Akti Normativ i Qeverisë për Buxhetin/ Kushtetuesja nis shqyrtimin e ankesës së PD. Reagimet (VIDEO)

18 Shkurt 2014, 14:23Politika TEMA

Gjykata Kushtetuese nisi shqyrtimin e ankimimit të Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të Aktit Normativ nr. 6, datë 04.10.2013 të Këshillit të Ministrave, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2013 “Për buxhetin e vitit 2013”.

Sipas përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike Ivi kaso, Qeveria e ka rritur borxhin në 68.6%, duke e konsideruar këtë si një akt të paprecedentë. Kaso parashikoi që në fund të mandatit 4-vjeçar borxhi do shkojë 92%, dhe mbi këtë parashikim ai kërkoi shpalljen si anti-kushtetues të aktit normative të Qeverisë.

“Rrezikohet stabiliteti makro-ekonomik. Kjo rritje cënon interesat e integrimit. Kryeministri Rama e di që rritja e borxhit çon popullin në humnerë, prandaj akti normativ është i patolerueshëm, arbitrar dhe shtypës”, sqaroi Kaso.

Por për përfaqësuesen e Këshillit të Ministrave Edlira Jorgaqi ankimimi i bërë nga Partia Demokratike nuk ka bazë dhe duhet rrëzuar.

“Relacioni i aktit normativ sqaron nevojën e urgjencës pas situatës së vështirë ekonomike. Akti normativ vjen pas situatës së vështirë ekonomike dhe jep një vlerësim realist i të ardhurave”, theksoi Jorgaqi.

Ndërkohë në një prononcim për mediat, deputeti Eduard Halimi shprehu besimin se Gjykata Kushtetuese do ta analizojë me profesionalizëm këtë rast. Halimi theksoi se Akti Normativ i qeverisë për të rritur borxhin në kufi historik është antikushtetues dhe rrezikon ekonominë.

“Akti normativ për të rritur borxhin në kufi historik është antikushtetues, vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, të drejtat kushtetuesë të qytetarëve për mirëqënie, rrënon ekonominë, prek thelbësisht të drejtën e qytetarëve për një jetë më të mirë, prek thelbësisht pagat e çdo qytetari shqiptar, pensionet, në mënyrë të padiskutueshme të ardhmen ekonomike të vendit. Është ky akt normativ që u mor në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, jashtë çdo logjike kushtetutese për një emergjencë apo nevojë, por thjesht për të marrë para borxh, për ti bërë rrush e kumbulla për zyrtarët dhe zyrat e qeveritarëve. Jemi besimplotë se gjykata kushtetuese do të analizojë me profesionalizëm këtë rast, këtë akt të paprecedentë në historinë 20 vjeçare të gjithë buxhetit në Shqipëri, ku merret borxh në kufi historik jo për investime, por për para për ti bërë rrush e kumbulla”, tha ai.

Sipas Halimit, është me rëndësi që Qeveria të kthehet në binarët kushtetues, në mënyrë që vendi të mos rrëshqasë drejt recesionit. “Është me rëndësi të vendoset kushtetueshmëria dhe që qeveria të kthehet në binarët kushtetues, të mos tregohet arrogante me Kushtetutën dhe ligjin, të mos tregohet arrogante me ekonominë e vendit dhe vendi të mos shkojë në reçesion dhe greminë siç po shkon çdo ditë, kjo është më e rëndësishme, Kushtetuta është më e rëndësishme”, tha  Halimi.

Në kërkesën e saj, 1/5-ta e deputetëve të PD-së thekson se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se, qeveria është e detyruar të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën konkrete që e kanë detyruar të nxjerrë aktin normativ me fuqinë e ligjit.

Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Shpjegimin, qeveria është e detyruar ta pasqyrojë në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr, minimalisht në preambulën e tij. Nga analiza e aktit normativ nr. 6/2013, rezulton që qeveria të mos ketë evidentuar përmbushjen e kushteve të “nevojës” dhe “urgjencës” për miratimin e këtij akti. Në preambulën e aktit normativ nuk evidentohet asnjë rrethanë që të përligjë ushtrimin e këtij funksioni ligjvënës nga ana e pushtetit ekzekutiv. Për këtë arsye, në kushtet e mungesës së “nevojës” dhe “urgjencës”, akti normativ nr. 6/2013 bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës.

3 komente në “Akti Normativ i Qeverisë për Buxhetin/ Kushtetuesja nis shqyrtimin e ankesës së PD. Reagimet (VIDEO)”

  1. Gallata says:

    Maçoku qi, maçoku bërtet…thonë këtej nga fshati im. Gallatë do të jetë sikur Kushtetuesja të aprovojë ankesën e Pd-së…(???!!!)

  2. NjeQytetarOptimist says:

    Kjo do jete interesante..Sepse ai qe ka thyer kushtetuten kur ishte ne qeverri, po padit qeverrine aktuale qe ka thyer kushtetuten..Coini malet e faturave te borxheve ne ate gjykate o qeverri te shohin “ligjzbatuesit” a do pagoheshin muajt ne vijim..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje