Mediat në krizë: Vonesa pagash në mbi 75% të gazetave dhe televizioneve të vendit

12 Nëntor 2012, 10:50Politika TEMA

Drejtuesit e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe ata lokalë  në deklarimin e tyre për mediat nga qyteti i Elbasanit, denoncuan situatën e vështirë financiare që ka mbërthyer shumicën e mediave të vendit. Në deklaratën e kryetarit të Unionit të Gazetarëve, gazetarit Aleksandër Çipa, konsiderohet alarmante gjendja që në 25 gazeta të përditshme, në 20 prej tyre ripërsëriten vonesat e pagave mujore dhe në shumicën e tyre ka vonesa pagash që tejkalojnë dy muaj. Ndërkohë që nga 18 televizione, në 17 prej tyre vonesat e pagave për stafet dhe gazetarët në veçanti vonojnë përsëritshëm nga dy e tre muaj. Ndërkohë që në të gjitha mediat e vendit kontratat nuk ripërsëriten dhe në rastet e rralla, janë disfavorizuese për gazetarët.

Pranë zyrës së Unionit të Gazetarëve dhe në degët e qarqeve, gjatë tre muajve të fundit janë shtuar ankesat dhe denoncimet e gazetarëve për pronarë dhe administratorë, të cilët jo vetëm që nuk u kanë paguar pagesat e vonuara, por vijojnë t’i rëndojnë psikologjikisht në rrethanat e një mjedisi ku mungesat financiare nuk rëndojnë vetëm te pagat, por edhe te mungesa e kushteve të punës, infrastrukturës dhe mjeteve logjistike të nevojshme. Në këtë histori të tejzgjatur përsëritjesh të vonesave dhe realitetit të punës së papaguar të gazetarëve, fatkeqësisht përfshihen mediat pro dhe ato kundër qeverisë.

DEKLARATA

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon edhe disa raste të skajshme ku media të falimentuara, gazeta dhe televizione të cilat janë zhytur në realitetin e borxheve financiare dhe detyrimeve fiskale ndaj shtetit, vazhdojnë të mashtrojnë gazetarët për pagat, shpesh i përzënë ata dhe i zëvendësojnë në mënyrën më të paskrupullt me student dhe praktikantë të gazetarisë.

Kjo situatë alarmante po varfëron dhe ndëshkon cilësinë e mediave të vendit, diskriminon gazetarët me përvojë dhe me cilësi profesionale, deformon tmerrësisht skenën mediatike të vendit dhe e klasifikon Shqipërinë ndër vendet e Europës me nivelin më të lartë të informalitetit në media.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, duke dhënë alarmin për këtë gjendje dhe këtë situatë, kërkon nga komuniteti i gazetarëve të denoncojnë me kurajë të gjitha rastet e shkeljes së të drejtës së gazetarëve për të pasur pagesa korrekte mujore dhe këmbënguljen e çdo gazetari për pasjen e një kontrate punësimi nga punëdhënësit e mediave të vendit.

Unioni i Gazetarëve shpreh indinjatën e vet ndaj heshtjes vrastare të institucioneve ligjore ndaj kësaj situate. Ne kërkojmë nga Ministria e Punës, Inspektorati i Punës, Drejtoria e Përgjithshme e tatim taksave dhe OSBE-së të reagojnë në kohë për ndryshimin e kësaj gjendjeje skandaloze. Një situatë e tillë është e pangjarë në periudhën kohore të 10 vjetëve të fundit dhe sipas të gjitha gjasave, ajo po shkon drejt një përkeqësimi edhe më të madh. Në këtë gjendje kritike përfshihen edhe dhjetëra gazetarë që punojnë në kushtet e freelance-s, një status i papërcaktuar dhe i pashprehur ligjërisht në skenën mediatike të vendit, të cilët përballen me vonesa të honorareve dhe sidomos në shumicën e rasteve me realitetin e shfrytëzimit të produktit të tyre autorial, përkundër ligjit për pronësinë intelektuale.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apelon për një reagim shumëpalësh të menjëhershëm për mos ta kthyer gjendjen në situatë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme të 22 vjetëve të periudhës postkomuniste shqiptare.

6 komente në “Mediat në krizë: Vonesa pagash në mbi 75% të gazetave dhe televizioneve të vendit”

  1. Enver Hoxha says:

    Une e mbylla me ligj shtypin opozitar, kurse saliu i mbyll me dhunen e pushtetit, eshte shume kollaj, hiqi subvensionet dhe cdo gje qe mbahet nje TV dhe gazete, qe ste pelqen dhe ato mbyllen vete dhe rrine ne treg gazetat e famshme te partise, si gazeta qe konkuron Tajmsin, 55-sa e fahriut ish spiunit tim numer 1 ne gazeten zeri i popullit, qendron TV KLAN me sandrin qe deri tani i ka ruajtur me sukses, investimet e familjes se saliut.
    Me shate mua, me perdhoset, slate gje pa thene, jam dakort te gjitha qendrojne, por ju o popull, kete meritonit, pse kerkoni ate qe ju se meritoni, se po te ishit se une ju bera te vuani ne diktature, atehere sdo te lejonit tjeter enver qe tju fuste nen nje diktature te re.
    Por ju vete na kerkoni, dhe ne vijme se jeni ju pa jemi ne, se po te ishit ju ndryshe, ne sdo te kishim vend dhe sdo te guxonim te vinim, por meqe ju jeni kaq budallenj, pse mos te vime dhe tju a fusim, fundja fundit, kjo eshte jeta i forti ha te dobtin.

  2. worcester ma says:

    unioni i gazetareve pse nuk i referohet emrave te gazetave dhe te stacioneve televizive qe jane me problematike.apo si gjithmone, ne kete vend asnje ska frike nga asnje dhe te gjithe kane frike nga te gjithe.

  3. Ivani i madh says:

    O po kam halle e Fezos, Soniles,Zheit.Kelit, Prekes a i kane mare rogat se skane me se te ushqejne familjet e tyre se diten e rogave presin e ka raste kerkojne tek komshinjte deri sa te vije dita e rogave .Keta ti kinikujdes se pa keta vdiq medja e shtypi yne dhe Shqiperine e mori lumi.

  4. Arsen says:

    Gazetareve nuk u japin rroga sepse nuk vlejne. Pyetjet e ngordhura qe bejne nuk i hyjne ne pune askujt. Unionit te gazetareve tu vije turp qe kerkojne meshire tek Frangaj me shoke. Ky Union duhet te ishte nje fuci baruti e rrezikshme dhe gazetaret “bisha te egra” jo servila pune-kerkues.

  5. tani says:

    kushuriri im ne planet tv ka 3 muaj pa marre rrogat, interesohuni skandal i mbajne si skllever

  6. met llagami says:

    Po qe jane ne kete gjendje gazetaret e dim mire ne,mjaft te shohesh cfare gazetarie eshte po une nuk kuptoj pse duhet te qendrojne kaqe urte keta gazetaret e papguar dhe qe punojne ne pune te zeze? Kaq frike paskan keta ti dalin hapur me protesta dhe bojkotim te punes ketyre mender pronareve legena qe jane dhe te paarsimuar? Kete te bej dhe Unioni se nuk ja del dot me deklarata dhe te tjera shkrime qe i kane ne dore per ti transmetuar keta legenat qe jane pronare sherbetor te pushtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje