Një politikan në SHBA ka deklaruar se ping pingu është më i rrezikshëm se armët.
Kyle Kacal, që pritet të marrë së shpejti detyrën si kongresmen i Teksasit, insistoi se nuk duhet të hyjë në fuqi një ndalim i armëve.
“Kam dëgjuar për njerëz që janë vrarë duke luajtur ping pong. Kjo lojë është më e rrezikshme se armët. Televizorët me ekrane të sheshtë po plagosin shumë fëmijë ditët e sotme,” tha ai.
Komentet e tij vijnë një javë pasi 20 vjeçari Adam Lanza hyri në një shkollë fillore duke masakruar 20 fëmijë dhe 6 të rritur.
Masakra ka bërë që të shtohen thirrjet për një kontroll më të rreptë të armëve në SHBA.
Ndërkohë në deklaratën e parë pas kësaj tragjedie, Shoqata Kombëtare e Armëve në SHBA ia vuri fajin për masakrën medias së dhunshme, duke hedhur poshtë propozimet për kontroll më të rreptë të armëve.
Drejtuesi i këtij grupimi, Wayne LaPierre tha: “E vetmja mënyrë për të ndaluar një djalë të keq me armë është një djalë i mirë me armë”.
Ai i bëri thirrje Kongresit që të miratojë masa që në çdo shkollë të ketë oficerë të armatosur të policisë.
Në SHBA raportohet këto ditë një rritje e ndjeshme e shitjes së armëve.
Një shitës armësh në qytetin ku ndodhi masakra, tha se do u ofrojë mësuesve armë me ulje çmimi.