PS, tryezë debati për drejtësinë, Rama: 21 janari- sfida përcaktuese për drejtësinë

1 Shkurt 2012, 20:02Politika TEMA

Partia Socialistë ka nisur një tryezë debati për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës, në të cilën do të parashtrojë dhe pikëpamjet e saj të paraqitura në programin qeverisës për reformat në drejtësi. Tryezën e hapi kryetari i PS-së Edi Rama, i cili iu referua ngjarjes së 21 janarit, duke e cilësuar atë si një sfidë të vërtetë të drejtësisë shqiptare, një sfidë që siç tha ai do të vendosë fatin e drejtësisë për një kohë të gjatë. Ai fillimisht dënoi sulmet e mazhorancës ndaj prokurorisë dhe opozitës lidhur këtë ngjarje.  “Pushteti vazhdoi sulmin ndaj prokurores së përgjithshme, vazhdoi me sulmet ndaj opozitës, vazhdoi me sulmet ndaj së vërtetës lidhur me 21 janarin”, tha Rama duke iu referuar një deklarate të sotme të PD-së.

Referuar ngjarjes së 21 janarit, Rama tha se drejtësia për vrasësit dhe urdhëruesit e vrasjeve do të ndryshojë përfundimisht drejtësinë në Shqipëri dhe do të ndryshojë kulturën e pandëshkueshmërisë që ka vendosur kjo qeveri. “Do të rinënvizoja faktin që teksa ne flasim, shoqëria jonë përballet me një sfidë që është sfida e së vërtetës së 21 janarit dhe ndëshkimit të atyre që vranë dhe atyre që urdhëruan vrasjet. Është një përballje që nuk lidhet thjesht me fatin e një procesi hetimor, por me fatin e shtetit të së drejtës në Shqipëri për vite të tëra, e ndoshta një dekadë. Nëse kjo sfidë nuk fitohet nga drejtësia dhe nuk do të përcaktohet nga e vërteta e zbardhur mbi fakte e prova, padyshim 21 janari do të shërbejë si një kapak i rëndë për të lëvizur nga vendi mbi gjithë sistemin e drejtësisë dhe si një gur i rëndë në vendosjen e një sistemi padrejtësie në themel të funksionimit të gjërave në Shqipëri”, tha Rama.

Më tej ai vuri në pikëpyetje sjelljen e mëtejshme të Brukselit ndaj vendit tonë kur shembulli që i jepet nga drejtësia është kaq i zymtë.

“Si është e mundur që BE të pranojë në gjirin e vet një vend ku pushteti ekzekutiv sulmon në mënyrë barbare prokurorinë, dhe ku Prokuroria e Përgjithshme kthehet në shënjestër për të penguar me doemos daljen e së vërtetës lidhur me një ngjarje tragjike, si mundet që BE të pranojë në gjirin e vet një vend, ku për të penguar të vërtetën lidhur me një ngjarje që implikon drejtpërdrejt atë, qeveria fshin provat, pengon hetimin, bën çmos për të devijuar të vërtetën. Është e pamundur që ne pretendojmë se BE mund ta pranojë Shqipërinë në gjirin e vet teksa barazia para ligjit dhe vetë funksionimi i sistemit të drejtësisë në tërësi përbëjnë një nga problemet më të rënda për jetën e përditshme të shoqërisë. Nga ana tjetër jo vetëm BE nuk mund ta pranojë në gjirin e vet një vend, i cili nuk e zgjidh dot problemin me të vërtetën në dyert e sistemit të drejtësisë, por edhe qytetarët shqiptarë nuk mund të ndërtojnë mbi shpresat e tyre kur janë të kërcënuar çdo ditë nga padrejtësia, nga fuqia shtypëse, nga një sistem abuzimesh që lidhen me interesat e pushtetit apo pushtetin e parasë”.

Në këtë prizëm kryesocialisti e sheh programin e PS-së si një përgjigje për pikëpyetjet e mëdha që janë ngritur mbi drejtësinë. Ai tha se PS do të mundohet tu japë përgjigje njerëzve për këto probleme dhe premtoi se me të ardhur në pushtet PS do të punojë për një sistem drejtësie të pavarur. “Është një sfidë e jashtëzakonshme që në këtë proces të formësimit të një programi që do t’i japë përgjigje shqiptarëve për të gjitha pyetjet që bëhen se si ne do të qeverisim më mirë Shqipërinë të mund t’i japim përgjigje të gjithë pyetjeve se si mund të funksionojë drejtësia dhe shteti i së drejtës në Shqipëri bazuar në parimin themelor se para ligjit jemi të gjithë të barabartë. Këtë sfidë ne duhet ta përballojmë me të gjitha kapacitetet profesionale që duhet ti vëmë në dispozicion rrugës së programit”.

Blerina Gjoka

1 komente në “PS, tryezë debati për drejtësinë, Rama: 21 janari- sfida përcaktuese për drejtësinë”

  1. BERISHA LARGOHU SEPSE PO SHKATRRON SHQIPRINE ME MAFIEN QE KE KRIJUAR! says:

    Mesa kuptoj une Rama eshte i kenaqur ne opozite, akoma shpreson tek drejtesia. Dretesia ti vodhi votat, drejtesia do ta vjedhe edhe 21 janarin duke te bere fajtor, vazhdo me keshillat e Arvizut se mire e ke punen ne opozite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje