Kushtetuesja "ok" hetimit në serverin e tatimeve. Rrëzohet ankesa e PD ndaj Aktit Normativ për ndryshimet në buxhet

4 Prill 2014, 09:40Politika TEMA

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë opozitës në lidhje me kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor për kontrollin e zbatimit të legjislacionit për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar një tjetër ankimim të opozitës në lidhje me aktin normativ të qeverisë për Buxhetin e Shtetit.

Serveri i Tatimeve

Gjykata Kushtetuese ka shpallur si të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, i cili nuk miratoi ngritjen e komisionit hetimor në lidhje me serverin e tatimeve.

Në vendimin e Kushtetueses theksohet “deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të vendimit nr.66, datë 24.12.2013 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e kërkesës së një grupi deputetësh  “Për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar në thellësi fenomenin e ndërhyrjes dhe bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore””.

Partia Demokratike kërkoi në Kuvend ngritjen e një Komisioni hetimor për ndërhyrjet në serverin e tatimeve, kërkesë që u rrëzua nga shumica në Kuvend, pas dyshimeve se në serverin e të dhënave tatimore është ndërhyrë. Madje ish-Kryeministri Sali Berisha në daljet publike akuzoi për zhdukjen e mbi 4.2 milion deklaratave tatimore. Opozita akuzoi Qeverinë se në shkelje të ligjit dhe me bekimin e saj, një grup specialistësh kanë ndërhyrë në serverin qendror të të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, duke shkaktuar mosfunksionimin e sistemit elektronik tatimor për më shumë se dy javë dhe duke cënuar të dhënat kofidenciale të qytetarëve dhe duke i shkaktuar një dëm të madh biznesit dhe arkës së shtetit.

Akti Normativ

Ndërkohë një tjetër vendim i Gjykatës Kushtetuese rrëzon ankimimin e bërë nga Partia Demokratike në lidhje me aktin normativ të Qeverisë për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit 2013.

Në vendim thuhet se “Kushtetuesja vendosi pushimin e gjykimit të çështjes për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën, të aktit normativ të Këshillit të Ministrave nr. 6, datë 04.10.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 ‘Për buxhetin e vitit 2013’” dhe ligjit nr. 166/2013, datë 24.10.2013 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 6, datë 04.10.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 ‘Për buxhetin e vitit 2013’”.

Sipas opozitës, në Aktin Normativ Nr. 6, datë 4.10.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013”, Qeveria Rama ka miratuar nivelin e huamarrjes së re vjetore në shumën 240 milionë dollarë, ku mbi 90 milionë dollarë shkojnë për shpenzime operative.

“ Në nenin 57 të ligjit Nr.9936, datë 26.6.2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet se: “Këshilli i Ministrave është i vetmi autoritet në nivel qendror që ka të drejtën e marrjes së huave për financimin e projekteve të investimeve nga institucionet ndërkombëtare, shtetet ose personat juridikë, në përputhje me dispozitat Kushtetuese dhe me ligjet në fuqi. Ai është i vetmi autoritet që jep garanci shtetërore të huasë. Akti-Normativ i cituar më sipër është në kundërshtim të plote me ligjin organik, i cili rregullon procesin e buxhetimit dhe menaxhimin financiar të vendit, dhe krijon një precedent të rrezikshëm për prishjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit duke marrë borxhe për të paguar pagat e nëpunësve apo kryer shpenzime të tjera për administratën publike”, pretenduan deputetët e PD-së në ankimimin e bërë në Kushtetuese, i cili nuk u morr parasysh. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje