Top Channel siguroi raportin e progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, që publikohet më 16 tetor.
Në pjesën e kriterit politik vlerësohen me nota pozitive zgjedhjet, situata politike, miratimi i disa ligjeve kyçe, si dhe plotësimi i detyrimeve të nevojshme për përfitimin e statusit kandidat.
“Në përgjithësi, zgjedhjet shënuan progres të prekshëm në krahasim me praktikat e mëparshme, duke plotësuar kështu prioritetin kyç për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Funksionimi i Parlamentit u përmirësua. Shqipëria duhet të përqendrojë përpjekjet e saj në një proces më gjithëpërfshirës konsultimesh dhe në forcimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit. Është e rëndësishme që bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës të mirëfunksionojë për të ofruar një bazë të fortë për reforma të mëtejshme”, thuhet në raport.
Reformat politike dhe ato të integrimit kanë vijuar, sipas raportit, nga qeveria e vjetër në periudhën para dhe pas zgjedhjeve, si dhe nga qeveria e re pas marrjes së detyrës në shtator.
“Zbatimi i planit të rishikuar të veprimit për trajtimin e prioriteteve kyçe të opinionit vijoi, megjithëse me një ritëm të ngadaltë. Qeveria e re duhet të përqendrohet menjëherë në forcimin e buxhetimit dhe planifikimit strategjik dhe në përmirësimin e koordinimit në nivelin qendror dhe lokal”, thuhet më tej.
Pasi vëren miratimin e aktit normativ të qeverisë Rama, për shmangien e vakumit ligjor me hyrjen në fuqi të ligjit për Shërbimin Civil, raporti vlerëson edhe progresin në fushën e administratës publike, një nga 12 prioritetet kyçe të Opinionit të Komisionit të vitit 2010.
“Në përgjithësi është shënuar progres në reformën për administratën publike dhe një hap madhor i ndërmarrë në këtë prioritet kyç ishte miratimi i ligjit për Shërbimin Civil. Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të depolitizuar administratën publike, për të garantuar vazhdimësinë, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar meritokracinë në emërime, ngritje në detyre apo shkarkime, dhe për të rritur efikasitetin dhe qendrueshmërinë financiare të saj,” vijohet në raport.
Sipas raportit edhe Strategjia për reformën në drejtësi, një tjetër prioritet kyç i Opinionit, është duke u zbatuar, ndërsa vlerësohet miratimi i Ligjit për Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, trajtimi i të ndaluarve në qendrat e paraburgimit është një tjetër detyrim që merr nota pozitive.
“Ndjekja e rekomandimeve të bëra nga Avokati i Popullit u përmirësua. Për shembull, shumica e rekomandimeve mbi keqtrajtimin në qendrat e paraburgimit, një prej çështjeve të prioriteteve kyçe, u trajtua nga burgjet dhe nga Policia e Shtetit,” thuhet më tej.
Në raportin e një viti më parë Komisioni dilte në përfundimin se Shqipëria kishte plotësuar 4 nga 12 prioritetet kyçe të Opinionit: funksionimi i Parlamentit; miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar; ndryshimi i Kodit Zgjedhor; emërimi i Avokatit të Popullit dhe procesi i dëgjimit dhe votimit të kandidaturave në institucionet kyçe. Ndërsa dy prioritete të tjera vlerësoheshin atëkohë drejt përmbushjes: reforma e administratës publike dhe përmirësimi i trajtimit të të ndaluarve.
Një vit më vonë, me përfundimet e mësipërme dhe ato në disa fusha të tjera të rëndësishme, Komisioni duket se konfirmon progresin e mjaftueshëm të vendit për rekomandimin pa kushte të dhënies së statusit kandidat.
Kritikat e progres raportit
-Sistemi gjyqësor
“Statusi i Gjykatës së Lartë dhe procesi i emërimit të gjyqtarëve të saj mbeten çështje shqetësuese në kuptimin e politizimit të mundshëm, për sa kohë që dispozitat përkatëse kushtetuese nuk janë ndryshuar. Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës së Lartë nuk garantohen plotësisht.
Pushteti për të hapur e për të mbyllur një procedurë disiplinore është ende një kompetencë ekskluzive e Ministrit të Drejtësisë, çfarë është kundër standardeve të BE-së.
Mbetet ende për t’u garantuar zbatimi i reformës kushtetuese të 2012 duke kufizuar imunitetin e gjyqtarëve. Nuk janë miratuar ende ndryshimet në Kodin Penal për të bërë të mundur arrestimin e gjyqtarëve dhe kontrollin personal e atë të banesave.
Mungesa e përgjegjshmërisë së zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme është shqetësuese. Procedura për emërimin dhe shkarkimin e personelit në këtë zyrë duhet të jetë transparente dhe e paanshme dhe roli i Këshillit të Prokurorëve duhet forcuar.
Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore, veçanërisht ato që përfshijnë institucionet shtetërore, mbetet një problem serioz”.
-Korrupsioni
“Në përgjithësi, numri i hetimeve dhe dënimeve mbetet i ulët. Nevojitet përmirësim i kapacitetit kontrollues të ILDKP-së. Koordinimi mes institucioneve dhe hetimi i mëtejshëm i rasteve të tilla duhet të rritet. Përgjithësisht, hetimet vazhdojnë të jenë një natyre reaktive, në vend të natyrës proaktive, dhe vlerësimet e rrezikut për korrupsion nuk kryhen sistematikisht.
Institucionet shtetërore që merren me luftën ndaj korrupsionit mbeten të cenueshme nga ndikimi dhe presioni politik. Është veçanërisht e rëndësishme të garantohen kritere transparente dhe në bazë meritash për emërimet dhe shkarkimet.
Përdorimi i hetimeve proaktive dhe vlerësimi i rrezikut në shërbimin tatimor duhet forcuar. Korrupsioni në shërbimin tatimor mbetet një çështje shqetësuese.
Një dëshmi provash për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve ka nisur të ndërtohet. Gjithsesi, nuk ka një sistem efektiv për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë. Rreziqet për korrupsion dhe ndikimin e papërshtatshëm mbi transferimet e gjyqtarëve dhe ngritjet e tyre në detyrë nuk janë trajtuar mjaftueshëm. Korrupsioni në gjyqësor mbetet një problem veçanërisht serioz”.
-Krimi dhe trafiqet
“Krimi i organizuar mbetet një shqetësim serioz dhe do të nevojiten përpjekje të mëtejshme thelbësore për të përmirësuar gjurmët e provave nga Shqipëria. Mbeten pezull ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Numri i konfiskimeve të pasurive kriminale dhe dënimeve për pastrim parash mbetet i ulët. Shqipëria mbetet një vendburim për trafikun e të rriturve dhe të miturve, përfshirë lypjen e detyruar nga fëmijët. Kjo çështje kërkon koordinim më të mirë mes agjencive të zbatimit të ligjit dhe shërbimeve sociale. Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit mbetet një shqetësim serioz”.
lufta kunder korrupsionit dhe krimit te organizuar eshte pika kyce per nje shqiperi me bazament te fort,
jam dakort qe te luftohet korupsioni dhe deri me nje,por nuk arij te kuptoj keto europianet se cfare duan nga ne qe duhet te degjojme derdellitjet e tyre.a thua se po e ndrisin ne vendet e tyre keta me euron.kudo papunesi ka dhe niveli i jetes po bie perdite.mendoj se cdo vend duhet ti kthehet lekut te vet dhe problemeve te veta.nuk duam te na marin prej dore prej dore dhe nuk duam euron????????