Ish- deputeti i PS, Andis Harasani në një intervistë të gjatë për gazetarin Lorenc Vangjeli te “Java” e kësaj jave, mohon kategorikisht që të ketë ikur për shkak të Kryetarit nga Partia. “E gjeja veten jashtë këtij rrethi hipokrizie”, thotë Harasani duke i konsideruar politikanët si “aktorë skene”. “Pak nga pak po humbisja vetveten… Doja ta provoja veten në një hapësirë më të madhe se Tirana”, thotë Harasani.
Ai ngul këmbë që pavarësisht “ulje-ngritjeve në raportin politik”, siç i quan me kryetarin, kanë pasur një raport konstant njerëzor dhe kritikat nuk kanë pasur asnjëherë diçka personale, por vetëm në lidhje me aksionin e tij politik.
Harasani gjykon se Rama në 2009-n nuk ishte gati të qeveriste, kurse tani është i pjekur për atë rol, falë “stërvitjes këto 3 vjet të tjera në opozitë”. Pa dashur ta fyejë, Harasani përdor për Kryeministrin termin “Berisha është një kafshë politike. Dhe duhet respektuar për vullnetin e egër që ka”.
Se çfarë do të bëjë në Amerikë, Harasani thotë se në planet e tij është ngritja e një kompanie ndërtimi. “Çfarë? Do të ndërtojmë! Ku? Në Manhattan!”