Europa nuk është larg

19 Dhjetor 2013, 21:49Blog TEMA

Nga Magdalena Ramohito

 

Gjithë këtë javë Holanda e mbajti në suspansë opinionin shqiptar në lidhje me dhënien nga vendet anëtare të Europës të statusit të vendit kandidat. Dhe më në fund veton e vunë vendet më të mëdha të këtij bashkimi shtetesh.

Ishte në opozitë PS kur lideri i saj Edi Rama propozoi i pari, që qeveria shqiptare të dorëzonte kërkesën për marrjen e këtij statusi, madje ka pasur në atë kohë një shqetësim si nga Europa, por edhe nga opozita që të bëhej kujdes, sa më mirë të ishte e mundur, që kjo gjë të mos përdorej si kredo për t’u avantazhuar në vota PD, por si gjithmonë zoti Berisha doli jashtë parashikimeve duke e dorëzuar atë përpara zgjedhjeve…

Politika e ka sqaruar pse është e interesuar që vendi ynë të përfshihet sa më shpejt në këtë bashkësi dhe besoj nuk është vetëm çështje interesi fondesh, me anën e të cilave do të zhvillohen shumë sektorë të ekonomisë, por mbi të gjitha do të ishte një ndihmë morale për cilëndo qeveri, që do të kishte fatin ta merrte kandidimin gjatë qeverisjes së saj, sepse përveç kësaj do të fillonte një fazë adaptimi, që është hapi i parë i vogël dhe më i rëndësishmi drejt Europës së dëshiruar.

Kjo gjë nuk ndodhi këtë javë, edhe pritej, edhe nuk pritej, dhe gjithë kjo pritje e ethshme nga pala shqiptare, i ngjante asaj situatës së zakonshme midis fëmijës dhe prindit, ose fëmijës dhe të rriturit. I vogli dëshiron të shkojë pas tij, por ai i rrituri i vendos disa kushte, si p.sh të ketë mbaruar detyrat e shtëpisë, të jetë i larë e i pastër, të mos ketë bërë ndonjë zarar gjatë ditës, dhe mërzitja e fëmijës rritet e rritet nga pritja sikur po të mos ndodhë, ky do të jetë fundi i botës!

Nganjëherë të vegjlit mendojnë se të rriturit nuk duan të ulen në nivelin e të voglit e të hyjnë nën lëkurën e tyre për të kuptuar se sa e rëndësishme është kjo dëshirë për ta. Por edhe mund të jetë, të mëdhenjtë kanë hallet e tyre shumë të mëdha dhe nuk bluajnë ndjesi faji për një refuzim, përkundrazi i vogli shtrëngon grushtet me një dridhje të vogël prej trishtimit. Por dihet që do të ketë një herë tjetër që kjo kërkesë do të pranohet, ndoshta do të puthiten nevojat…

Kur është çështje muajsh, nuk ka vend për reagime ekstreme, ne e kujtojmë sa larg prej saj kemi qenë përpara 23 vjetëve…

Në fakt sot Europa nuk është larg. Pas hapjes së portave të ambasadave, qytetarët shqiptar bënë xhiron e tyre rreth Europës… duke qenë ky kontakti i parë me të, dhe fakti që dyndja vazhdoi drejt saj me të gjitha mjetet e mundshme e rrugët klandestine deri ditën kur u lejuan vizat, tregoi se ne shqiptarët e duam Europën, madje shume. E duam mënyrën e jetesës së tyre, e duam sistemin e rritjes e arsimimit të fëmijëve të tyre, i duam konfeksionet e tyre, i duam ushqimet e tyre, sistemin mjekësor të tyre, rrugët e tyre… i duam… i duam shumë gjëra të tyret, edhe buzëqeshjen e tyre… Kemi nevojë të jemi të lumtur, kemi të drejtë të jemi të tillë.

Duam të dalim nga ‘kullat e ngujimit’, e duam drejtësinë si ata, por duam edhe shumë gjëra nga tonat, përveç politikës 23- vjeçare, atë nuk mund ta duam.

Ata me demagogji na e kanë afruar Europën dhe me ecjen e vendit si në marmelatë na e kanë mbajtur kaq larg… Edhe sot pas refuzimit të statusit ata janë të parët që nxitojnë të shpërndajnë fajin.

Europa në fakt nuk është larg jo vetëm gjeografikisht, por edhe në planin kulturor, sepse teknologjia ka bërë pothuajse rrafshimin e njerëzve, përderisa çdo qytetar shqiptar mund të lexojë online komentuesit europiane për çështjet e tyre dhe në të kundërt ata na lexojnë ne, e kështu kuptojmë edhe diferencat kulturore. Europa nuk është larg në shumë aspekte të saj, të cilat i shohim në transmisionet e tyre dhe ata gjithashtu na shohin ne e prapë jemi në gjendje të shohim diferencat.

Produktet agro-ushqimore europiane vijnë tek ne, por tonat nuk shkojnë dot atje, sepse nuk kemi sasi të madhe që eksporti të jetë i pandërprerë, por edhe standardet që ata kërkojnë janë të shtrenjta për ne.

Mund të listoja këtu plot arsye që na lidhin me Europën e afërt, por të parin duhet të kisha renditur artin, fushë në të cilën ne kemi “ambasadorët tanë atje” dhe bëjmë diferencën me kushtet e artit tonë këtu.

Në Europë kemi njerëzit tanë që janë përshtatur atje dhe shërbejnë si një urë lidhëse midis dy anëve të Adriatikut, si një fuqi punëtore dhe kapacitete intelektuale dhe si pjesë vitale e popullsisë në plakje të Europës.

Europa nuk është larg, dhe ne do shkojmë atje në mënyrë të pashmangshme duke i ngushtuar diferencat që na largojnë.

Ne jemi populli me i vjetër i Europës, që flasim gjuhën INDIOEUROPIANE.

Ne kemi një qeveri dhe një kryeministër të motivuar, Europa nuk është larg!!!

5 komente në “Europa nuk është larg”

  1. Kurbetliu says:

    Moj Zonje kujdes gjuhen tone te bukur se po na e maskroni, duke kerkuar me se koti e me çdo kusht te tregoheni me kulture.
    Psh. e mbajti ne suspanse (= PEZULL)!
    per tua avantazhuar (=KRIJUAR PERPARESI) ne vota PD,
    Reagime ekstreme (=TE SKAJSHME; ekstrem =SKAJ) etj. etj

  2. TANI DURRES says:

    ke te drejte se na e shpifen.po ku ta fillosh, se ajo gjysmat e fjaleve i ka italisht e anglisht.

    Opinion,lider,opozita,kredo,adaptim,konfeksione, etj,etj,(mendim,kryetar,frymezim,pershtatje,veshjet, etj, etj)
    sa bukur do kishte tingelluar sikur ta kishte shkruajtur shqip, pa fjale te huaja. na duhet nje rilindje dhe nje naim frasher perseri pere ta pastruar Shqipen tone qe e kemi fol per mijra vjet.

    1. Tani Shqiptar says:

      @Tani Durres,

      Sa bukur do kishte tingelluar ky komenti yt po ta kishe shkrua emrin e (naim Frasheri) me ‘N’ dhe jo me ‘n’???!!!

      Prandaj na e vonon europa ne statusin ?

  3. elona says:

    Puna eshte te mos perdoret fjala e huaj kur nuk eshte nevoja dhe ky eshte mallkim per ate qe e ben.

    por keto fjale jane internacionale madje i perdorin edhe gjermanet, pasi ne gjuhen amtare nuk e kane kuptimin ashtu si tingellone kur i shkruan keshtu,

    Madje gjermanet perdorin: a propos. circa , angagement, etj

  4. elona says:

    Shkrimi shume i bukur komplimente!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje