Meta-Prifti, kur bashkohen armiqtë

26 Janar 2012, 11:18Politika TEMA
Meta-Prifti, kur bashkohen armiqtë

I gjithë arsyetimi juridik që shpalli të pafajshëm Ilir Metën. Të gjitha hapat e një procesi që paralajmëronte fundin e shpallur dhe paralajmëron njëkohësisht, edhe pafajësinë e Dritan Priftit, ende nën hetim për videon me ish-zëvendësin e tij. Ku bashkohen dy armiqtë e mëdhenj, Meta dhe Prifti dhe shpërthimi i video politikës. Mbi 170 orë xhirime dhe 200 personazhe nga më të njohurit në jetën politike e mediatike shqiptare janë gati për t’u transmetuar.

Nga Lorenc Vangjeli, Revista Java

Në duelin Meta-Prifti, janë dy procese në një. I pari penal dhe me një përfundim të firmosur nga pesë gjykatës të lartë dhe i dyti, politik dhe moral, që do të jepet nga disa milionë shqiptarë në kutitë e votimit në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Por për të mbërritur tek të dy vendimet, ka pasur stacione të ndërmjetme: në rastin e parë disa vendime rresht të Gjykatës së Lartë, të cilat shkallë-shkallë, patën destinacion pafajësinë e Ilir Metës, në rastin e dytë, ishin zgjedhjet lokale të 8 majit, në të cilat partia e Metës pati rritje në elektorat. Por kjo është vetëm pamja e dukshme e një historie shumë më të komplikuar sesa shfaqet në ekranet e televizioneve, një histori ku politika, jurisprudenca dhe deri edhe dobësitë njerëzore, kapriçiot e fatit e fataliteti, fatet personale dhe shumë më tepër se kaq, ndërthurren në mënyrë të pabesueshme.

Revista Java, ka konsultuar ekspertë të jurisprudencës, të cilët afrojnë një pamje krejt të ndryshme nga leximi i thjeshtë dhe skematik i rezultatit përfundimtar të Gjykatës së Lartë, që firmosi pafajësinë e zotit Meta me shifrat pesë me zero. Ajo jep një rindërtim të hap mbas hapshëm të të gjithë veprimeve të prokurorisë dhe të vendimeve të ndërmjetme të Gjykatës së Lartë. Një lojë e hollë, me shumë lëvizje që kushtëzonin njëra-tjetrën, ku e njëjta armë kalonte nga duart e akuzës në ato të mbrojtjes dhe anasjelltas dhe çfarë “vriste” njëherë, “shëronte” herën tjetër.

Videoja, si pikënisje

Ishte shenja e parë, që në vështrim të parë, faktoi fajësinë e zotit Meta. Në sy të opinionit publik, por jo përpara drejtësisë, e cila e ka të shenjtë parimin e prezumimit të pafajësisë. Dhe pikërisht videoja u shndërrua në armën më të fortë të të dy palëve, edhe të akuzës, edhe të mbrojtjes së zotit Meta. Fati i saj, u përcaktua nga veprimet dhe mosveprimet e palëve. Sepse vetë videoja në vetvete dhe ekspertimi i saj, nuk është provë, por është vetëm një mjet procedurial drejt provës, siç do të vërente vetë Gjykata gjatë ecurisë së hetimit gjyqësor të procesit.

Prokuroria, kishte kërkuar ekspertimin e videos nga dy ekspertë të huaj, amerikani Glen Bard dhe britaniku Adrian Filips. Me idenë e mbarë për të patur jo vetëm asistencën më të mirë të mundshme teknike, por dhe për të dëshmuar paanësinë e saj në një proces inkadeshent për shkak të ngarkesës së jashtëzakonshme politike që kishte vetë procesi. Por diçka, të paktën duke nisur nga bindja e shumicës së anëtarëve të trupit gjykues, nuk kishte shkuar siç duhej. Në datën 11 korrik, me vendim të ndërmjetëm, Gjykata e Lartë, pranoi kërkesën e zotit Meta për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të akteve të ekspertimit nga dy shtetasit e huaj, Bard dhe Filips. Sepse sipas mbrojtjes dhe pranimit të gjykatës së kërkesës së mbrojtjes, këto akte janë kryer në kundërshtim me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale, por dhe të Konventës Evropiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për thelbin e ekspertimit, por për formën e tij dhe mënyrën sesi u sigurua ky ekspertim. Prokuroria, sipas pretendimit të mbrojtjes, nuk ka respektuar kërkesat e Kodit të Procedurës Penale, në nenet 179 dhe 183 për të dy ekspertët dhe për ekspertin britanik, gjithashtu edhe detyrimit që rrjedhin nga Konventa Evropiane. Në këtë mënyrë, gjykata vendos se prokuroria ka ngarkuar detyra për ta dhe ka vjelë opinionin e tyre në rrugë jo zyrtare duke i përjashtuar dy ekspertët nga çdo përgjegjësi, në rast se ata do të bënin akt të rremë ekspertimi. Ekspertët duhet të bënin betimin dhe do të pranonin përgjegjësitë e tyre në rast të mospërmbushjes së rregullt të detyrës, dy veprime që do të shërbenin si garanci për pastërtinë e punës së tyre. Prokuroria, sipas mbrojtjes dhe bindjes së shumicës së trupit gjykues, duhet të kishte përdorur një hallkë të dytë në komunikimin e saj me ekspertët: Ministrinë shqiptare të Drejtësisë. Edhe në momentin përjashtimor që njeh ligji, rastet e ngutshme, së paku, prokuroria duhet të vinte në dijeni Ministrinë e Drejtësisë për këtë segment të punës së saj hetimore. Çdo anashkalim i kësaj ministrie, do të sillte pavlefshmëri proceduriale të videos, siç edhe ndodhi, siç edhe vendosën tre gjykatës, Gani Dizdari, Guxim Zenelaj dhe Arjana Fullani. Relatori i çështjes, gjykatësi Adrian Dvorani dhe gjykatësja Majlinda Andrea, megjithatënë kanë pasur një mendim të ndryshëm. Të mbetur në pakicë, ata kundërshtojnë kolegët e tyre duke përdorur të njëjtat armë, por me një interpretim të ndryshëm juridik të neneve. Në proces rezultoi se Dvorani e Andrea pretenduan vlefshmërinë e ekspertizës sa kohë që veprimet për caktimin e ekspertëve dhe vlefshmërinë e aktit të ekspertimit, ishin kryer në përmbushje të kritereve dhe kushteve pë profesonalizmin e ekspertëve. Dhe për më shumë, shtetësia jo shqiptare e Bard dhe Filips, nuk afronte asnjë problem përballë ligjit shqiptar. Prokuroria, sipas këtij gjykimi në pakicë, ka vepruar drejt sa kohë i ka njoftuar ekspertët për arsyet subjektive që mund t’i përjashtonin ata nga kjo detyrë dhe i ka paralajmëruar ata për përgjegjësi penale në rast të mos kryerjes së rregullt të detyrës dhe duke ju kërkuar të betohen. Për më shumë, prokuroria nuk ka kërkuar letërporosi, thjesht dhe vetëm se nuk ka qenë e nevojshme për një çështje të zhvilluar në truall dhe terren tërësisht shqiptar. Dhe po kështu, prokuroria nuk i është drejtuar ndonjë autoriteti juridik të huaj që të kryejë veprime për llogari të hetimit të saj në Tiranë. Ky votim i parë, tre me dy i gjykatësve të trupës gjykuese, për videon, ishte dhe paralajmërimi i parë se po shkohej drejt pafajësisë së zotit Meta. Ai i hapi rrugë dy vendimeve të tjerë për caktimin e ekspertëve shqiptarë, ekspertiza e të cilëve, ishte e ndryshme nga çfarë solli në Tiranë Bard dhe Filips.

Rënia e videos dhe videoja tjetër

Kësaj rradhe hyri në lojë fataliteti. Në momentin e parë të ekspertimit të laptop-it të zotit Prifti nga eksperti amerikan, në Tiranë, mbërrin dhe një video e dytë. Kësaj rradhe, ishte vetë zoti Prifti duke biseduar me zëvendësministrin e tij Beqiri në ambientet e banesës së ish-ministrit të ekonomisë. Edhe përtej hermetizimit të Prorkurorisë, shpejt u mësua dhe përmbajtja e kësaj videoje: pamjet tregojnë zotin Prifti duke montuar së paku dy kamera sekrete në të djathtë të karriges ku pritej të ulej zoti Beqiri, njëra e montuar në një valixhe të zezë dhe tjetra në një stilograf të montuar sërish në valixhe. Videoja e re, sipas prokurorisë, përmbante dyshime të arsyeshme për kryerjen e një vepre të mundshme penale nga dy të filmuarit. Dhe një çështje e tillë nisi, për shkak se edhe në audio, edhe në video, dalloheshin disa dhjetra mijëra euro, 69 mijë, saktësisht sipas audios, të cilat u ndanë në masën 35 mijë me 34 mijë mes dy bashkëbiseduesve. Në audio dëgjohet të përmendet edhe emri i zotit Meta, por në dritë “të mbarë” për ish-zëvendëskryeministrin, edhe emri i një zyrtari shumë të lartë të Parlamentit Evropian. Ky është dhe momenti – çështja është nën hetim dhe vetë hetimi ka marrë një kohëzgjatje të re prej një muaji në janar – kur ndërlikohet edhe vetë procesi në ngarkim të zotit Meta. Rrëzimi i videos që e tregonte atë në zyrën e ish-vartësit të tij Prifti, rrëzon pothuaj automatikisht edhe këtë video të dytë të zotit Prifti me ish-vartësin e tij. Nga ky kombinim fatal rrethanash, ngjan se armiqtë e mëdhenj Meta dhe Prifti, lidhën fatin e tyre juridik me njëri-tjetrin dhe fajësia e njërit paraprovonte dhe fajësinë e tjetrit. Sa kohë që në Shqipëri do të ketë një standart në zbatimin e ligjit. Një shembull: mjafton një kamerë e shërbimit të brendshëm të policisë që xhiron një polic rrugor duke marrë 500 lekë nga një qytetar, që ai të lerë kapelen dhe të vërtitet gjyqeve. Në rastin Meta, Prifti, natyrisht një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

Lidhja e videos të dytë Prifti-Beqiri me procesin e Metës, megjithatë, juridikisht pati një fat të ndryshëm. Mbrojtja insistoi që ajo të kishte në dispozicion këtë video dhe vetë Beqirin si dëshmitar të saj në proces. Por, me shumicë votash, gjykata vendosi sesa kohë ekspertimi i amerikanit Bard ishte hedhur poshtë si i marrë në kundërshtim me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale, ai nuk mund të konsiderohej as nga gjykata dhe as nga mbrojtja. Pra, ishte një fakt nul. Edhe në këtë rast, relatori Adrian Dvorani ka mbetur në pakicë. Duke nisur që me rradhën e marrjes së provave, fillimisht ato të prokurorisë dhe më pas, ato të mbrojtjes. Garantimi i të drejtave të palëve në proces, i akuzës dhe i mbrojtjes, sipas ligjit, i lejon gjykatës të ndërhyjë në ndryshimin e kësaj rradhe bazuar vetëm në pëlqimin e të dy palëve. Loja juridike kishte nisur. Elementët e tjerë do ta bënin edhe më të ndërlikuar atë. Por gjithmonë duke paralajmëruar atë që ndodhi në 16 janar, pafajësinë e zotit Meta.

“Laku” i prokurorisë për Ilir Metën po shthurrej, ndërsa mbrojtja po thurrte mençurisht të gjithë detajet që do të sillnin pafajësinë e klientit-politikan. Lista e detyrave të lëna për ekspertët shqiptarë, votuar nga shumica e gjykatësve, e lanë sërish në pakicë relatorin Dvorani. Ai gjykon se riespertimi i videos ishte i nevojshëm sa kohë kishte rënë ekspertimi i Bard dhe Filips, por se nuk do të sillte gjë të re, sipas bindjes së tij, për shkak të përzgjedhjes së ekspertëve shqiptarë. Dvorani ka pretenduar se zgjedhja e tyre, nuk i kishte krijuar bindjen e brendshme për personalitetin e ekspertëve, integritetin e tyre profesional dhe moral si dhe kapacitetet teknike që zotëronin. Për këtë arsye, mendimi i pakicës, kërkonte që ekspertët të zgjidheshin mes ekspertësh perëndimorë, nëpërmjet procedurave të letërporosive ndërkombëtare dhe sipas kërkesave të Kodit të Procedurës Penale dhe konventës evropiane për ndihmë në fushën juridike. Por këtu loja kishte mbaruar. “Bindja e brendshme” e katër gjykatësve të tjerë, një ndjesi tërësisht subjektive për të cilin ligji nuk cakton kritere, ishte që ekspertët shqiptarë kishin profesionalizmin dhe integritetin e nevojshëm dhe kishin kryer drejt detyrën e tyre. Nën këtë dritë, pafajësia e Metës ishte vendosur. Dhe votimi pesë me zero, në këto kushte, kur videoja kishte pushuar se qeni një gjurmë që duhej plotësuar me prova të tjera, ishte vetëm formalitet. Një formalitet që u përforcua dhe më tej me ndeshjen me të njëjtën armë të akuzës dhe mbrojtjes: besueshmërinë e dëshmitarëve.

Dëshmitarët

Të shtunën e kaluar revista “Java” paralajmëroi se do të transmetoheshin përpara publikut një sërë videosh të tjera, kryesisht të xhiruara fshehtas nga Dritan Prifti, por dhe të xhiruara fshehtas ndaj Priftit. Dhe kështu ndodhi. Të enjten në mbrëmje, tek “Opinion-i” i Fevziut dhe paralel me të, edhe në “Fakt-in” e Çim Pekës, për herë të parë, u transmetua videoja Prifti-Beqiri, e cila ka shërbyer si një indicie për një çështje penale në ngarkim të dy ish-zyrtarëve të lartë të LSI-së, ish-ministër dhe ish-zëvendësministër i tij. Videoja dëshmonte ndarjen e 69 mijë eurove mes tyre dhe ishte e shoqëruar me bashkëbisedimin e protagonistëve, të cilët në hetimin paraprak të çështjes, kanë pohuar se ajo sasi parash ishte krijuar në aktivitet privat. Publikimi i një elementi – videoja – që ndodhet në dosjet e prokurorisë, është një kundravajtje penale jo dhe aq e thjeshtë. Por ky është vetëm një detaj. Në tokën e paligjshmërisë, është një detaj për të cilin nuk do të kujtohet askush. Sepse tani ka nisur përfundimisht video-politika dhe askush nuk mund të shpëtojë nga tundimi i pafundëm i publikut për të parë nga “vrima e çelësit” jetën publike dhe private të politikanëve shqiptarë. Janë mbi 170 orë xhirime në video dhe disa qindra të tilla, mbi 200 personazhe të cilët përmenden në to, të cilat do të kenë efektin e Wikileaks-it shqiptar. Djajtë janë jashtë, Kutia e Pandorës është shpërthyer.

12 komente në “Meta-Prifti, kur bashkohen armiqtë”

  1. elinor bahiti says:

    Sapo lexova ne fillim te artikullit dicka ne lidhje me nje verdikt te dyte “…politik dhe moral, që do
    të jepet nga disa milionë shqiptarë në kutitë e
    votimit në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme” hoqa dore se lexuari me tej.
    Nuk kam asnje shprese tek zgjedhjet e ardhshme per sa kohe eshte saliu organizatori i tyre.

  2. plaku says:

    Nuk arrij te kuptoj se pse shkruajtesi i artikullit te mesiperm nuk permend fare faktin se prokuroria ne sentencen e saj e denoi Meten me dy vjet burg.Sigurisht qe prokuroria e bazoi denimin e saj ne fakte te caktuara, per te cilat autori i shkrimit nuk flet fare. Me vjen keq por kam pershtypjen se artikullshkuresi eshte nje vemje e paguar nga Ilir Meta. Ne shkrimin e tij kuptohet kjarte se gjykatesit me keqdashje nuk kane pranuar ekspertizen e te huajve. Edhe nje here artikullshkruesi eshte nje njeri qe nuk ka respekt per veten dhe per profesjonin e tij.Per mua ai eshte nje njeri pa taban dhe pa respekt per veten e tij, troc ai per nje luge supe te prishur ka shitur dinjitetin e tij.

    1. Goodluck Jonathan says:

      Ke televizor ne shtepi ti? Nese po, e lidh dot emrin e autorit me fytyren e tij? Te kishte ca me shume si ky qe ti i quan vemje, ky vend s’do ishte ketu ku eshte.

    2. Rroku says:

      Plakut!
      Sa per dijeni:
      Autori i shkrimit eshte nje analist i majte, bile i thekur, me aftesi dhe eksperiece te plote profesionale bile dallohet per aftesi intriguese kunder qeverise drejtuese dhe te djathtes jo vetem me shkrime por dhe me komente televizive.
      Lidhur me sentencen e Prokurorise bere ne Gjykate per denimim 2 vjet me burg te Ilir Metes, autori i shkrimit e ka shprehur qarte nepermjet frazes “laku i prokurorise filloi te cthurej” qe nenkupton se perpjekjet e prokurorise per te ndertuar akuzen nepermjet deshmive, deponimeve te Priftit, tabulateve telefonike dhe verifikimeve konkrete ne teren te faktit nese bisneset e permendura ne kasete kishin apo jo perfituar konkretisht tenderat, nuk mjaftuan kurresesi te bindnin gjykaten per konsumimin e krimit te korrupsionit aktiv apo pasive. Nga ana tjeter, mbrojtja punoi me shume mjeshteri per te rrezuar dhe argumentuar cdo hallke te akuzes pershire dhe Vidion e fameshme.
      Fakti qe te peste gjykatesit kishin mendim unanim flet shume.
      Problemi me ju Plku dhe anti Berishe te tjere, qendron ne faktin se ju paragjykoni dhe filloni arsyetimin me premisen qe aty ka pa tjeter korrupsion dhe pazare, pastaj kjo ju con ne pranimin aprioristik te krimit te kryer dhe nuk pranoni aspak hipotezen tjeter te thjeshte qe te pakten ne kete rast nuk kemi nje te tille.
      Une personalisht ju fus ju ne grupin e njerezve te ndershem e me principe qe rrevoltoheni nga padrejtesite dhe abuzimet, por aty rrotull jush keni me qindra intrigante, prapaskenaxhinj, rrufjane, qe tere jeten jane perpjekur te genjejne, mashtrojne, pergjojne, sajojne dhe akuzojne. Referohuni fenomenit “Prifti” kesaj monstre perfekte te intriges, pafytyresise, delirantit, shtuar ketu dhe probleme psiqike te tij, dhe do te shihni me qarte problemin.
      Per ta ngacmuar pak fantazine tuaj, gjithnje ne sensin e arsyetimit tuaj aprioristik, te “Premises” une po intigoj duhe hedhur nje hipoteze te re qe eshte: “Prokurorija eshte pale me Meten dhe gjithnje ka menduar qe te mbroje ate duke bere sikur po e akuzon. Ajo ka prishur edhe provat dhe ka sabotuar gjithe procesin me qellim”
      A nuk te duket kjo nje hipoteze interesante dhe qe mban gjalle “Premisen”?
      Por hipoteza te tjera te tilla mund te gjesh. Si perfundim mbetesh nje skllav i mjere qe detyrohesh te konsumosh ate qe te servirin ne tryeze.

      1. rimondi says:

        Pavaresisht asaj qe thote ky artikullshkruesi se “laku i prokurorise po shthurej”, ky duhej te jepte ne kete analize te tij, asryet pse Prokuroria e denoi me 2 vjet ?

        C’fare gjeti gabim Prokuroria qe e denoi me 2 vjet Meten?

        –Kete nuk e thote ky, dhe nga ana tjeter eshte plotesisht e vertete ajo
        qe prokuroria duke e denuar 2 vjet Meten pregatiti pafajsine e tij….

        Megjithse prokuroria e denoi Meten me akuzen e maternitetit tip “qe vajza eshte nje cike me barre”..lool

    3. Kalorsi i zi says:

      Plaku eshte nje komentues serioz dhe me mendim eshte i majte, por une dua te shtoj dicka jo per te mbrojtur sepse nuk ka nevoje por nganjehere i lexojme shpejt shkrimet e gjata dhe aq me shume aktualisht ku informacioni loz me durimin e cdo shqiptari liridashes. Nejse, i uroj gjithe te mirat te gjitheve patriotave te vertete shqiptar qe po luftojne me nje armik te tmershem qe eshte genjeshtra dhe urrejtja. Kurajo

  3. MEMEDHETARI says:

    Mbas perfundimit te gjyqit te Ilir Metes dhe nxjerrjes se tij te pafajshem,e kuptoj me mire dhe i jap te drejte EKZEKUTORIT TE GADAFIT…

    1. turi says:

      SHKURT DHE QARTE.KJO ESHTE E VERTETA E THENE SA MA TROC.
      Dhe qe Amerikoni qe e cukiti kete pune dhe na u be trim laluci Dritan, se as per 100 vjet s`kishte ai per ta akuzuar Meten.
      Po Almir RRapo i Metes i nxori te gjitha te palarat atje ne Amerike, dhe le te shpresojme qe tani qe i shkelen keta tanet ne kallo Amerikes ,besoj se do shohim pak spektakel ne politken tone te majte e te djathte.ZOTI QOFTE ME NE.

  4. Demir says:

    Fullani, ish nxenesi i PESAVE ne shkolle mori perseri per turp postin e guvernatorit, sepse ariana fullani, gruaja e tij luftarake kunder asaj qe kishte konstatuar SHBA, e donte shume burrin e saj te paafte ne krye te bankes te shqiperise se iu intereson shume te dyve si per shembull me ato cfare thuhen per kembimet valutore ne shqiperi apo bashkepunim me Canacaris, drejtorin hajdut, abuzues dhe mashtrues te bankes Raiffeisen

  5. ALBAN DEGA says:

    KRYEHAJDUTI THERRET KAPENI HAJDUTIN !

    – Fitore 10: 1 e kusarise mbi drejtesine !

    Cfare mund te bente e cfare mund te beje kryeprokurorja Ina Rama kur krye-kusari numer dy pas Sali Berishes, Ilir Meta, i filmuar ne flagrance ne kamera para syve te 10 milione shqiptareve nga zevendesi i tij politik e qeveritar Dritan Prifti shpallet, i denoncuar e kapur mat edhe nga tabalutat telefonike te zbuluara nga prokuroret e “Silvia Kondit” shqiptare, sic e pat quajtur Tano Karidi shqiptar Sali Berisha vete, shpallet i pafajshem!?
    Pse!? Sepse ekspertet e paguar nga Sali Berisha, Ilir Meta e “ceta e gangstereve” te tyre me parat e taksat e shqiptareve shpallen te pavlefshme videot e flagrances se tyre, qe eksperti i FBI-se amerikane i kishte shpallur si plotesisht te verteta!?

    Raporti i tru- lopes se Skraparit me trute e Harvardit

    E ndersa kryeksperti amerikan u pagua me vetem 5 000 dollare amerikane , sepse kaq para i ka dhene Berisha dhe gangsteret e tij prokurorise shqiptare qe sot e akuzon, ekspertet e tij dhe te Ilir Metes u paguan me 35 mije euro te taksave te djerses dhe mundit te shqiptareve fakira.
    Pa llogaritur milionat dhe vilen e Ilir Metes dhurate per avokatin e tij ish- prokuror xhelat komunist !? Para kusarie e para vrastarie !!!
    A e pate e degjuat zevendes- Padrinon e Sali Berishes, Ilir Meta, si festonte “pafajesine” e tij duke thirrur me sa fuqi kishte per fitoren e kusarise berishiane perballe drejtesise se kapur po nga Mafia berishiane me rezultatin 5:0 !?
    Fitorja e Ilir Metes dhe kusareve berishiane ndaj drejtesise shqiptare nuk eshte 5:0… Jo! Sic e tregon raporti i pagesave ajo eshte shume me larte. Eshte fiks 10:1. A nuk eshte kaq raporti i pageses se ekpserteve nga Mafia berishiane me ate te ekspertit amerikan te paguar nga drejtesia dhe prokuroria shqiptare e lene fakire nga e njejta Mafia!?
    Por Ilir Meta aq tru ka ! Aq tru sa te kapet ne flagrance si lope Skrapari nga zevendesi i tij me tru Harvardi

    Fitorja 10:1 e Mafias berishiane me drejtesine

    Ky eshte edhe raporti i pagesave qe ben shteti dhe Mafia edhe ketu ne SHBA!!! Vecse ne Shqiperi jane nderruar rolet: Shteti qeveria eshte Mafia e gjithpushtetshme. “Mafia qe ka dale krejt jashte kontrollit” , sic shkroi “The New York Times”. Jashte kontrollit te ligjit por krejt nene kontrollin e urdherat e Saliqit!
    Cfare mund te bente e cfare mund te beje Ina Rama dhe drejtesia shqiptare kur Padrinoja i Shqiperise Sali Berisha dhe kusaret e tij Meta e co. vjedhin hapur votat e 28 qershorit 2009 dhe te 8 majit 2011 ne syte e mbare shqiptareve dhe nderkombetareve, ne syte e monitoreve dhe te ambasadoreve… dhe ben ligjin me vota te vjedhura per te vjedhur, per te vrare, per te gjakosur e per te nakatosur nje vend te tere sic vepron Sali Berisha … E hajde mos e quaj Sali Berishen Muamar Kadaf po deshe !?
    Cfare mund te beje Ina Rama dhe drejtesia e kapur nga “Mafia qeveritare shqiptare qe ka dale krejt jashte kontrollit” ne zbatim e ne mbrojtje te ligjit kur i vetmi ligj qe urdheron e zbaton Sali Berisha dhe gangsteret e tij ne qeveri apo afer saj eshte “Ligji jam une” i Luigjit te 14-te… E hajde dalloje Sali Berishen nga Muamar Kadafi apo Kim Jon Il-i !?

    Kur kryehajduti cirret kapeni hajdutin !

    Cfare mund te bente e cfare mund te beje Ina Rama perballe kesaj cete krye- ekzekutoresh e krye- kusaresh, hajnash e kryehajdutesh qe cirren dite e nate me sa fuqi kane “Kapeni Hajdutin !”

  6. juristi says:

    Po ky proces s’ka perfunduar mor koke deri Meta,macokun e ke brenda barkut kot hiqesh i gzum.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje