Një takim shumë i gjatë, nga i cili nuk dolën hollësi rreth përmbajtjes së tij. Kështu mund të përmblidhet raundi i shtatë i dialogut në nivel të lartë politikë ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.
Ky raund zgjati më shumë se 12 orë, me takime trepalëshe, por edhe me takime bilaterale të Baroneshës Ashton me dy kryeministrat.
Për herë të parë Thaçi, Daçiç dhe Ashton dolën së bashku para gazetarëve në fund të takimit, por jo për t’iu përgjigjur pyetjeve, por vetëm për të dhënë deklarata nga të cilat nuk zbuluan pothuajse asgjë, raportoi korrespondenti i “Kohës Ditore” në Bruksel.
Si duket, po vazhdohet të ndiqet qasja e zyrës së Zonjës Ashton, sipas së cilës, sa më pak të ketë informacion, aq më lehtë do të arrihet marrëveshja.
Sido që të jetë, Thaçi, Daçiç dhe Ashton para gazetarëve folën më shumë në mënyrë të përgjithësuar për rëndësinë e dialogut, për nevojën e arritjes së marrëveshjes dhe procesin e integrimeve evropiane, për ditëlindjen e zonjës Ashton dhe për fluturimet me avion për New York, por nuk thanë shumë për kompetencat e asociacionit apo bashkësisë së komunave serbe që do të krijohet në Kosovë, e që shihet si rrugë për të zgjidhur problemin e strukturave paralele në veri të Kosovës.
Madje edhe kjo paraqitje e përbashkët para gazetarëve thuhet të ketë qenë ide e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç. “Nuk është sekret se kjo ka qenë me kërkesën time që të dalim së bashku para gazetarëve, në mënyrë që të mos dalin interpretime të ndryshme,” tha Daçiç.
E para foli përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politike të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton. Ajo falënderoi dy kryeministrat për “frymën konstruktive” dhe për “përkushtimin” me të cilin janë angazhuar në dialog për të arritur zgjidhje në emër të atyre që përfaqësojnë. “Është qëndrim imi personal se jemi shumë afër zgjidhjes për çështjen më të vështirë që ka të bëjë me veriun e Kosovës,” tha Ashton, duke shtuar se “qëllimi i këtij dialogu ka qenë gjithmonë për të normalizuar raportet (mes Kosovës dhe Serbisë) dhe BE-ja mbetet e përkushtuar që të mbështet arritjen e këtij qëllimi”.
“Pasi kaluam një ditë të tërë së bashku, tani është koha për konsultime. Duhet të sigurojmë që ajo për të cilën merremi vesh do të zbatohet në terren”, tha ndërmjetësja e këtij dialogu, duke paralajmëruar se do të ketë konsultime para së të zhvillohet takimi i radhës, më 2 prill.
Ashton tha edhe se takimi i radhës, më 2 prill, do të jetë “takimi i fundit për këtë grup çështjesh që po bisedohen”.
Duke thënë se “nuk ka pasur shoqëri më të mirë me të cilën do të kishte mundur ta kalonte ditëlindjen,” dhe duke zbuluar se ajo, Thaçi dhe Daçiq do të udhëtojnë me të njëjtin avion për në New York, Ashton shtoi se “dhurata më e mirë e tyre për ditëlindje do të jetë nëse ata vazhdojnë dialogun edhe atje, në mënyrë që të arrihet zgjidhja përfundimtare për veriun në takimin e radhës, më 2 prill”.
E përbashkët në deklaratat e dy kryeministrave ishte se të dy thanë se “nuk mund të thonë se janë as afër e as larg marrëveshjes”./KD