Dabulla: Mu duk e çuditshme që Rrudhon e kapën me drogë, nuk të jepte këtë përshtypje

4 Shkurt 2013, 11:06Kronika TEMA

Xhulian Rrudho është arrestuar dy ditë më parë nga policia e Ankonës në Itali me një kilogram e gjysmë kokainë të pastër, duke i zhgënjyer të gjithë ata që besonin tek ai.

Rrudho, një futbollist premtues në moshën 20 vjeçare, ka provuar deri serinë A, madje ka veshur edhe fanellën e kombëtares Shpresa, pasi duke qenë një futbollist i mirë, trajneri Artan Bushati nuk mund ta neglizhonte.

Mënyra se si Rrudho dhe shoku i tij Nimet Zeqiri vepronin, i ka lënë të habitur edhe autoritetet policore italiane.

Lëvizje me autobus, gropë në park për fshehjen e drogës dhe tregtimi në zonat me të rinj që përdornin drogë, tregojnë se Rrudho ishte kthyer tashmë në një shpërndarës të sofistikuar.

“Nuk është se e mbaj shumë mend pasi ka luajtur shumë pak, por natyrisht që nuk të jepte kurrë këtë përshtypje”, ka pohuar Rezart Dabulla për GSH, pasi e ka pasur disa muaj tek Tirana.

“Dukej një djalë i urtë dhe i rregullt, ndoshta edhe për shkak të faktit se te ne ishte lojtar i ri. Megjithatë kjo më duket shumë e çuditshme, sepse e thashë që nuk të jepte përshtypje”, shpjegon Dabulla.

Më pas duket se Rrudho nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë në futboll dhe emri i tij është dëgjuar sërish vetëm dy ditë më parë, pasi është kapur me kokainë në mbathje.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje