Vëzhguesit vendorë: Listat paraprake të zgjedhësve, ende të pasakta e të papublikuara

9 Janar 2013, 21:57Politika TEMA

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) konstaton se procesi i përgatitjes dhe publikimit të listave paraprake të zgjedhësve, më saktësisht i ekstraktit të parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve, sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, është cenuar nga mosrespektimi i afateve ligjore të parashikuara dhe moszbatimi i dispozitave ligjore të përcaktuara.

Sipas ligjit, të gjitha njësitë vendore duhet që brenda datës 3 janar 2013 të kishin përgatitur, printuar dhe publikuar në ambientet e Zyrave të Gjendjes Civile, ose në ambientet pranë tyre me akses të lirë për publikun, ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve.

Koalicioni ngre shqetësimin për ndjeshmërinë e pakët ndaj zbatimit me korrektësi të ligjit që vërehet në një pjesë të madhe të zyrtarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore, madje disa prej tyre nuk janë në dijeni të detyrimit ligjor apo kanë informacion të gabuar mbi dispozitat që përcaktojnë afatet apo mënyrat e publikimit të listave paraprake të zgjedhësve.

Një pjesë e Njësive të Qeverisjes Vendore ende janë duke punuar për riformatimin e qendrave të votimit sipas kërkesave të reja të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon shkrirjen e qendrave të votimit me më pak se 200 zgjedhës si dhe ndarjen e qendrave të votimit me më shumë se 1000 zgjedhës (përjashto qarkun Tiranë ku ky kufi është 700 zgjedhës), ndërkohë që afati i përcaktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit sipas procedurave të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe në udhëzimin e Ministrisë së Brendshme ka qenë data 3 janar 2013.

“Sipas informacioneve të marra kryesisht nga Njësitë Bashkiake në Tiranë, konstatohet se ka pasur probleme në lidhje me ndarjen e zgjedhësve me të njëjtin mbiemër apo nga e njëjta familje në qendra të ndryshme votimi, ndërkohë që Kodi Zgjedhor përcakton qartë se “programi kompjuterik i RKGJC (Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile) bën ndarjen automatike të listës mbi bazën e numrit të qendrës së votimit të caktuar çdo zgjedhësi. Zgjedhësit me të njëjtin mbiemër nuk mund të ndahen në lista të ndryshme”.

Në ekstraktin zgjedhor janë evidentuar edhe pasaktësi të tjera, madje rezultojnë qendra votimi pa asnjë të dhënë siç është rasti i QV Nr. 1699 në Njësinë Bashkiake Nr. 1, në Tiranë,” thuhet në njoftimin e KVV.

3 komente në “Vëzhguesit vendorë: Listat paraprake të zgjedhësve, ende të pasakta e të papublikuara”

  1. Misionarja says:

    Mos u merrni me lista e me pasaktesira. Cdo gje eshte e qarte si drita e diellit qe Sala do ti vjedhi votat me te gjitha menyrat. Nese akome mendoni se mund te beni zgjedhje me Saliun si kryeminister, une mendoj qe populli me mire te mos shkoje ne votime, se shume e kane perdhosur voten e tij. Nese nuk rrezohet kjo qeveri dhe te kete nje qeveri teknike qe te siguroje zgjedhjet cdo gje eshte e kote!

  2. gjergj neli says:

    te verifikohet qendra e votimit ku do votohet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje