Edhe një nga mesfushorët më të talentuar kosovarë, i cili aktualisht luan te skuadra austriake Salzburg, Valon Berisha, ka pohuar se do pranojë të luajë për Kosovën nëse do të grumbullohet. 20-vjeçari, i cili është edhe pjesë e Kombëtares norvegjeze, në një deklaratë për mediat nordike e ka bërë të qartë se nëse marr ftesë nga trajneri i Kosovës, do ta pranojë me kënaqësi dhe pa u menduar dy herë.
“Jam shumë i lumtur që edhe vendi im tani ka të drejtë të formojë një skuadër, e kjo është ëndërr e bërë realitet nga njerëzit atje. Unë i takoj atij vendi dhe asaj përfaqësueseje të atij shteti dhe pa mëdyshje do ta pranojë me shumë kënaqësi ftesën, nëse ajo vjen në adresën time. Të gjithë njerëzit këtu mund të pyesin për të ardhmen time me Kombëtaren e Norvegjisë dhe unë mund të përgjigjem shkurt, se nuk luaj më për Norvegjinë nëse më thërret Kosova”, ka thënë Valon Berisha.