Komisioni parlamentar i Ligjeve zhvillon një seancë dëgjimore me dy kandidatët e propozuar nga Presidenti për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Petrit Çenon dhe Gjovalin Përnoca.
Pas seancës, komisioni ra dakord që të vendosë nesër nëse do të japë pëlqimin për performancën e dy kandidatëve dhe aftësitë e tyre për të përballuar detyrën e rëndësishme.
Në fillim të mbledhjes, Çeno dhe Përnoca bënë një prezantim të shkurtër të karrierës së gjatë në sistemin gjyqësor, ndërsa theksuan angazhimin për zbatimin me korrektësi të ligjit në detyrën e tyre.
Deputetët, në pyetjet e drejtuara kandidatëve për Gjykatën e Lartë u interesuan për opinionin e tyre rreth situatës aktuale në sistemin e drejtësisë, çështjes së korrupsionit në gjyqësor apo mënyrës si duhet rritur besimi qytetar në këtë drejtim. Republikani Fatmir Mediu e pyeti kandidatin Përnoca nëse në pozicionin e prokurorit të para viteve ’90, ka patur të bëjë me çështje të gjykimeve apo hetimeve politike. Në përgjigjen e tij Përnoca tha se në periudhën mars 1982-gusht 1991 ka qënë prokuror i sektorit ushtarak në prokurinë e rrethit Kukës.
“Në këtë sektor kryesisht shikonim disiplinën në ushtri dhe gjyqet ndaj ushtarëve kishin të bënin më shumë me largimet pa leje, shkeljen e rregullave të shërbimit, etj. Vetëm në ndonjë rast ose në fare pak raste kam përfaqësuar akuzën si prokuror për tentativat e arratisjes. Por, këto janë fare pak dhe jam krenar që asnjëherë, as atëhere dhe as tani, nuk kam qënë dhe nuk jam tendencioz dhe ekstremist në detyrën time”, u përgjigj kandidati Përnoca.
Të pyetur nga deputeti i LSI-së, Spartak Braho, nëse kandidatët në fjalë kanë marrë vlerësime negative gjatë 10 viteve të fundit, nga inspektimet e kryera nga KLD apo struktura të tjera të shtetit, Çeno dhe Përnoca mohuan që ndaj tyre të jenë marrë masa ndëshkimore nga organet kompetente. Ata deklaruan se vlerësimet e KLD-së ndaj tyre kanë qënë maksimale, kjo referuar dhe sistemit të pikëzimit që aplikon Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Lidhur me korrupsionin në drejtësi kandidatët pranuan prezencën e këtij fenomeni në gjyqësor, ndërsa theksuan nevojën e hartimit të strategjive antikorrupsion.
“Korrupsioni është prezent edhe në ekzekutiv, por më i dukshëm është në gjyqësor për shkak të procedurave të hapura të sistemit. Është një korrupsion real, por dhe një korrupsion imagjinar, pasi pala që humbet gjyqin gjithmonë ka krijuar mendimin ’se me të drejtë nuk fitohet gjyqi’ dhe se ‘pala fituese duhet të ketë paguar’. Korrupsioni duhet të luftohet me punë të kualifikuar, të ndiqet, të gjurmohet dhe të evidentohet. Duhet luftuar me strategji antikorrupsion”, deklaroi Përnoca.
Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, i pyeti dy kandidatët për çështjen e deklarimit të pasurive. Por, përgjigjes së kësaj pyetje i parapriu një ndërhyrje e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.
Ai tha se Inspektorja e Përgjithshme e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), Zana Xhuka, nuk i ka dhënë informacion Kuvendit për pasuritë e dy kandidatëve, duke e konsideruar këtë ‘një akt të paprecedentë’.
“I është kërkuar mendim ILDKP-së për pasuritë e dy kandidatëve, por Zana Xhuka nuk ka pranuar t’i përgjigjet komisionit të Ligjeve dhe kjo është e papranueshme. Veprimi i saj është i paprecedentë dhe ne nuk mund ta marrim me dhunë, por Kuvendi duhet të vendosë për këto qëndrime”, tha Xhafaj në reagimin e tij.
Lidhur me këtë çështje Çeno dhe Përnoca thanë se të gjitha pasuritë i kanë deklaruar konform ligjeve në fuqi. Kandidaturat e Petrit Çenos dhe të Gjovalin Përnocajt, të propozuara nga Kreu i Shtetit, janë depozituar në parlament më 22 nëntor 2013. Dy gjyqtarët kanë një karrierë të gjatë në radhët e gjyqësorit.
Sa eshte pasuria e tyre, eshte e lehte te nxjerresh konkluzionin,se si kane gjykuar.