Lufta e Napolit për titullin kampion në Serinë A ka pësuar një komplikim të vogël për shkak të çështjes së manipulimit të rezultateve. Seanca e të hënës pritet të konfirmojë një penalizim ndaj skuadrës që aktualisht rivalizon me Juventusin për shkak të përfshirjes së ish-portierit Mateo Xhianelo, i cili ka pranuar se ka qenë i përfshirë dhe në dijeni të plotë të trukimit të disa ndeshjeve të Serisë A dhe B, gjatë periudhës kur ishte pjesë e këtij klubi.
Pohimi i Xhianelos ka futur në telashe Napolin, pasi kjo do të thotë se sipas rregulloreve aktuale të Federatës Italiane të Futbollit, edhe klubi në të cilin ai aktivizohej është përgjegjës.
Ndonëse klubi do të mundohet që të provojë pafajësinë e tij në të gjitha mënyrat, përgjegjësia objektive do të hyjë në fuqi dhe ashtu si shumë skuadra të tjera të Serisë A dhe B, Napoli do të penalizohet për kampionatin në vijim, më saktësisht me heqjen e dy pikëve nga klasifikimi.
Për më tepër, klubi gjendet në një situatë mjaft delikate, si të zgjedhë apelimin, ashtu edhe si të mos zgjedhë atë rrugë. Nëse edhe Napoli pranon fajin, penalizmi do të ulej në një pikë, por imazhi i klubit do të pësonte një dëm shumë të madh, pasi deri tani, ka qenë krejtësisht jashtë çdo skandali të këtij lloji.