Mazhoranca vendos të shtyjë nisjen e diskutimeve në Kuvend të amendamenteve të ligjit për Nënpunësin Civil. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi është shprehur në një prononcim për mediat se kjo shtyrje bëhet për të arritur një konsensus me opozitën. “Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e punës së Kuvendit për periudhën në vazhdim. Diskutuam për amendamentet në ligjin për Nënpunësin Civil dhe gjykuam të shtyjmë shqyrtimin e amendamenteve, qoftë ne seancë ashtu edhe në komisionet përkatëse”, theksoi Celibashi.
I pyetur në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e aktit normative të Qeverisë, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin tha se Qeveria do të zbatojë këtë vendim pa asnjë mëdyshje. “Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për Aktin Normativ të Qeverisë për ligjin e Nënpunësit Civil dhe jemi të detyruar të zbatojmë vendimin. Por ne vazhdojmë të konsiderojmë që ligji ka nevojë të amendohet dhe shpresojmë të gjejmë edhe konsensusin e opozitës. Për të mos u treguar arrogant vlerësuam që shqyrtimi i amendamenteve të mos bëhet në datën 6 por të shtyhet në kalendarin e punimeve të Kuvendit”, tha Celibashi.
I pyetur në lidhje me paralajmërimet e opozitës për bojkot të Parlamentit, Celibashi tha se ky nuk është një vendim dobiprurës. “Qëndrimi bojkotues ndaj veprimtarisë së Kuvendit nuk është zgjidhje as e dëshiruar por as edhe dobipruese. Por megjithatë është vendimi i tyre”, theksoi ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.