INTERVISTA/ Si i përgjigjem ftesës së Edi Ramës

24 Shtator 2013, 10:32Politika TEMA

Dashamir Shehi, kreu i LZHK dhe deputeti i njohur i opozitës pranon se vendi ka nevojë për disa reforma urgjente ndër të cilat ai identifikon Kushtetutën, reformën administrative dhe atë të pronësisë. Shehi pohon se dualizmi Berisha-Basha ekziston dhe është produkt i inercisë politike brenda PD-së

Nga Skënder Minxhozi, JAVA

 

 

Z. Shehi, si po ju duket rikthimi në eksperiencën parlamentare pas shumë vitesh?

Unë gjykoj që ky është fillimi fare, dhe tani do pres që realisht të hyj në jetën aktive parlamentare. Unë nuk jam shkëputur ndonjëherë nga politika. Jam shkëputur nga jeta parlamentare, por nga politika e përditshme nuk jam shkëputur. Fatkeqësisht mendoj se parlamenti, nga ana kulturale, është pak më mbrapa sesa institucioni që kam frekuentuar unë dikur. Kjo ndoshta për efekt të asaj që këtë radhë është një grup i madh deputetësh që vijnë nga bota e biznesit, të cilët, sigurisht, aspektin politik e shikojnë nga një këndvështrim tjetër nga ai tradicional, që ishim mësuar ta shikonim ne. Mundet që të kenë ata të drejtë e ta kemi ne gabim…

Pra, sipas jush ka pak profesionistë të politikës?

Gjykoj që ka pak të tillë. Një pjesë e të cilëve u larguan për efekt të këtij ligji elektoral, ku kryetarët e partive i bëjnë vetë listat. Lista është gjithmonë e rinovueshme dhe për kryetarët janë preferenciale figurat e reja, kjo për një mijë arsye. Kështu që, një pjesë e mirë e këtyre që rëndom i quajmë veteranë parlamentarë, nuk i shoh më në atë sallë. Unë e quaj këtë një lloj varfërimi. Nuk po them që ky parlament duhet të jetë si një fotografi mature, e s’ka për të ndryshuar për njëzet vjet, por gjykoj që edhe principet e rinovimit duhet të jenë gjithnjë të predispozuara për të ruajtur, le ta quajmë, një kategori profesionale të politikës.

Duket se ka përpjekje, në këto hapa të para të parlamentit, për një model të ri të komunikimit, – të ri, të paktën në formë. Dyshja paraardhëse, Topalli-Berisha, kishte tendencën të ishte shumë e artikuluar, shumë agresive në momente të caktuara dhe të krijonte një debat shumë të gjallë me palën tjetër, ndërkohë që duket që kjo dyshe e re, Meta-Rama, zgjodhën një taktikë tjetër, ta paktën gjatë paraqitjes së programit. juve si ju duket kjo, si një komunikim politik në parlament, në këto hapa të para?

Unë do të thoja që duhet pritur. Janë shumë pak dy seanca dhe seancat sigurisht që kanë një ngarkesë më të ma­dhe politike, për të gjykuar sesi do të jetë e ardhmja. Unë do të thoja që nga kjo pikëpamje, prapë edhe këtu u gabua, sepse unë gjithnjë kam menduar që një personazh si Rama, që ka dhe një mazhorancë kaq të madhe rreth vetes, që është një luks politik, duhet ta fillonte mandatin në një mënyrë më tolerante ndaj palës tjetër dhe mund të ishin evituar një pjesë e këtyre sherreve që u kri­juan në këto dy seancat e para.

Megjithatë, unë gjykoj dhe shpresoj, madje edhe besoj në këtë rast, se do të kemi një klimë më të mirë parlamentare, e cila vjen nga dy elementë. Njëri, që mazhoranca është kaq e madhe saqë momentet e këqija politike sigurisht që do jenë më pak dhe, së dyti, kaq vjet eksperiencë parlamentare, sidomos për një njeri si Z. Meta, do t’i kenë mësuar sigurisht që ka një mijë mënyra për t’i evituar sherret brenda parlamentit. Do të ishte thjesht e mjaftueshme të mos i ushqesh sherret dhe ato shuhen vetvetiu.

Basha dhe Berisha folën hapur dhe në mënyrë të përsëritur për dhunë dhe terror ndaj opozitës. Ju a i vutë re këto dy elemente në këto hapa të para të Kuvendit?

Unë gjykoj që Basha dhe Berisha, më shumë se sa frikën e kësaj “dhune” të këtyre ditëve, kanë frikën e një kthimi të krahut tjetër drejt një lloj revanshi politik, duke qenë PD edhe me numra, më e pakët se sa një opozitë normale. Sigurisht që i gjithë ky reaksion shërben edhe si një lloj korace mbrojtëse, por unë gjykoj që me kalimin e ditëve, kur parlamenti të hyjë në një rrugë normale, PD-ja dhe Basha i ka mjetet dhe i ka mundësitë për të bërë jo thjesht një vetëmbrojtje, por për të bërë një jetë aktive politike.

Grupi i PD-së është i vogël fatkeqësisht, por ka një shans. Vjen nga një eksperiencë tetëvjeçare ekzekutivi, dhe kjo, e artikuluar mirë, është një lloj vlere. Vjen me njerëz që kanë një background politik. Për efekt edhe të vetë reduktimit të grupit, sigurisht që ka mbetur edhe pjesa më cilësore e grupit, sepse ishin fillimet e listave, gjë që nuk mund ta themi edhe për palën tjetër. Atëherë, unë gjykoj dhe besoj që kjo duhet të jetë linja ime, por edhe e gjithë kolegëve të tjerë. Mendoj që e gjithë opozita jonë duhet të mbështetet mbi kualitetin. Mbi kualitetin e debateve, mbi një lloj oferte tjetër politike, sepse mbi numrat loja do të ishte shumë e vështirë.

Ju mbajtët një diskutim për programin, i cili duket se gjeti konsensus nga të dy krahët. Përtej fjalimit të diskutimeve për programin në sallë dhe asaj që ju thatë, dhe asaj që u tha në përgjithësi, duket se qeveria e re ka në plan të ndërmarrë një numër ndërhyrjesh të fuqishme, prej të cilave disa kanë dhe formën e reformave kushtetuese, ose reformave të mëdha, siç quhen, të cilat kërkojnë shumë energji dhe shumë konsensus. Ju si i shihni këto reforma që Rama kërkon të ndërmarrë. Kam këtu parasysh reformën administrative, reformën në sistemin e drejtësisë, një ndërhyrje masive në drejtim të gjithçkaje që është ilegale në fushën e ndërtimeve, një ringritje dhe një disiplinim të sektorit të pronësisë, rendin publik gjithashtu… Ju si e konceptoni këtë platformë, a është logjike që brenda një mandati katër vjeçar, një qeveri të ketë kaq shumë ambicie, apo do të ishte më mirë të fokusohej në pak fusha?

Unë gjykoj që, përtej dëshirës që mund të ketë Rama për të ndryshuar sistemin ekzistues, mundësitë dhe energjitë e një mandati janë relativisht të kufizuara. Por unë mendoj, dhe e kam kërkuar këtë edhe në parlament, që të vihen disa prioritete. Në qoftë se duam të rindërtojmë shtetin shqiptar, atëherë duhet të shikojmë përpara. Prandaj kam vlerësuar që kjo fillon nga Kushtetuta. Ne përditë hasim në tematika, të cilat, po t’i shikojmë, kanë si burim o një kushtetutë të dobët, o institucionet, të cilat kanë dalë të dobëta nga kjo kushtetutë, ose një keqinterpretim të garancive të Kushtetutës. Me një fjalë, ky dokument bazë na del gjithnjë përpara. Unë e dëgjova z. Rama, i cili, si të thuash ra dakord që bashkëpunimi me opozitën të ishte në fushën e pronësisë dhe të reformimit të pushteteve lokale. Tema shumë të rëndësishme këto, absolutisht. Por unë do ta filloja prapë nga kushtetuta. Se edhe për këto tema të tjera, qoftë për pronat, qoftë për riorganizimin  pushteteve lokale, ka elementë të kushtetutës.

Do gjykoja që, megjithëse duket sikur problemi i kushtetutës nuk është problem i qeverisë, është problem i një bashkësie më të gjerë politike. Po kjo nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e qeverisë. Aq më tepër, kur kjo qeveri njëkohësisht njehsohet me një mazhorancë, e cila praktikisht është një mazhorancë kushtetuese, me numrat që ka në parlament. Ndaj do vendosja theksin te kjo, sigurisht edhe te riorganizimi i pushteteve lokale, si edhe te çështja e pronave. Tani, të konsiderojmë që rendi, drejtësia, mbledhja e taksave etj, kanë nevojë për reformë, kjo është e diskutueshme. Sepse së pari, kemi një shtet i cili s’e ka mbyllur akoma tranzicionin. Së dyti, çdo qeveri ka disa detyra të cilat janë të natyrës funksionale, që duhet t’i bëjë, është e detyruar t’i bëjë. Kjo është puna e qeverisë.

Ndërsa unë them që, në qoftë se duam realisht të bëjmë një reformë, të rindërtojmë shtetin shqiptar. Pra, unë shikoj këto tre gjëra përpara, kushtetuta, pushtetet lokale dhe prona, për të cilat është akumuluar kohë e humbur e ku s’duhet të ketë më vonesa. Sigurisht që qeveria mund të ketë fusha ndërhyrjeje pafund në strategjinë e saj, por në qoftë se presioni politik, kapacitetet, në ndonjë rast edhe mundësitë financiare, do shpërndahen në shumë elementë, nuk është çudi që ne të biem në rutinën tranzitore. Bashkim i çuditshëm fjalësh ky, por që po ndodh. Them është bërë rutinë sepse u bënë 23 vjet dhe gjendja permanente është tranzicioni, i cili duhet të ishte një gjendje e përkohshme. Atëherë nuk është çudi që në këto fjalë të bukura, në dëshirën për të bërë çdo gjë, mund të mos bëhet asgjë.

Ku duhet prekur sipas jush konkretisht Kushtetuta? Në qoftë se do të kishit në dorë një fletë të bardhë, çfarë do të shkruanit për këtë temë?

Unë, për të qenë i sinqertë, duke mos qenë konstitucionalist, do kufizohem thjesht mbi disa elemente. Së pari, është çështja e institucioneve kushtetuese, garantimi i një mekanizmi përzgjedhës që t’ju jepte atyre autonominë moderne. Deri më sot kemi folur për autonomi, por autonomia është formale. Po ta rishikojmë, ne bëjmë një qark të mbyllur brenda vetes. Domethënë, shumë poste zgjidhen me propozim të presidentit, por aprovohen nga parlamenti. Parlamenti është derivat i një ligji elektoral që e kemi parë dhe që redukton shkallën e demokracisë. Në thelb të këtij ligji që përzgjedh shumicën e deputetëve, që bëjnë shumicën në këtë parlament, është dora e partisë dhe, partitë, në mënyrën se si janë organizuar, pushtetin e kanë fokusuar në dorë të kryetarit. Domethënë, po të donim të riktheheshim në origjinë, për të gjetur rrënjët se nga buron pushteti, do të mbërrinim, fatkeqësisht, tek konkluzioni që pushteti buron prapë nga partia dhe në këto dy zgjedhjet e fundit, buron nga kryetarët e partive.

Unë gjykoj që po xhirojmë në vend. Nuk e kemi zgjeruar aspak demokracinë dhe ato që shkruhen në kushtetutë dhe që formalisht konsiderohen të pavarura, po t’iu rikthehemi sipas këtij mekanizmi, do të shohim se nuk janë aspak të pavarura. Prandaj unë do të thoja që na duhet një kushtetutë, e cila do të garantonte, në kushtet e Shqipërisë, një maksimum të pavarësisë së institucioneve. Kjo së pari dhe së dyti, duhet një ligj themeltar shteti që të mbyllte disa ndërtesa në këtë shtet. Ne kemi një Kontroll Shteti, një Bankë Qëndrore, të cilat mund të zgjidhen dy herë nga shtatë vjet e nga nëntë vjet; gjykata të cilat mund të zgjidhen dy herë nga nëntë vjet. Pra, kemi disa mandate të papërcaktuara, të cilat, për hir të traditës, sigurisht që do të prodhojnë nepotizëm, korrupsion e një sërë efektesh negative që koha i ka treguar. Ne kemi një president i cili zgjidhet me 71 për qind të votave. Në qoftë se kemi këtë raport të vështirë me presidentin e sotëm dhe me atë që ishte dje, po fatkeqësisht dhe me atë që kishim pardje – unë nuk mbaj mend ndonjë histori të lumtur midis parlamentit shqiptar, partive shqiptare e Presidentit të Shqipërisë – po të kthehemi pas, përtej rastit të oportunizmave presidenciale dhe dinakërive partiake, po ta shohim, raporti ka qenë gjithmonë i vështirë. Edhe kjo është një temë e cila duhet të zgjidhet. Megjithatë unë e thashë, ndoshta pa e prekur thelbin e modelit, që është një model parlamentar, ka ardhur dita për t’i parë të gjitha këto vështirësi që janë reflektuar gjatë këtyre viteve, të trajtohen e të zgjidhen. Domethënë, po ta kthejmë pak popullorçe, ne nuk duam njerëz që ta bëjnë më mirë punën dhe funskionin e tyre, sesa ajo që është përcaktuar në Kushtetutë. Por ne do të duam njëkohësisht, patjetër, edhe njerëz që të mos bëjnë më keq sesa i lejon Kushtetuta. Kjo do të ishte esenca e ndryshimeve kushtetuese.

Ju jeni ndër artikuluesit e parë të nevojës së një reforme të thellë administrative. Çfarë propozimesh konkrete do kishit, duke parë se edhe kryeministri ju përmendi nominalisht dhe ju ftoi publikisht që të jeni pjesë e kësaj reforme dhe kësaj negociate që natyrisht do të kërkojë një konsensus më të gjerë se sa ç’është sot mazhoranca në parlament?

Unë gjykoj që ftesa për mua ka qenë në fakt në emër të opozitës. Kjo s’është ndonjë çështje personale. Brenda opozitës, brenda PD-së, ka absolutisht një ekspertizë shumë të mirë, sepse janë njerëz që kanë qenë tetë vjet në qeveri dhe sigurisht kjo është një temë e lidhur direkt me qeveritë. Unë gjykoj që edhe kjo temë është shumë e gjerë, por fatmirësisht kjo, në fund të fundit, ka akumuluar një eksperiencë. Si të thuash, ka një draft mbi të cilin tani mund të revizionohen dhe mund të rishikohen gjërat në aktualitetin e sotëm, sepse është një temë që ka minimalisht dhjetë vjet që është debatuar.

Çfarë do kërkohet? Do kërkohet së pari zvogëlimi i numrit të njësive administrative, sepse janë njësi shumë të vogla dhe nuk kanë kapacitet as të mbledhin e as të prishin taksa, as për të bërë projekte, as për të zbatuar projekte. Kjo është e para dhe, njëkohësisht, duke qenë kaq të vogla, në një farë mënyre këto njësi lokale nuk janë as administratorë të decentralizimit të pushtetit, siç mendojmë ta decentralizojmë. Pushteti i jepet një njësie, nuk i jepet hiçit. Nga kjo pikëpamje, në qoftë se do të shkojmë paralel me dëshirën për të decentralizuar pushtetin, duhet të shkojmë drejt një pushteti i cili është në gjendje ta absorbojë, ta administrojë si dhe të ketë benefite nga decentralizimi i pushtetit. Kështu që duhen njësi më të mëdha, edhe për efekt të kohëve që kanë ndryshuar. Sepse njësitë kondicionoheshin nga distancat. Sot distancat të gjithë pretendojnë që janë shkurtuar, kanë ndryshuar mjetet e komunikimit. Pra ka ndryshuar e gjithë përcjellja në raport me atë që ishte pushteti lokal këtu e njëzet vjet më parë, kur u krijuan këto njësi administrative.

Së dyti, një pjesë e njësive janë ndarë e janë copëtuar edhe në funksion të interesave politike. E dimë shumë mirë që shpeshherë rajone, qarqe, rrethe, komuna e bashki, janë krijuar me dëshirën për të bërë favore. Shpenzime të kota, shpeshherë të pavlefshme. Ndaj gjykoj se ka ardhur ka për ta riorganizuar këtë pushtet. E njëjta gjë vlen edhe për nivelin e dytë, për qarqet e për prefekturat. Sepse unë mendoj se kjo ka të bëjë pastaj edhe me riorganizimin e një sërë instrumenteve të cilët janë të lidhur me qeverinë qendrore. Për shembull, po marrim një aspekt: sistemin e drejtësisë. Në qoftë se kemi 12 prefektura, siç i kemi tani, rrethe e qytete të vogla, do shpërndajmë me të njëjtin intensitet prokurorë e gjykatës në provinca, ku e dimë fort mirë që nuk janë kushtet për ta ushtruar drejtësinë. Në një qytet që ka 4-5 mijë banorë, në një qytet ku në të njëjtën kafe ulen edhe prokurori, edhe avokati, edhe gjykatësi, edhe krimineli…

Gjykoj që ka ardhur koha të krijohen kushtet e nevojshme të mbrojtjes, të jetesës, një sërë funksionesh të nëpunësve të shtetit. E njëjta gjë vlen edhe për historinë e shërbimeve, të cilat duhet të përqendrohen, në qoftë se duam të prodhojmë shërbime realisht të kualifikuara drejt kësaj fushe. Po marr edhe nga eksperienca ime personale, zyra e punës, e cila do hetojë tregun e punës, që ka nevojë për një ekspertizë, ka nevojë për një dinamikë. Nuk është se mund të shpërndahen agjenci pune.

Kemi një mijë aspekte, që kërkojnë mijëra fletë, por unë besoj se Shqipëria e ka ekspertizën e nevojshme. Kemi bashkëpunuar me Këshillin e Europës dhe me Komitetin Europian, të cilët janë dy organizmat, të cilët, për sa i përket decentralizimit të pushteteve lokale, autonomisë lokale, kanë një ekspertizë shumë të mirë. Europa e së ardhmes, në fund të fundit, nuk është gjë tjetër veçse bashkimi i shumë kombeve, i shumë shteteve, në të cilin, ideja e kombeve, ideja e shteteve, do vijë duke rënë, siç ka ardhur, për efekt të bashkimit. Por ideja e krahinave, e provincave, e vetë administrimit lokal, po vjen duke u forcuar. Në këtë linjë, unë gjykoj që Shqipëria ka nevojë të riorganizohet në vetvete, për t’i paraprirë proceseve europianizuese. Ne që këtu bëjmë zhurmë të madhe. Sigurisht që Europa nuk mund të integrojë një shtet 3 milionësh, me 400 principata të vogla. Kështu që nga kjo pikëpamje, kemi nevojë të përqendrohemi për të prodhuar ekspertizë, për të qenë në gjendje t’i ofrojmë shërbimin qytetarëve.

Duhet të jetë një reformë e madhe, duhet të bëhet me intensitet, duhet filluar qysh tani, në mënyrë që të mos ia lemë presionit elektoral ta deformojë. Unë do kërkoja që kjo punë të mbyllet deri në fund të vitit 2014, në mënyrë që qytetarët të jenë të qetë dhe të kenë mundësinë të gjykojnë për zgjedhjet e ardhshme mbi formën e re. Të binden, ta dinë, të jenë të mirinformuar që komuna, bashkia, qarku, prefektura për të cilën do të votojnë katër vitet e ardhshme, është një tjetër nga ajo që ka qenë këto njëzet vitet e fundit. Është diçka e madhe, e lodhshme, por shumë e domosdoshme. Përtej kësaj unë gjykoj që rrugët bëhen të vështira për të gjitha.

Edhe një temë të fundit. Partia Demokratike nuk e ka kryetarin në Parlament. Sa mendoni se i prish punë asaj si formacion politik mungesa e Bashës në Parlament dhe, së dyti, sa e pengon kjo edhe reformimin dhe konsolidimit të lidershipit të ri të partisë, duke parë se në mungesë të Bashës, sërish po del në plan të parë Berisha dhe stili i tij politik? Berisha është më në dukje dhe nën vëmendjen e medias dhe të opinionit publik, ndërkohë që Basha, për shkak edhe të mungesës fizike në parlament, duket thjesht si një noterizues i asaj që Berisha bën atje dhe i aksionit politik që ai dhe grupi opozitar ndërmarrin në Kuvend. A nuk ju duket një diskordancë që krijon një problem lidershipi brenda Partisë Demokratike?

Kjo sigurisht që e ka defektin e vet, mirëpo unë gjykoj që, si çdo monedhë, edhe kjo ka dy anë. Është një defekt, sepse lufta parlamentare sigurisht bëhet aty në rresht të parë dhe shpeshherë është ky ambjenti ku dalin edhe tiparet e liderit, mirëpo për situatën politike që ka Partia Demokratike dhe mazhoranca në përgjithësi, unë them që pozicioni i Bashës duhet pranuar edhe me këtë defekt që ka. Sepse, në kompensim, ka një shans tjetër. Basha, në një farë mënyre, është mbajtësi i pushtetit më të madh ekzekutiv që ka sot opozita, që është bashkia e Tiranës, e cila i jep edhe një shans tjetër, që të ushtrohet në funksione ekzekutivi. Sigurisht që Bashkia e Tiranës është diçka shumë më e madhe se një ministri. E dyta, kjo i jep Bashës mundësinë e zgjerimit të pjesëmarrjes politike përtej parlamentit. Kemi shans tani të dalim në publik, t’i paraqitemi, përveç debatit parlamentar, – edhe me një debat si pjesëmarrës në pushtet, si ekzekutues pushteti, si projektues. Në një raport ndryshe, jo thjesht si ligjvënës, me qytetarin. Shumë prej këtyre elementeve, për të marrë maksimumin e vlerës, varen nga baza, sesi do ta ketë ajo kapacitetin për ta interpretuar momentin.

Unë di që Basha i ka të gjitha mundësitë për ta marrë rolin e lidershipit. Ka rini të mjaftueshme për të parë përpara dhe për të pasur energji të rinovueshme. Së dyti, ka edhe eksperiencë të mjaftueshme, sepse, në të mirë e në të keq, Basha u bë 8-9 vjet që është në piacën politike, ministër nëpër ministri të ndryshme, kryetar bashkie prej dy vjetësh. Një eksperiencë që, një pjesë tjetër e atyre shefave të PD-së, nuk e kanë. Pra, unë gjykoj që Basha ka një pozicion komod në disa aspekte, edhe pse sigurisht defekti i të mosqenit në parlament qëndron. Shumë gjëra pastaj varen nga Basha vetë, nga aktivizimi i tij. Varen pastaj edhe nga roli që do ketë grupi parlamentar dhe kryetari i grupit në parlament. Unë jam gjithnjë i tezës së vjetër të filozofëve të Greqisë se, kush shikon përpara, shkon përpara, kush shikon mbrapa, mbrapa shkon. Nga kjo pikëpamje gjykoj që Basha duhet të shikojë përpara. Ky është shansi ynë për t’i dhënë shqiptarëve një ofertë tjetër alternative për pushtetin. Nuk është thjesht dëshira që patjetër një grup njerëzish, në harkun e jetës së vet politike, duhet të jenë patjetër në pushtet.

Si e komentoni batutën e Ramës që foli për dy koka në PD, kokën e SHQUP-it dhe kokën e Parlamentit?

Rama, si njeri i mazhorancës, si antagonisti i PD-së, ka të gjithë të drejtat e veta për të thënë batuta.

Përtej batutës në fjalë, a mendoni që ka akoma një dualizëm real në krye të PD? Është një temë mjaft e nxehtë kjo.

Unë gjykoj që për efekt të inercisë politike ka njëfarë dualizmi, por unë rri me bindjen dhe shpresën që ky dualizëm nuk mund të vazhdojë pafundësisht, sepse do të ishte vetëbllokues për vetë Partinë Demokratike dhe për opozitën në përgjithësi.

Kjo do nënkuptonte largimin gradual të Berishës?

Unë e gjykoj që Berisha i ka dhënë gjestet e veta të një mirëkuptimi politik në këtë sens. U tërhoq nga partia, sigurisht dhe nga ekzekutivi dhe gjykoi që të vihet një kryetar tjetër grupi parlamentar. Nga ana formale, sigurisht që Berisha nuk ka më absolutisht asnjë lloj pushteti. Berisha ka pushtetin politik të inercisë, ka pushtetin e traditës politike, të investimit 23 vjeçar, të opinionit që ka në një pjesë të madhe e të konsiderueshme të PD-së, gjëra të cilat ndodhin, gjëra të cilat nuk mund t’ia heqësh, sepse këto nuk bëhen as me dekret e as me vendime partie, gjëra të cilat koha do t’ia japë lidershipit të ri.

Dhe unë shpresoj që do t’ia japë lidershipit të ri. Jam gati që të kontribuoj për të krijuar brenda PD-së lidership të ri, personazhe të reja, përtej defekteve që mund të ketë gjenerata e 40-vjecarëve që, në një farë mënyre, po kontrollon sot jetën politike. Por unë gjykoj që këto prurje të reja kanë nevojë për të gjithë. Kanë nevojë dhe për Berishën, por kanë nevojë dhe për një gjë tjetër. Të binden që po drejtojnë këta, që janë këta drejtuesit dhe që me këta është i lidhur suksesi, por edhe dështimi, në qoftë se do të gabohet prapë.

25 komente në “INTERVISTA/ Si i përgjigjem ftesës së Edi Ramës”

  1. ana says:

    Ky Dashi as mish as peshk; me ka zhgenjyer shume qe kur iu bashkua Berishes ne zgjedhjet e 23 qershorit. Gjynah se ishte figure me popullaritet, por kur kthen ‘pllaken’ humbet shume…

    1. Xhozi qe te kap per zhelesh says:

      Për mua ky nuk asht Dash, por Derr. Ky asht per ta kap per zhelesh dhe ta nxjerresh jasht nga salla e Parlamentit.

      1. Pilo Lala says:

        Eshte nga Tiran, dhe keta i duhen shume Partise se sotme Tropojane.
        Vec kesaj eshte burre i mencur, edhe pse jeta nuk i dha shume kenaqesi ne keto 23 vjet.
        Dashi, Topi jane ana e bute e te djathtes, qe kurre nuk destabilizojne Shtetin, por vendosin llogjiken mbi pasionet Tropojane.

    2. gjergji says:

      Me nje fjale tip berxolle , ose dridhe Like se na fike. Kete ka dashur i nderuari Shehi edhe kete mandat dhe e mbyll ciklin e politikanit me nje pension te majme. Them se i ka zene vendin me me pa te drejte nje individi te ri me moshe. Pasi zgjidhen deputete japin mend se si duhet te ndryshoje kushtetuta.

  2. KLUBI I SELANIKUT says:

    Nga momenti qe ky Dun Bi U e quan politiken profesion nuk e lexova shkrimin.Fatkeqesija e kesaj politike eshte rrjedhoje qe skemi gazetare qe ti nxjerin lakuriq e tu duken zhabat.

  3. tahipi says:

    ky eshte nje lloj politikani qe i duhet shqiperis.

    1. m 33 says:

      per cfare i duhet per te thene ti ke te drejte, por shiko se dhe ky ka te drejte,ky eshte dashi politikan qe flet sikur eshte te klubi lagjes dhe per popullin eshte i kuptueshem kur flet dhe eshte simpatik.por per ligje e politik ky ohuuu.eshte dhe nga irani me duket me origjin

      1. ciku says:

        Po ca lidhje ka origjina… Pastaj nga ata qe thone ti e ke gabim ka sa te duash… Dashi eshte konseguent ne politiken e tij. Ai eshte i djathte dhe nuk mund te bej koalicion me Ramen. Eshte i respektuar nga te dy krahet e politikes, nuk ka shume politikane qe te gezojne respekt te tille.

        1. m 33 says:

          se flet katnarce qenka i respektuar se ato qe thote lene ma tani a qe ky i nderuari yt qe shante berishen mbas mandatin e dyte qe opozite’pastaj per zgjedhje per nje karrige deputeti shiti emrin e vet idete bindjet ca rendesie ka kur ky se di vete ku eshte.e provoi vete punen e deputetit po si doli gje sala i ofroje nje kock ky si qen e kapi.me i respektuar doli bamiri pavarsisht se i prishi pune ky te tiransit por se paskeni kuptuar ju se sala kot e mori dashin per gjynaf jo mor zotri jo lepiu ate qe beshtyu shume here ky gjeniu.por po deshe ta lavderosh thuaj te pakten qe dashi eshte nje politikan i sinqerte kaq,absolutisht nuk eshte ky ma i keqi parlament mo jo se ke vrases hajdute drogaxhi kriminele sa te duash aty qe dashi te duket lule.un them po u more me politike ke nevoje te lesh nje emer te mire per veten dhe familjen aq sa mundesh se qe politikanet tane por dhe kudo jane te posur kete e dime se njeriu ne fillim do te pasurohet pastaj pushtetin.keshtuqe ato qe behen bythelepirsa harrohen shpejt.

  4. Kastrioti says:

    Z. Shehi nje figure mjaft simpatike dhe e drejperdrejte, nje politikan me dimensione te forta shtetari, njeri qe dhe pa qene deputet ka qene nje ze i rendesishem, nje figure e rendesishme e politikes se ketyre 20 vjeteve, qe fatkeqesisht e per paradoks nuk eshte e mbeshtetur me vota per ate qe ka artikuluar.

  5. orli says:

    ky eshte nje lloj politikani qe pi raki kazani,me prostate qe shkon ne wc 12 here ne nate!…

  6. Mero Baze says:

    Ik o Dashamir mos na hap barkun.

  7. bobi says:

    Kam nja dy muaj qe po lexoja Temen Online dhe me se fundi nje Interviste qe ja vlen ta lexosh. Larg batutave dhe muhabeteve kafeneje qe te hapin barkun. Disa propozime konkrete, te zeze mbi te bardhe, dhe jo interpretime dhe komente spekulative si ne librat e Enver Hoxhes. Nder politikanet e vetem qe ke qef ta degjosh dhe punon per te miren e Shqiperise. Sikur te kishim ca politikan si Dashi, Shqiperia me siguri nuk do ishte katandisur keshtu.

  8. durim says:

    E rendesishme eshte se z.Rama do e mbaj ne pune gruan e Dashit.Per vete Dashi eshte ne Parlament.
    Qejf o qejf ben Dashi
    edhe me mire se arapashi.

  9. gjon says:

    Me pelqej shume Analiza qe i bere problemeve aktuale qe Qeveria e ere duhet ti realizoje,poe per mua e dhje.e ne rrjeshtin e fundit ku citoje nevojen e ndihmes qe duhet te jape BERISHA.Veriu ka nje shprehje ku thote:Me mire djepin boshe se DREQIN brenda.

  10. besi says:

    Njeri pa dinjitet sharlatan, delja qe ndahet nga delet e hane ujku, diten qe opozita e leshoje parlamentin beri gabim por edhe qendrimi i keti dashit si nje kokerre muti i vetem ne parlament ishte nje sharlatanizem putan.

  11. titi says:

    dash
    nuk te bie asnje llaf ne toke , nuk e di kujt i flet dhe cfare rumpallash shkrujne sot ,ta bofte zoti mbare…………………………

  12. Fanolist says:

    Z.Shehi ka mendime te mira ;por si dhe disa te tjere nuk thote si duhet vepruar konkretisht , dmth me se shumti gjerat i le evazive .
    Ka shume probleme, si thote Shehi, qe kerkojne zgjidhje qe duan pune te mencur,fonde ,kohe e bashkepunime .
    -Kushtetuta e ndryshuar , si e vertetoi koha,prodhoi probleme shume te demshme,aq sa shumica e shqiptareve nuk e pranojne Presidentin aktual dhe kreret e istitucioneve (pushteteve) te pavarura.
    Nuk shohe veshtiresi te rikthehemi te kushtetuta e votuar nga populli dhe mund ti behen permiresime bindese me nje koncesus me te gjere se nje shumice e thekesuar ne kuvend.
    Veshtiresi une quaj vetem ato projekte qe kerkojne milionat e eurove qe ne nuk i kemi.
    -Z.Shehi permend ceshtjen e pushtetit lokal po e quajme.
    Territorri, ne Shqiperi,nuk ka qene kurre jashte kontrolit ne histori, sa ka qene pas vitit 1990.
    – Te ashtuquajturat qarqe – prefektura jane struketura qe vlejne me pake se rrota parazite ne mekanike.Njerzve i’u ka shkuar shpirti tek nuk mban nga keto struktura,prjashtuar kasten.
    -Shqiperia duhet te kete vetem nje prefekture me vartesi te drejteperdrejta nenprefekturat (rrethet).Rrethet duhet te veteqeverisen me pergjegjesi te plote, te zoterojne territorjn, ku popullit t’i kryhen sherbimet gati plotesisht brenda rrethit…e te tjera probleme qe me vullnet te mire me maturi e dituri mund te zgjidhen mjafte mire.

  13. Liridon says:

    Ky thote te shohim vetem perpara,pra ta harrojme qe ky ka qene zv/kryeminister i nje qeverie qe
    1 – zbatoi ligjin 7501,pasojat e te cilit spo ja hapin akoma rrugen Shqiperise,per nje zhvillim normal,e prap dikush thote qe eshte i djathte.
    2 – organizoi skemat piramidale duke e varferuar edhe me tej finaciarisht shqiptaret,por ceshte me e keqa duke ja larguar ndjenjen e punes se ndershme,e prap dikush thote qe eshte i djathte.
    Shume politikane aktuale e kane frike shikimin prapa,pra ata kane frike shkencen e faktologjise apo faktografise.Shqipetaret gjithnje e kane pesuar nga ata politikane te cilet nuk kane patur parasysh pikerisht kete shkence.Dashi si macok lokalesh gjithnje i ka interesuar,te ruaje ato lokale ku i ngelet edhe pak ushqim per te.

  14. emigranti says:

    dashi nuk eshte ne parlament per te hellur ne sher partite politike eshte per te bere nje kushtetute sa me praktike dhe reale dhe sa per dijeni sali berisha ja kish interesin se pa dashin nuk do kish as 25 mandate moro votat e tiranseve dhe jo bujkeve.

  15. beso says:

    nuk e lexova intervisten,pasi kete e kam degjuar aq here.Eshte shume bindes dhe popullor ne shembuj e shume shqeto ne politike kur vjen fjala per t’ua shpjeguar te tjereve,kur vjen fjala per te dhene shembullin e tij ben si turma duke u fshehur pas alibise se turmes.Me nje fjale,te sprovuarit dhe te dehurit mos ia merr seriozisht keshillat!

  16. saimir says:

    ketij jepi i teke raki ene i qofte edhe o n’rregull e bab.

  17. MEMEDHETARI says:

    Dashamiri “nuk e di” qe Sali Berisha dhe Lulzim Basha jane pergjegjesit KRYESORE per vrasjet ne 21 Janar 2011…
    Eshte njeri “de-de”,thone nga ana e Jugut…
    “Eshte sharlatan!”,ngrejne zerin ca te paduruar…
    “Urte e bute e plot tigani”,thone ca te tjere per Dashamirin e urte…
    Ndersa une jam me Liridonin me lart:
    “Macok lokalesh”…
    Xhanem,a kane karakter keta njerez qe i thone vetes edhe “Baballare te Kombit”???

  18. Alarm, Alarm .... says:

    Vetem ZOTI e di nese Z.RAMA do shpetoje kete “VEND TE PASHPRESE” Shqiperine.

  19. rob says:

    Zoti shehu nuk keni nevoje me shpik ligje te reja.
    1 per sa i takon pronave mjafton te riktheni ligjet qe mbreti Zogu I kishte dhe ti zbatoni me perpikmeri.
    2 gjithashtu zbatoni edhe ligjet e mbreterise per sa i takon marrdhenieve te shtetit me besimet fetare dhe do te shikoni qe nuk do te keni raste si I i permetit,ku ajo qe i takon çezarit do te jete e tij
    3 zbatoni ligjet e zogut per sa i takon edhe marrdhenieve me fqinjet,sidomos me greqine

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje