Familja e ish- agjentit të FBI-së, Robert Levinson, ka publikuar për mediat fotot që u kanë dërguar rrëmbyesit e tij.
Levinson, i humbur prej gjashtë vitesh, dyshohet se është rrëmbyer nga Irani.
Imazhet janë dërguar më herët për familjen, por ajo i ka bërë publike tani fotot për të mbajtur gjallë çështjen e zhdukjes së tij.
Duke pozuar me një kostum portokalli, si ata që mbajnë në burgun e Guantanamos, ai mban në duar mesazhe politike.
Në njërin prej mesazheve lexohet: “Jam këtu në Guantanamo, e dini se ku është?”. Në një tjetër mesazh lexohet: “Ky është rezultati i të shërbyerit për 30 vite për SHBA”.
Hetuesit nuk kanë arritur që të gjejnë gjurmë të burimit që ka dërguar fotot për familjen, çka tregon nivelin e lartë të ekspertizës teknologjike të përdorur prej tyre.
Pavarësisht se Irani e mohon vazhdimisht, zyrtarët amerikanë besojnë se pas rrëmbimit qëndron Ministria për Inteligjencën dhe Sigurinë e Iranit. Mesazhet që mban Levinson e kanë shtuar akoma më shumë dyshimin e amerikanëve.
Levinson, një hetues privat, u zhduk në vitin 2007 në ishullin iranian të Kishit.
Amerikanët kanë hetuar në Afganistan dhe Pakistan në lidhje me fotot dhe një video të dërguar prej tyre, por nuk kanë gjetur ndonjë gjurmë.
Gruaja e Levinson, Christine, thotë se qeveria nuk po bën aq sa duhet për të zbuluar se ku ndodhet i shoqi.
Ajo kërkon që të ushtrohet më shumë presion ndaj Iranit.
Levinson, ekspert në FBI për krimet ruse, doli në pension në vitin 1998 dhe nisi të punonte si hetues privat.
Ai po hetonte kontrabandën e cigareve kur mbërriti në ishullin e Kishit, një vend i njohur për trafiqe dhe krim të organizuar. Është një zonë e lirë ekonomike, që do të thotë se qytetarët amerikanë nuk kanë nevojë për vizë për të udhëtuar aty.
FBI thotë se ata janë të përkushtuar për gjetjen e tij.
Viva Americaaaaaaaaaaaa