TemA TV/ Ambasadorja çeke: Duhet një KQZ e balancuar me shtatë anëtarë (VIDEO)

26 Prill 2013, 13:22Sociale TEMA

Ambasadorja e Çekisë në Shqipëri Bronislava Tomasova u shpreh se funksionimi i demokracisë në vend, do të matet me cilësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

“Zhvillimet e fundit lidhur me KQZ-në nuk janë të dëshirueshme. Data e zgjedhjeve po afron dhe të gjithë këtu në Shqipëri e dinë se këto zgjedhje po ndiqen nga afër prej vendeve anëtare të BE-së. Në raportin e fundit të konkluzioneve në dhjetor u deklarua se zgjedhjet janë testi për funksionimin e institucioneve demokratike”, theksoi ambasadorja çeke.

Diplomatja europiane u bëri thirrje partive politike të përmirësojnë jo vetëm dialogun midis tyre, por edhe bashkëpunimin, pasi kjo është rruga e vetme sesi funksionon demokracia.

“Në çdo demokraci dihet se ka parti që qeverisin dhe parti në opozitë. Secila nga ato ka rolin e saj të veçantë dhe duhet kuptuar, se nuk duhet të ketë armiqësi midis partive në pushtet dhe opozitës, por duhet të ketë një bashkëpunim të mirë për të bërë që qeverisja ti shërbejë popullit”, tha Tomasova.

“KQZ duhet të ketë 7 anëtarë dhe pushteti në komision duhet të jetë i balancuar. Komisioni në rrugë teknike dhe të pavarur duhet vetëm të përgatisë zgjedhjet dhe të garantojë që ato të jenë të lira dhe të ndershme. Partitë politike janë të gjitha përgjegjëse për gjetjen e rrugës që të sigurojë se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe të ndershme”, nënvizoi ambasadorja e Çekisë në Tiranë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje