Inspektorati ndërtimor, ping- pong me ndërtimin pa leje në rrugën “Fortuzi”

18 Korrik 2013, 18:12Sociale TEMA

Shuperka-Florenc Hoxhës: E tepruat, do t’ju kallëzojmë penalisht!

Nga Alberto Andrea

 

Temperaturat e larta të verës e kanë rritur në maksimum konfliktin midis njëzet familjeve të pallatit 90/1, që ndodhet në rrugën “Asim Vokshi” (Fortuzi) dhe Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik të Bashkisë së Tiranës.

Shkak është një bërë një shtesë kati e ngritur në rrugë të paligjshme, në tarracën e pallatit dhjetëkatësh, prej pronarit të truallit.

Është një ndërtim i paligjshëm që, sikurse tregojnë faktet shkresore të paraqitura prej banorëve, vazhdon të hedhë shtat falë lojës së ping-pongut që luan institucioni i drejtuar nga Florenc Hoxha.

“Vetëm gjatë këtyre ditëve të fundit i kemi shprehur sistematikisht ankesë me SMS, gojarisht, por edhe me shkresë zyrtare, personalisht kryeinspektorit Hoxha, zyrës juridike e zyrës operative të Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës. Na kanë garantuar se do të veprojnë dhe ka ndodhur që ngritësit e objektit të paligjshëm kanë ndërprerë për pak orë punimet, që kanë nisur t’i vazhdojnë më pas. Ja edhe tani atje punohet. Shihini dritaret e hapura, ja profilet e hekurit dhe betonit tek janë. Dëgjojini zhurmat. Dhe s’ka veç pak minuta që i nisëm më të fundit SMS kryeinspektorit Hoxha dhe që të jesh vetë dëshmitar po sinjalizojmë përsëri edhe sallën operative të Inspektoratit”.

Dhe ndërsa telefoni në krahun tjetër hapet dhe personi në shërbim i sallës operative të Inspektoratit, merr për të disatën herë ankesën për ndërtimin e paligjshëm që vazhdon të ngrihet në tarracën e pallatit 90/1 të rrugës “Fortuzi”, nuk ngurron të kthejë përgjigjen standard për veprim të menjëhershëm. Premtim që, sikurse edhe më parë, do të mbetet deri këtu.

Duke qenë thjesht pjesë e lojës së ping-pongut,që Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik i Bashkisë Tiranë ka nisur ta luajë me këta banorë që prej rreth katër vitesh. Gjë që e dëshmon,krahas të tjerave, edhe shkresa zyrtare më e fundit, e datës 09. 07.2013, që banorët e pallatit ja kanë adresuar përkatësisht, citojmë: “Z. Florenc Hoxha, kryeinspektor i Inspektoriatit Ndërtimor dhe Urbanistik të Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë Tiranë, z. Igli Totozani, Avokat i Popullit”.

Në lëndën e kësaj shkrese lexohet: “Kërkesë për zbatimin e një vendimi”, ndërkohë që në tekstin e mëposhtëm shkruhet:

“…Pas një korrespondence të gjatë shkresore, me vendimin nr.3251 prot., dt.30.06.2009, është vendosur prishja e ndërtimit të paligjshëm. Ky vendim megjithëse është marrë 4 (katër) vjet më parë nuk është zbatuar ende. Interesimit tonë për mosekzekutimin e këtij vendimi,ish drejtuesi i Inspektoratit Ndërtimor dhe Ndërtimor të Bashkisë, me shkresën nr.R 15262/1 prot., dt. 14.10.2009(fotokopja bashkëngjitur), i është përgjigjur duke thënë së vendimi: “nuk është zbatuar pasi ka pasur pamundësi teknike për prishjen e shtesës”.

I njëjti qëndrim është mbajtur edhe në shkresën tuaj nr.R-15161/3, dt. 27. 12.2011,në fund të të cilës ne garantohemi se: “Në rast të pajisjes me mjete teknike të prishjes së objekteve në lartësi do të risim procedurat ligjore për këtë ndërtim pa leje”.

Por, po i njëjti qëndrim, është mbajtur edhe nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, i cili me shkresën nr.77/2 prot., dt. 28. 03. 2012 (fotokopja bashkëngjitur),na informon se: “Vendimi për prishje objekti nr.3215,dt.30.06.2009, për subjektin Dritan Stërmasi, do të ekzekutohet prej tyre (pra prej INUT- shënimi ynë), kur të pajisen me mjete teknike të prishjes së objekteve në lartësi”.

Duke qenë se bëhet fjalë për struktura lehtësisht të çmontueshme, ne jemi të mendimit se mungon vullneti për të zbatuar vendimin që INUT u detyrua të nxjerrë (bëjmë me dije se ky vendim i INUT u nxor vetëm pasi ne bëmë kallëzimet penale përkatëse) dhe arsyeja e paraqitur nga INUT nuk është ligjore. Po kështu sqarojmë se vendimi nr.3251 prot.,dt.30.06.2009 i INUT “Për prishjen e një ndërtimi të paligjshëm”, nuk është një akt administrativ, që të jetë parashkruar.

Për gjithë sa më sipër ne ripërsërisim kërkesën tonë për ekzekutimin sa më parë të vendimit nr.3251 prot.,dt.30.06.2009 për prishjen e ndërtimit të paligjshëm në tarracën e pallatit tonë. Pasi,përpos të gjithave ky ndërtim rrezikon anën konstruktive të pallatit ku në banojmë; ka bllokuar hyrjen në tarracën e pallatit dhe bllokimi i daljes nga tarraca ka shkaktuar dëme konkrete në banesat e katit të fundit.

Së fundi shtojmë se këto ditë, mbi ndërtimin e parë të paligjshëm po bëhet sërish një shtesë tjetër,po e paligjshme. Ndaj do të kërkonim nga ana juaj që të ekzekutohet sa më parë vendimi i sipërpërmendur”.

Sikurse cituam më sipër, kjo është shkresë-ankesa më e fundit e banorëve të pallatit 90/1, të rrugës “Asim Vokshi” (“Fortuzi”). Ajo mban datën 09 korrik 2013, që do të thotë se po behn gati dy javë dhe, nga loja ping-pong e Inspektoratit Ndërtimor të drejtuar prej të njohurit për të tilla lojëra, Florenc Hoxha, nga indiferenca e Bashkisë së Lulzim Bashës, ndërtimi pa leje në tarracën e pallatit dhjetë katësh 90/1,vazhdon.

Ndërkohë Roland Shuperka, i cili përveçse banues në katin e dhjetë të pallatit 90/1, është dhe përfaqësues me prokurë i banorëve të cenuar, pohon se në dt. 16 korrik 2013 i ka nisur kryeinspektorit të Ndërtimores së Bashkisë mesazhin më të fundit. Nëpërmjet tij i ka kumtuar Florenc Hoxhës sosjen e durimit dhe bërjen e kallëzimit penal nga ana e banorëve, në rast se Inspektorati do të vazhdojë të veprojë si deri më sot, pra në shkelje të ligjit.

“Mjaft me lojëra që cenojnë qytetarët e ndershëm dhe ligjin. Ka ardhur koha që z.Hoxha dhe institucioni që ai drejton të kuptojnë se ligjet janë bërë për t’ia zbardhur jetën qytetarëve dhe jo për tu përdorur”, thotë i mirënjohuri për konsekuencën në zbatimin e ligjit antiduhan, Shuperka.

1 komente në “Inspektorati ndërtimor, ping- pong me ndërtimin pa leje në rrugën “Fortuzi””

  1. Xha Barka says:

    Shuperke,ca do mbjellesh do korresh!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje