Ish- presidenti Alfred Moisiu, në një intervistë për gazetën TemA, thotë se në listën e kandidatëve aktuale për parlamentin, ka nga ata që kanë jo vetëm probleme të moralit, por edhe probleme me drejtësinë. Ai kritikon ashpër presidentin për përdorimin e ushtrisë në fushatë, ndërsa i bën thirrje të mbledhë partitë për të zgjidhur ngërçin e KQZ-së. Moisiu dyshon se ka tentativa për të prekur zgjedhjet, ndërsa apelon shqiptarët që të dalin masivisht në zgjedhje dhe të mendohen mirë kur të hedhin votën
Bisedoi: Lindita Çela
Z. Moisiu, nën siglën e forumit ku ju jeni anëtar, në vitin 2009, iniciuat dhe realizuat një proces që kishte të bënte me verifikimin e figurave të kandidatëve për deputet. Kjo nismë nuk është ndërmarrë për kandidatët e kësaj legjislature parlamentare? Përse u tërhoqët nga kjo nismë?
Është e vërtetë që kam qenë pjesë e një grupi që ndërmori nismën “Për një Parlament të Pastër” për zgjedhjet e vitit 2009. Nisma, për të qenë korrekt u ndërmor nga Mjaft, ku u bashkova dhe unë dhe një sërë organizatash të shoqërisë civile. Nisma për një parlament të pastër kishte për qëllim që të ndikonte në mënyrë sa më të përshtatshme që në listat e kandidatëve të përfshiheshin emra sa më cilësorë, sepse Shqipëria e meriton të ketë një Parlament të përbërë nga intelektualë, njerëz me integritet, njerëz që e njohin demokracinë perëndimore, njerëz që e duan të mirën e këtij vendi. Por për fat të keq, kjo nismë nuk dha frytet që pritej. Përgjegjësia kryesore për dështimin e saj ishte e forcave politike. E kam fjalën, në radhë të parë, për Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Në vitin 2009 ne dhamë mendimin tonë për kandidatët që nuk e meritonin të ishin në Parlament, megjithëse nuk kishim lista zyrtare të tyre. Mbështetur në kriteret e caktuara, një komision gazetarësh që grumbulluan të dhënat, mbi të cilat u krye vlerësimi, dhanë opinionet e tyre mbi vlerat personale të secilit. Mbi këto baza u hartua një listë, e cila iu dërgua forcave politike. Asokohe ne vlerësuam 21 kandidatura si të papërshtatshme për të qenë në sallën e Kuvendit. Por këto mendime të shoqërisë civile nuk u vlerësuan nga partitë politike, ata bënë çka kishin vendosur. Kjo që ne bëmë, krijoji një reagim të fortë tek personat që u përmendën, të cilët duke mos kuptuar qëllimin për të cilin u ndërmor ky veprim, hapën procese gjyqësore. Kjo nismë u mbështet në një përvojë rumune, e atje, si në disa vende të tjera, pati rezultat. Por për fat të keq, tek ne, si shumë nisma të tjera europiane e demokratike, nuk zënë vend. Dihet që tek ne, politika lufton më tepër dhe kryesisht për të marrë ose mbajtur pushtetin dhe jo për të ndërtuar demokracinë dhe shtetin.
Për këto arsye nuk u ndërmor kjo nismë për këtë legjislaturë të parlamentit?
Kjo nismë u ndërpre, ndoshta edhe për shkak të presioneve dhe problematikave që shkaktoi bërja publike e asaj liste që ne bëmë në vitin 2009. U hapën disa procese gjyqësore dhe vjet, nga fundi i vitit, përfunduam të fundit. Megjithëse vlerësimi që ne bëmë nuk ishte gjykim, por vetëm një mendim i shoqërisë civile, për të pasur në Kuvend njerëz sa më cilësorë, mënyra se si reaguan partitë na dizimpenjoi. Megjithatë gjykoj se kjo është gabim. Nga kjo nuk duhet të kishim hequr dorë. Unë insistoj që një komision i tillë, që të merret me figurat politike, duhet bërë, fort mirë madje. Mua më vjen keq që shoqëria shqiptare është kaq amorfe sot. Në fund të fundit ata njerëz që venë në Parlament përfaqësojnë interesat tona. Nëse në kërkojmë bërjen e shtetit, kjo nis nga përbërja e Parlamentit, sepse ata iniciojnë dhe miratojnë ligje. Por po të shikosh, nisur dhe nga eksperienca që kam pasur në krye të shtetit, më shumë Parlamenti ngjan me reparte ushtarake, ku kemi dy komandantë, e që ata të zgjedhurit zbatojnë urdhrat e tyre, majtas kthehu e djathtas kthehu, dhe kaq. Unë them ne duhet ta korrigjojmë këtë përbërje të Parlamentit. Mënyra aktuale, ku listat e kandidatëve hartohen në sekret të plotë dhe shpallen vetëm 5 minuta para mbarimit të afatit ligjor, tregon një tmerr apo dhe frikë që kanë liderët politikë nga shpallja e tyre me kohë, që mund të lejonte gjykimin e cilësisë të kandidatëve. Unë nuk kuptoj pse kryetarët janë kaq të frikësuar për të publikuar listat me kohë, në mënyrë që çdokush do të jepte mendimin politik. Qoftë dhe për shfaqjen e listave minutat e fundit, ne nuk patëm asnjë mundësi që të jepnim mendimin tonë për këto kandidatura.
Nuk kanë qenë të paktë njerëzit që kanë thënë se politikës po i largohen akademikët, figurat e njohura me integritet dhe afrohen biznesmenë dhe njerëz, për të cilët nuk gjen dot të dhëna as në Google. A është shpresëdhënëse, qoftë për politikë apo dhe integritetin e vendit, kjo kasë politike që po vjen?
Kjo është e vërtetë sa thoni, nisur nga sistemi elektoral që ne kemi është fakt që pjesa më e madhe e deputetëve janë zgjedhur sipas pëlqimit, kryesisht, të kryetarëve. Por të them të drejtën, nga listat që janë bërë publike, pjesën më të madhe të tyre unë nuk i njoh. Nuk kanë asnjë CV, që të jetë botuar gjëkundi, dhe mbi bazën e saj të vlerësosh. Në shtyp nuk kam parë asnjë CV për to, por çfarë kam dëgjuar e lexuar është ajo që listat e deputetëve janë problematike. Ka akuza që në to ka njerëz që merren me biznese jo të pastër, disa akuzohen se kanë pasur dënime gjyqësore, ka akuza se disa prej tyre kanë kryer edhe burg. Unë nuk them se pesha e burgut është e përjetshme, por ndryshon nëse kanë qenë në burg për motive kriminale apo për gjëra rastësore. Të tillë kurrsesi nuk duhet të jenë në sallën e parlamentit. Por siç e thashë, askund nuk ka një CV dhe askund nuk ka transparencë. Ka vetëm fjalë, që për mendimin tim, e komprometojnë shumë parlamentin e ardhshëm të këtij vendi.
Z. Moisiu, megjithëse ende nuk ka nisur fushata elektorale, duket se dy forcat kryesore kanë ndezur gjithë motorët e propagandës. Vihen re se më së shumti fushatat janë mediatike apo edhe goxha të kushtueshme, madje nuk janë të paktë zërat që e quajnë “alla amerikane“. Në gjykimin tuaj, është pikërisht kjo që i ka munguar shqiptarëve? A gjeni në to alternativa të mirë për të nxjerrë vendin nga kriza?
Të ishte bërë kjo fushatë alla amerikane, do ishte mirë. Por ne mundohemi të imitojmë amerikanët, por nuk ia arrijmë dot. Mua më duket se këto zhurma, këto shfaqje, bëhen më së shumti për të mbuluar boshllëqet e mungesës së programeve, të cilësisë së kandidatëve dhe më shumë se kaq. Këto shfaqje bëhen për t’i marrë mendjen elektoratit shqiptar, për të thënë shiko se çfarë po bëhet. Por në fakt atë që tregojnë këto zhvillime, janë shpenzimet marramendëse për fushatë, që nuk e dimë se nga vijnë dhe nga i gjejnë gjithë këto para. Për to nuk ka transparencë apo qartësi nga vijnë paratë dhe si harxhohen. Ka disa reklama në media, që nuk u kupton njeriu pse duhen bërë dhe sa kushtojnë. Një prej tyre, mund të përmend atë të aderimit të Shqipërisë në NATO. Askush nuk e merr vesh pse bëhet në këtë kohë. Por jo vetëm kaq. Mund të thuash se tek ne “Maliqi” ka dalë në plan të parë dhe ligjin askush nuk e di se ku është. Po shohim që në shërbim të partisë në pushtet po dërgohen edhe mjetet e ushtrisë që është në kundërshtim me çdo ligj, qoftë dhe me rregullat që aplikon dhe na detyron aderimi në NATO. Nuk mund të justifikohet kjo me ndihmën e popullatës, që vërtet është një nga detyrat e ushtrisë së sotme, por jo në kohë fushatash! Si mund të ndodhë kjo në një shtet që i thotë vetës se është anëtar i NATO-s? Këtu duhet të ndërhyjë Presidenti i Republikës. Mbaj mend, në vitin 2005, u sinjalizua një rast që Ministri i Mbrojtjes të asaj kohe, kishte dërguar një buldozer për të hapur rrugën në një fshat të Korçës. Menjëherë kam mbledhur komandantët e Forcave ku i kam porositur në mënyrë të rreptë që ushtria të mos përfshihej në fushatën elektorale. Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për këtë punë është, pasi unë nuk besoj se do të bëhet ndonjëherë luftë ku do të dalin në pah aftësitë gjeniale të Komandantit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Të ruash integritetin e ushtrisë, që të jetë apolitike e të zbatosh kërkesat e NATO-s, ku ushtria të jetë e gjithë popullit, është detyra që i mbetet Presidentit të Republikës.
Kohët e fundit politika shqiptare është përfshirë në debate jo pak të ethshme, ku sigurisht ajo e anëtarëve të KQZ-së është ndër më të debatueshmet. Presidenti Nishani ka heshtur për këtë çështje, por cili është gjykimi juaj për sa ka ndodhur? A ishte legjitime shkarkimi i Muhos?
Ajo që ka ndodhur është ngjarja më e rëndë që ka pësuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. E vërteta është se në vitin 2003 kishim një institucion të përcaktuar mirë ligjërisht, qoftë në mënyrën e zgjedhjes ashtu dhe për detyrat e tij. Aso kohe, ishte një organ thjesht tekniko- organizativ, ndërsa tani është kthyer në një organ politik që komandohet me telefon. Kjo është e papranueshme. Për sa ka ndodhur më këtë institucion, që nga viti 2003, ka përgjegjësi politika shqiptare, por edhe OSBE-ja. Në vitin 2003, KQZ-ja mori goditjen e parë, pas ndryshimeve që u bënë asokohe, me kërkesë të opozitës, por që morën dhe bekimin e mbështetjen e drejtuesve të OSBE-së. Kjo i hapi rrugën emërimeve politike, ndërsa ndryshimet kushtetuese në vitin 2008, e djallosën fare punën, e sot ne kemi këtë KQZ, që është jo vetëm e përfolur, por dhe e akuzuar në raportet ndërkombëtare. Cila është interesante tashmë në këtë institucion? Formula e betimit që përcaktohet në ligj. Kushdo që vendoset aty betohet se do të ushtrojë detyrën, në mënyrë profesionale, të pavarur, apolitike dhe me ndërgjegje, por e vërteta është se këto persona komandohen me telefon nga kryetarët e partive politike. Unë mendoj se largimi i Muhos nuk duhet të ndodhte dhe ishte i jashtëligjshëm e antikushtetues. Rasti tregoi se këtu ligjet nuk kanë asnjë vlerë e zbatueshmëria e tyre asnjë siguri, pasi edhe kur bëhen me konsensus, mjaftojnë kartonët në Parlament dhe gjithçka zhbëhet. Rasti i Muhos tregon se verifikimi i figurave në pozicione kyçe të vendit është domosdoshmëri. Unë kam frikë se po të gërmosh dosjet, siç u bë me të kur donin ta shkarkonin, nuk di se sa deputet do të dilnin skarco. Rasti i tij, nuk është se u zbulua nga ndonjë ekip arkeologjik, por tregoi që drejtuesit politik kur duan i fshehin dosjet dhe kur u intereson i nxjerrin për të përbaltur këdo.
Por Presidenti nuk duhet të ndërhyjë sa po ndodh?
Mendoj se ka ardhur koha që Presidenti duhet të zbresë në fushë, sepse në këtë mënyrë se si po zhvillohet situata, zgjedhjet tona janë në rrezik. Rrezikimi i zgjedhjeve rrezikon dhe stabilitetin e vendit, pra cenon dhe unitetin e popullit. Dhe një nga detyrat për të cilat Presidenti i Republikës përgjigjet, në bazë të Kushtetutës, është uniteti i popullit. Për këtë arsye gjykoj se ka ardhur koha që Presidenti të mbledhë partitë dhe të gjejnë rrugëzgjidhje për çështjen e KQZ.
Pra, z. President, ju po thoni, nëse shkohet në zgjedhje me katër anëtarë të KQZ-së, procesi nuk është i garantuar?
Kjo është një anomali që po ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe sigurisht që KQZ-ja, gjysmë përgjysmë, sigurisht që nuk është aspak normale. Unë them se kjo do të krijojë probleme të mëdha. Ne kemi një përvojë shumë të hidhur nga KQZ-ja dhe kur ishte më 7 anëtarë. Mos harrojmë se në vitin 2011 organizmat ndërkombëtarë kritikuan rreptë rolin dhe përfshirjen e KQZ-së në situatat e krijuara. Pra kjo tregon se komisioni luan rol edhe për të prishur zgjedhjet.
Dhe kush do të ketë përgjegjësi për këtë?
Sigurisht që fajtori kryesor është mazhoranca që bëri këtë operacion dhe krijoi këtë problematikë, por dhe opozita ka përgjegjësinë e saj. Unë nuk mund të kuptoj kur thotë se zgjedhjet edhe po t’i bëjë në shtëpinë e vet Berisha, ata do i fitojnë. Nuk mund të them se kush i fiton, por që opozita të lejojë këtë situatë është e pashpjegueshme. Unë gjykoj se opozita duhet të bëjë presionin e saj. E ka lënë situatën në rrjedhshëmërinë e vet, por mendoj se kjo do të çojë drejtë zeros.
Një tjetër çështje e debatueshme apo që ka hasur fort debate politike, ka qenë dhe bashkimi i Partisë Lëvizja për Integrim, me atë Socialistë. Pas kësaj marrëveshje, Rama tha se çdo kritiku, kjo marrëveshje i la shijen e baltës, e cila pasi do të gëlltitet do të ëmbëlsohet me shijen e fitores. Z. President, çfarë shije ju la ju kjo marrëveshje e realizuar me 1 prill?
Për mendimin tim, e kam thënë dhe herë të tjera, ky koalicion është i pahijshëm, por i nevojshëm ama.
Z. President, qeverisja e Partisë Demokratike është shoqëruar me jo pak skandale korruptive, ndërkohë që duket se vendi ka pësuar një stanjacion, qoftë politik ashtu dhe ekonomik. Ndani ju mendimin se, për të pasur një zhvillim ekonomik vendi ka nevojë për një rotacion politik?
Unë mendoj se gjatë këtij tetëvjeçari, sidomos dy vitet e fundit, ka pasur shumë defekte. Ekonomia ka rënë, papunësia është rritur, varfëria është rritur, investimet e huaja kanë rënë, korrupsioni është rritur, bujqësia është në pikën e zezë të saj e të tjera. Pra ka shenja mjaft negative, në të gjitha drejtimet, por mbi të gjitha në këtë vend nuk ka transparencë për asgjë. Pra për gjithë këto rotacioni është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Ndaj dhe thashë që zgjedhjet në këtë vend janë në rrezik. Por nëqoftëse bëhen përpjekje për të ndjekur rrugët jo ligjore të fitimit të zgjedhjeve, nëpërmjet manipulimit, kjo mund të na çojë në një situatë të paparashikuar, në një situatë ku asnjë nuk do dijë çdo të ndodhë pas 23 qershorit.
Z. President, paprekshmëria e votës dhe garantimi i një procesi zgjedhor, është kusht i aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në gjykimin tuaj a po punohet që të garantohet një proces i ndershëm zgjedhor?
Nisur nga fakti që listat zgjedhore ende nuk janë publikuar, që ka probleme që të bëjnë të dyshosh, kjo tregon dy gjëra; paaftësinë e aparatit shtetërore për të organizuar një proces normal zgjedhor ose përgatitjen e teknikave të sofistikuara për t’i manipuluar ato. Gjykoj se opozita, por mbi të gjitha mazhoranca, duhet të tregohet shumë e kujdesshme për këto zgjedhje. Është moment shumë kritik për Shqipërinë dhe askush nuk mund të luajë me zgjedhjet në këtë vend.
Sa dhe po thuhet, zgjedhjet do të monitorohen nga një numër i madh vëzhguesish. Prezencën e tyre, z. President, a e shikoni si një garanci për një proces normal zgjedhor në vend?
Zgjedhjet në Shqipëri janë monitoruar sa herë janë zhvilluar, por deri më tani ne nuk ia kemi dalë që të organizojmë zgjedhje të pranuara nga ndërkombëtarët. Qëndrimet e tyre për proceset zgjedhore kanë qenë gjithnjë të kamufluara dhe asnjëherë nuk e kemi kuptuar se kush e ka fajin edhe cilat standarde nuk janë plotësuar, pasi gjithnjë thuhet: “më mirë se më përpara, por nuk është arritur atje ku duhet”! Madje dhe deklarata e fundit e kreut të misionit të vëzhgimit ishte se ata nuk janë arbitër, e se nuk mund të ndikojnë në organizimin e një procesi zgjedhor sa më të arrirë. Por kur ata as nuk bëjnë arbitrin e as nuk thonë troç qëndrimin e tyre mbi standardet e zgjedhjeve, atëherë nuk e kuptojmë pse duhet të jenë këtu. Për mua garancia e zgjedhjeve më së shumti duhet të vijë nga roli i forcave politike në vend. Por ama, ky është momenti kyç për Shqipërinë.
Z. President, vendi tashmë është në prag të zgjedhjeve, por cili do të ishte apeli juaj qoftë për situatën politike ashtu dhe në mbarëvajtjen e këtij procesi?
Kryesoja është qe në shqiptarët të dalim masivisht në votime e të mendohemi mirë para kutisë së votimit, kujt t’ia japim votën. Pasi të kemi votuar është e kotë të qahemi më vonë, se si është jeta jonë apo se çfarë nuk mundëm të bëjmë. Do të ftoja mazhorancën të rrisë përgjegjësinë për të marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që jepen nga shoqëria civile për një organizim sa më të mirë të këtyre zgjedhjeve, pasi këto zgjedhje janë vendimtare për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Po ashtu, opozita të forcojë rolin e saj dhe të japë kontributin për të organizuar vërtet zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend. Populli nuk ka nevojë për ankesa, ai pret dhe dëshiron rezultate. Unë dua të përsëris dhe njëherë, dhe sinqerisht e ftoj Presidentin e Republikës, për kohën që ka mbetur, të bëjë të pamundurën, të mbledhë forcat politike për të gjetur një zgjidhje të problemeve që ka vendi, sidomos të konstituimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Me respekt te madh per Z Moisiu
Eshte i vetmi politikan i ketyre 23 vjeteve me moral dhe principe
Si gjithmone i ve pikat mbi ‘i’
Nderime
Moisiu presidenti i vetem qe ka bere tamam rolin e presidentit duke i dhene vlera ketij shteti. Njeri qe ja vlen ti degjohet fjala.
Nderima Gjeneral.
nishani nuk eshte i afte te drejtoje asgje pasi cdo udhezim politik i nishanit eshte i varur nga kryeministri …
PSE I BINI NE QAFE! AI ESHTE PER TU MESHIRUAR!
PO I THA SALIU, DO I MBLEDHE. LERENI REHAT ME HALLET QE KA.
Nishani nuk eshte dhe nuk ka per te qene ndonje here PRESIDENT.
Ai pret urdhera nga saliu de e di qe eshte akoma minister , po tani as ne rolin e ministrit nuk pornje shkalle me poshte ne rang drejtor drejtorie se ka frike nga te gjithe deputetet.
keshtu qe nuk kerkon dot qe te mbledhe partite per KQZ.
Cfare te mbledhe Nishani,kur ai qendron si kukull ne krye te shtetit,ai eshte thjesht per te firmosur ato qe i shkojne te gatshme nga PD
Po Zarat e Saliut jan kot si manikina qe kontrrollohen nga i madhi i mafies Berisha Korleone , po ska nga tja mbaj kesaj rradhe plehra po he , e tere bota do vi ti kontrrolloj keto votime .Bravo Moisiu qe kur ka qene President ka qen nga te paktit njerez qe nuk kan pasur frike per te thene te drejten e fjales , ja sic e verteton nga keto lajme qe dele e thote
nishani eshte bere imazhi i nje shqiprie te korruptuar qe vetem rri dhe ben cfare ti thon duke harruar se cfar pozicioni ka ne te vertet
Nishani eshte nje turp qe mban vendin e presidentit,po eshte ne ate faze qe vetem fjala “i shkreti ai” mund ti perfshatet.eshte faza e fundit e degradimin personalitet,skllav i heshtur por jo i ndershem,mashtrues si i zoti,hajdut si i zoti,madje madje qe kerkon vet skllaverin e tij.Per te ardhur keq qe eshte perfaqesues i nje shteti
Presidenti duhet te marre masa te menjehershme
Po z Mojsiu ne dokumentat e luftes se dyte Botrore ishte pikerishte i Jati keti presidentiqe ju dorzua ushtris greke sa kaloj Premetin . dhe per pelqimin e athines u be president .
Nuk dua te vazhdoj me tej se me vine neveri me keta serb e grek qe kane ber dhe medjat per vete per nje koce kunde Kombit .
Turp per nje ish Kryetar te flet e te paragjikoj situata te paparshikuara,… duke e ditur ish gjeneralin se cfare planifikon pas 23 Qershorit, pse se thua e se permend feste te ket Shqiperia, ashiqare shihet se ku e ke koken
Shqiperia dhe shqiptaret ku do qofshin te festojne pas zgjedhjeve!