimet në nivel kombëtar. Në këndvështrimin tim, të dyja argumentet janë të vlefshme, përderisa në një ekonomi globale, izolimi është i paimagjinueshëm dhe proteksionizmi nuk është më opsion”.
Ambasadori i fqinjit jugor thotë se “për pasojë, asnjë ekonomi nuk mund të jetë e mbrojtur. Rrjedhimisht kjo vlen edhe për Shqipërinë, për më tepër që partnerët e saj kryesorë ekonomikë janë vende europiane të prekura nga kriza”. Pazios është i një mendjeje dhe me raportin e Bankës Botërore teksa përmend që partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë janë dy vende në krizë, Greqia dhe Italia. Madje, kryediplomati grek në Tiranë shprehet se “nuk mund të analizojmë gjerësisht këtu, madhësinë dhe intensitetin e pasojave që do ketë ekonomia shqiptare, por duhet thënë që ato lidhen pashmangërisht me modelin e rritjes ekonomike të vendit, fjala vjen me balancën mes konsumit dhe investimeve, rolin që luajnë prurjet e emigrantëve etj. Një gjë megjithatë është e sigurtë: Për të tejkaluar krizën, kërkohen përpjekje të përbashkëta dhe solidaritet”.
Megjithë realizmin e pamëshirshëm, përfaqësuesi i Athinës nxiton të qetësojë klientelën: “ Kur flasim për praninë greke në sektorin bankar shqiptar, dua t’u siguroj se nuk ekziston asnjë rrezik. Autoritetet mbikqyrëse shqiptare, e para Banka e Shqipërisë, monitorojnë nga afër bankat dhe u kërkojnë atyre zbatimin e standardeve strikte. Në të njëjtën kohë, Banka e Greqisë në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qendrore Evropiane, merr të gjithë masat e nevojshme për të siguruar që bankat mëmë të marrin mbështetjen e duhur gjatë kësaj periudhe të vështirë. Në këtë pikë, dua të theksoj faktin që kursimet e njerëzve janë absolutisht të sigurta dhe bankat greke do të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet profesionale të cilësisë së lartë, si ndaj qytetarëve, edhe ndaj kompanive që veprojnë në vend”. Kuptohet, ambasadorit Pazios i duhet të bëjë dhe njëfarë propagande: “Një numër kompanish të mëdha greke kanë besim te ky vend dhe ushtrojnë aktivitet këtu, duke ofruar vende të reja pune dhe duke kontribuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë”.
Prokuroria helene, hetim kreditimit të dy partive kryesore
Prokuroria e Greqisë ka filluar një hetim për rrethanat e kreditimit të partive politike kryesore nga bankat e vendit, shkruante më 29 nëntor gazeta on-line greke e biznesit “Naftemporiki”.
Më herët deputeti i pavarur i parlamentit Lefteris Avgenakis ka deklaruar se dy partitë kryesore të vendit – PASOK i qendrës së majtë dhe “Demokracia e Re” e qendrës së djathtë – kanë marrë gjithsej 244 milionë euro borxh. Kështu, në vitin 2010 PASOK-u mori 20 milionë, kurse “Demokracia e Re” 15,5 milionë euro kredi, ndërkohë në vitin 2011, përkatësisht nga 13,5 milionë dhe 12,3 milionë euro, thotë deputeti.
PASOK-u dhe “Demokracia e Re” kanë gjithsej 238 vende në parlamentin 300-vendesh të Greqisë, të dyja partitë aktualisht mbështesin qeverinë e koalicionit të Lukas Papademos-it.
Partitë greke mund të marrë kredi për veprimtarinë e tyre me garanci financimi shtetëror që marrin sipas ligjit. Megjithatë, një numër mediesh dhe deputetësh e kanë konsideruar konflikt të mundshëm interesi që partitë marrin kredi nga bankat, të cilat janë në prag falimentimi dhe që varen fort nga shteti në dhënien e garancive. Që më 22 nëntor, qeveria greke bëri të ditur se do të dyfishojë garancitë në 30-60 miliardë euro për t’i ndihmuar të përballojnë humbjet e borxhit sovran dhe për shkak të tërheqjeve të depozitave.