Basha: Konsensus për integrimin. Majko:Anëtarësimi në NATO nuk ndryshoi papërgjegjshmërinë e politikës

2 Prill 2014, 10:31Politika TEMA

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka drejtuar një apel mazhorancës qeverisëse për konsensus dhebashkëpunim të qartë në realizimin e reformave. i pranishëm në konferencën ndërkombëtare me temë “Bashkëpunimi transatlantik për paqe dhe siguri në Ballkan: axhenda shqiptare për integrimin në BE dhe në NATO”, Basha u shpreh se megjithëse kanë kaluar 5 vite nga anëtarësimi në Aleancë, nuk është bërë ende asnjë hap në drejtim të anëtarësimit të venditnë BE.

 “Kanë kaluar 5 vite nga anëtarësimi në NATO dhe nuk është bërë asnjë hap për integrimin në BE. Klima e nevojshme e konsensusit, vullneti për reforma dhe bashkëpunimi duhet të jetë shumë i qartë”, tha kreu demokrat Lulzim Basha, njëkohësisht edhe i Bashkisë së Tiranës.

Në këtë kuadër, kreu demokrat vuri theksin në konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve, jo përpjekje për ti uzurpuar, respektim të ligjit. “Ne si opozitë rrugën e kemi bërë edhe më të lehtë. Në Bruksel duhet të shkojmë së bashku, pasi siç kemi mësuar, atje shkohet me opozitën jo pa opozitën”, tha Basha.

Ndërkohë referuar anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kohë kur Basha ishte në postin e ministrit të Jashtëm, u shpreh se me reformat e realizuara Aleanca e Atlantikut u bind që Shqipëria të anëtarësohej.

“Shqipëria nuk u transformua ato dy ditë pas vendimit që u morr në Strasburg. Që nga dita e parë e artikulimit të aspiratës sonë për t`u bashkuar Aleancës së Atlantikut të Veriut deri tek vendimi për t`u bashkangjitur si vend pioner nismës së Partneritetit për Paqe, pati disa zhvillime të rëndësishme që nga nënshkrimi këtu në Tiranë i Kartës së Adriatikut, lancimi jo në kohë të lehta as për vendimarrjen dhe as për buxhetin e reformave të Forcave të Armatosura, ruajtja e standarteve të arritura dhe duke i çuar ato më përpara dhe kryerja e detyrave të shtëpisë. Anëtarësimi në NATO përveçse të ofron siguri është një proces reformash të gjithshanshme që vendi njohu, i kreu dhe i thelloi në atë periudhë. Një periudhë reformash që bënë të mundur jetësimin e një vullneti politik të udhëhequr edhe nga administrata amerikane, por vullneti do të ishte i pamjaftueshëm nëse nuk do të shoqërohej me një punë të madhe, të detajuar të reformave  të gjithanshme nga vendet aspirante. Dhe Shqipëria iu përvesh kësaj pune me seriozitet të madh. Në këtë periudhë kohore vëmendja u përqëndrua në transformimin e 3 shtyllave kryesore të konsolodimit të shtetit ligjor, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe në fushën e sigurisë të refomave ushtarake, të cilat njohën hapat më cilësore me ide të qarta. Rezultatet e këtyre reformave, mbështetja e fuqishme e mazhorancës por edhe e vullnetit për ta bërë këtë punë me opozitën  dhe me forcat e tjera shoqërore i bindi aleatët tanë dhe u dha kohë të mjaftueshme aletatëve tanë që ti bindin skeptikët për kapacitetin e një kombi si Shqipëria për tu bërë anëtar i NATO-s”, theksoi Basha.

Duke folur për emocionet e asaj dite, kreu demokrat tha se, “kjo datë na gjen sërish të bashkuar, shqiptarë, amerikanë dhe përfaqësues të vendeve të tjera të NATO-s dhe jo të kësaj aleance. Në një nga takimet e para tonat në Bruksel, ish-ambasadorja e SHBA-së, Viktoria Nulan na tha në 2007 se: nëse do të ndodhë një votim sot për anëtarësimin tuaj në NATO, vështirë se merrni një gjysëm vote. Kur u kthyem në datën 2 prill të vitit 2009, ne ishim duke u kthyer në një vend tjetër. Ajo ishte Shqipëria që kishim lënë pak ditë më parë, por që kur e gjetëm ishte anëtare e NATO-s. 1 prilli i vitit 2009, nuk gjente vetëm Shqipërinë anëtare të NATO-s, por gjente edhe Kosovën një vend të pavarur”, tha Basha në fjalën e tij.

Ndërsa ish-kryeministri Pandeli Majko u shpreh se anëtarësimi në NATO përbën suksesin më të madh të Shqipërisë në tranzicionin post komunist. “Ky anëtarësim ka dy aspekte: ka vënë në pah deformimet e brendshme të poltikës, produkt i së kaluarës. Politika shqiptare ende padrejtësinë e lidh me varfërinë. NATO është bërë pjesë e vetëmburrjes sonë kombëtare. NATO ka qenë fjala më e përdorur nga politika shqiptare. Anëtarësimi në NATO nuk e ka ndryshuar papërgjegjshmërinë e politikës shqiptare. Kjo e vërtetë është kthyer në të vërtetë të vonesave tona historike. Marrëdhënia politike në Shqipëri mbetet një çështje e sigurisë në NATO. Politikanët shqiptarë nuk janë naivë, mund të akuzohen për kufizimet për qëllimet e tyre. Qëllimet politike nuk njohin kufizimet e sigurisë në NATO. Aleanca përbën suksesin më të madh të Shqipërisë. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbetet një hap formal i një populli europian. Me NATO-n në krah shqiptarët zhgjidhën dilemat e tyre gjeopolitike përballë fqinjëve. Anëtarësimi i dha vendit një status të ri ndërkombëtar dhe përbën hapin më të rëndësishëm të shkëputjes nga tranzicioni postkomunist. NATO sot më shumë se më parë është pjesë e pandashme e shpresës për të ardhmen”, theksoi Majko.

1 komente në “Basha: Konsensus për integrimin. Majko:Anëtarësimi në NATO nuk ndryshoi papërgjegjshmërinë e politikës”

  1. fatbardh says:

    Para se te hynim ne NATO ne kishim lulishte ,ndersa tani lulishtja eshte transformuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje