Me këtë ritëm, Kosova larg heqjes së vizave

12 Shkurt 2013, 11:51Rajoni TEMA

Optimizmi i zyrtarëve të qeverisë së Kosovës për arritjen e shpejtë të liberalizimit të vizave, i shprehur para një viti, kur në Kosovë ishte dorëzuar Udhërrëfyesi, duket se është venitur tani kur Komisioni Evropian ka nxjerrë raportin e tij të parë për përparimin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave nga udhërrëfyesi për liberalizim vizash.

Para një viti nga kryeministri e deri te ministrat e qeverisë “garantonin” se Kosova “në afat rekord” do t’i përmbushë të gjitha detyrimet, madje duke përmendur edhe fundin e vitit 2012 si afat të heqjes së vizave, por tani nuk dëgjohen premtime të tilla.

Në Bruksel shpresojnë që edhe liderët kosovarë ta kenë kuptuar se procesi i përmbushjes së detyrimeve për liberalizim vizash në rastin e Kosovës është i gjatë dhe i komplikuar dhe se nuk do të ndodhë shpejt.

“Siç shihni në raport, sfidat para Kosovës janë të mëdha dhe ato nuk mund të arrihen lehtë. Por ne inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të punojnë me vullnet edhe më të madh për të arritur përparim në këtë drejtim”, i ka thënë “Kohës Ditore” një zyrtar i BE-së, duke iu referuar edhe raportit të parë të Komisionit mbi përparimin e Kosovës në dialogun e vizave. Ata kanë porositur zyrtarët e Kosovës të bëjnë më shumë në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të zbatojnë ligjet pa ndikime politike e të flasin më pak për data.

Për raportin të martën në Kosovë do të diskutojnë zyrtarë të Komisionit Evropian dhe ata të Qeverisë së Kosovës. Ajo që në Bruksel duan ta bëjnë të qartë është se ky raport është i pari dhe se të tillë do të ketë edhe disa në të ardhmen derisa Kosova të mos i përmbushë të gjitha kushtet.

Në pyetjet lidhur me mundësinë që këtë vit Kosovës t’i hiqen vizat, disa diplomatë të BE-së thanë se “kjo pyetje është aq joserioze, saqë nuk meriton as përgjigje”./KD

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje