Marrëveshja FMN-Qeveri/ Opozita kundër kushteve, largohet nga salla e Kuvendit. PS-LSI: Fund praktikave abuzive

3 Prill 2014, 20:48Politika TEMA

Kuvendi debatoi për më shumë se 8 orë në lidhje me marrëveshjen e huasë mes Qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në fund të debateve opozita u largua nga salla e Kuvendit duke u shprehur jo kundër marrëveshjes, por kushteve që i janë vendosur Qeverisë shqiptare për shkak të paaftësisë së saj. Opozita akuzoi Qeverinë se ka fshehur marrëveshjen dhe nuk ka bërë të njohura kushtet që i janë vendosur. Në anën tjetër Qeveria garantoi se marrëveshja nuk parashikon uljen e rrogave dhe pensioneve, apo rritje të tjera taksash, sikundër pretendonte opozita. Miratimi i marrëveshjes u cilësua nga mazhoranca si një shpëtim për ekonominë shqiptare, duke i dhënë fund praktikave të përdorura deri më tani që shteti nuk paguante sipërmarrësit për punët publike që ata kryenin.

Veliaj: Reforma e domosdoshme, subvencioni 420 milionë dollarë

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, deklaroi se reforma e pensioneve është e domosdoshme për faktin se aktualisht i merr buxhetit të shtetit 420 milionë dollarë për të subvencionuar skemën defiçitare. Sipas tij, të rinjtë duhet të kuptojnë se po nuk kontribuan sot për pensionin e tyre, nuk do të ketë para për ta pasi shteti nuk mund të kontribuojë pafundësisht skemën e pensioneve. “Shqipëria është shteti me moshën më të ulët të daljes në pension në Evropë, e nga ana tjetër, popullsia po jeton më gjatë. Sot me moshën demografike që kemi, një individ merr pension për 30 vjet dhe mjafton të ketë punuar 15 vjet gjatë jetës së tij. Kjo është logjika që na çoi në greminë. Sa për të bërë një krahasim: në skemën e pensioneve hedhim çdo vit ekuivalenten e shumës për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Por, sa mirë do të ishte Shqipëria sikur këto para të shkonin për ndërtimin e shkollave dhe rrugëve të reja?”, tha ai. Veliaj shtoi se me reformën e pensioneve do të rriten të ardhurat, kontributet do të mblidhen më mirë, si dhe do të rritet baza e atyre që kontribuojnë. Ai kujtoi se alternativa e qeverisë së mëparshme ishte të mos ua jepte për gjashtë muaj ndihmën ekonomike 108 mijë familjeve shqiptare. “Kultura e ‘hamë-pimë se faturat i paguajnë këta që vijnë pas nesh’, duhet të marrë fund”, tha ministri Veliaj.

Vasili: Marrëveshja i jep fund praktikave të mospagesave ndaj biznesit

Marrëveshja mes Qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar do të rimëkëmbë ekonominë shqiptare, është një garanci që reformat e ndërmarra nga Qeveria janë në rrugën e duhur dhe që gëzojnë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare. Kështu u shpreh në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kreu i deputetëve të kësaj partie Petrit Vasili. Sipas tij, marrëveshja me FMN është gjithashtu një mbështetje për biznesin dhe sipërmarrësit.  “Ekonomia shqiptare reflekton që nga sot një tjetër pamje, ofron një Shqipëri më të begatë”, theksoi Vasili. Sipas tij, kjo marrëveshje jep ato sinjale të rëndësishme dhe të sigurta mbi ekonominë shqiptare. “Marrëveshja i jep fund praktikave që biznesi të mos paguahej për punën e bërë, apo që qeveria të vidhte në mënyrë qeveritare për interesa elektorale biznesin, duke mos e paguar aspak për investimet e kryera”, theksoi Vasili. Sipas tij, kjo kredi është një mundësi për të kontrolluar më mirë jo vetëm borxhin, por edhe për të garantuar një rritje ekonomike.

Bode: Qeveria autore e një paniku ekonomik, rritët defiçitin

Ish-ministri i Financave Ridvan Bode akuzon Qeverinë Rama se në rastin e marrëveshjes së huasë me Fondin Monetar Ndërkombëtar zgjodhi rrugën e heshjes, deri ditën kur FMN e publikoi marrëveshjen në faqen e saj zyrtare.  Bode tha se edhe gjatë debatit parlamentar, qeveria mohoi ato të cilat FMN ka publikuar . Duke iu referuar marrëveshjes së huasë, Bode tha se janë detyruar shumë qeveri të nënshkruajnë marrëveshje të tilla, por s’janë thjesht marrëveshje huash por memorandume bashkëpunimi, që kushtëzohen me strukturime dhe reforma. “ Shpesh marrëveshje të tilla kanë pasur kosto në shumë vende, sikundër është rasti i Greqisë. Mungesa e një program të qartë ekonomik, kapacitetet e reduktuara të Qeverisë, na kanë bindur që qeveria ka nevojë për një monitorim të rreptë që të mos çojë vendin në kolaps. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kuptuar që premtimet kjo qeveri  i  ka sa një mal dhe punën sa një kokërr lajthie. Kushtet që i janë vendosur qeverisë shqiptare nuk i janë vendosur as një vendi si në rastin e Greqisë, kur ekonomia shkoi në reçension. Qeveria është bërë  autore e një paniku ekonomik, duke deklaruar si borxh të keq të gjitha kontratat që biznesi kishte me shtetin, duke rritur nivelin e borxhit 10-15 %, duke rritur taksat menjëherë”, theksoi Bode. Por sipas tij, çdo rritje takse do t’i kthehet Qeverisë në një gropë edhe më të madhe. “Biznesi nuk mund të paguajë rritje taksash apo taksa shtesë, vetëm sepse Qeveria ka rritur informalitetin e ekonomisë. 200 milionë lekë më pak të ardhura krahasuar me të njëjtën periudhë të 2013 nga pagesat e sigurimeve shoqërore janë mbledhur në dy muajt e parë të këtij viti. Dhe kjo ka ndodhur për shkak të fshehjes së pagave dhe informalitetit.  Është e papranueshme ti kërkohet qytetarëve 3-4 vite punë shtesë për të dalë në pension dhe ne nuk mbështesim një propozim të tillë”, theksoi Bode. Sipas tij, edhe pretendimet e Qeverisë se huaja u morr për të shlyer borxhet e Qeverisë së mëparshme. “Borxhin e rritët me 400 milionë dollar në 3 mujorin e fundit të vitit të shkuar dhe përdorët borxhin e gjetur në mënyrë djallëzore”, theksoi Bode. Sipas tij, PD nuk është kundër miratimit të kësaj kredie në kushtet e përshtatshme. “Objektivat e përcaktuara nga Fondi janë plotësisht të realizueshme, por ne nuk mund të pranojmë që realizimi i këtyre objektivave të bjerë mbi qytetarin shqiptar dhe sipërmarrësit. Ne nuk mund të bëhemi palë në angazhimet tuaja”, tha Bode.

Balla: Marrëveshja me FMN, shpëtim për ekonominë shqiptare

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste e cilësoi marrëveshjen mes Qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar si shpëtim për ekonominë shqiptare. Deputeti Taulant Balla në debatin e zhvilluar në Kuvend, theksoi se kjo kontratë huaje është shumë e rëndësishme dhe instrument po kaq i rëndësishëm bashkëpunimi me FMN. “ Kjo marrëveshje ndërpret hemoragjinë e borxheve që shteti i ka sipërmarrjes. Kushtet e programit janë konsolidimi fiskal dhe kjo nënkupton një administrim dhe një mbledhje më të mirë e taksave. Kjo marrëveshje nënkupton masa për uljen e kredive me probleme në sektorin bankar. Një shtet që nuk paguan borxhet ndaj biznesit, jo vetëm rrezikon falimentin e biznesit, por edhe sistemin bankar”, theksoi Balla. Në vijim ai shtoi se kjo mazhorancë gjeti një situatë ekonomike të rëndë nga Qeveria e mëparshme, e cila sot sulmon FMN.  “Gjetëm 720 milionë dollarë borxhe të fshehura dhe sot ish-Kryeministri Berisha dhe ministri i tij i Financave  akuzon FMN se po gënjen shqiptarët. Sot po i kujtojmë Saliut ta lërë FMN rehat, sepse po ndihmon Shqipërinë në një moment të rëndësishëm për rimëkëmbjen ekonomike. E la ekonominë në një gjendje dëshpëruese, kishte prerë qindra shirita, bënte tendera dhe lidhte kontrata, pa pasur asnjë fond në buxhet. Kjo marrëveshje është shpëtimi i ekonomisë shqiptare. Berisha na la një ekonomi të minuar me synimin se minat e ekonomisë do të shpërthenin dhe këto do ti mundësonin një rikthim të shpejtë në pushtet”, tha Balla.

Mima: Marrëveshja e huasë, komisioni në fund është 30 milionë euro

Deputeti i Partisë Demokratike Florion Mima akuzon Qeverinë se nuk po thotë të vërtetën në lidhje me marrëveshjen e huasë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjatë debatit parlamentar në lidhje me marrëveshjen, deputeti Mima theksoi se Qeveria ka frikë të informojë publikun, i cili do të paguajë këtë kredi. “Ekspertët vlerësojnë se kredia është e mirë, i bën nder portofolit të shqiptarëve, por ajo nuk është falas dhe populli duhet të paguajë 30 milionë euro komision në fund të periudhës. Kredia vlerësohet e mirë, por kjo është vetëm vitrina e dyqanit, sepse në depo janë detajet. Pra, djalli qëndron në depo!  Një nga pyetjet që kam:  Kush e ka shkruar këtë listë me taksa të reja dhe moshë pensioni që ndryshon në fund të dokumentit?  Kam kurajon të them se FMN-ja as e di që Shqipëria ka taksë për makinat e vjetra, apo që Shqipëria ka dashur të taksojë fluksin e telefonatave në hyrje etj. Pra, këto janë shkruar e shtuar në marrëveshje nga shqiptarët, jo nga FMN-ja.  Dy masa ju  “groposin”  si forcë e majtë:  rritja e çmimit të energjisë dhe e moshës së pensionit!”, theksoi Mima

Islami-Gjylameti replikat në Kuvend

Një tjetër debat i regjistruar në sallën e Kuvendit, ishte ai mes deputetit të PD-së Kastriot Islami dhe asaj socialiste Blerina Gjylameti. Kjo e fundit ironizoi fjalimin e ligjvënësit demokrat Islami, kur ky i fundit u shpreh se ne si opozitë synojmë vetëm të bëjmë transparencën e një marrëveshjeje që qartësisht jo vetëm shtrëngon rripin e çdo familjejej shqiptare dhe individi, por edhe që reçensioni dhe kriza ekonomike nuk përjashtohen.  Fraza ne si opozitë, e përdorur nga Islami, ka sjellë reagimin e deputetes Gjylameti e cila ironikisht bëri propozimin: “të mbajmë një minutë heshtje pë vdekjen e së djathtës shqiptare!”. Në përgjigje të kësaj batute të deputetes së PS-së, Islami u shpreh “: Nuk më takon të replikoj me një zonjë që vjen për herë të parë në parlament. Por në francë, ministrat në qeverinë e re janë mbi 50 vjeç; unë po replikoj në mënyrë asimetrike. Do t’i kërkoja zonjës që të mos lexonte mesazhet prej “gjyleje” të një Kryeministri që nuk reflekton”.  Në lidhje me marrëveshjen, islami theksoi se ajo së pari bie ndesh me shumicën e premtimeve populiste e të fryra të fushatës; e dyta, kushtet janë të disfavorshme për vendin. Lajmi i vetëm i mirë është se kjo Qeveri do të mbahet e monitoruar mirë nga FMN-ja, siç mbahen nxënësit ngelës në klasë. Në reagimin e saj, ligjvënësja Gjylameti tha se “nuk kuptova asnjë nga ato që tha, po do doja të dija se çfarë mikrobi humbi e majta dhe çfarë fitoi e djathta”. Porn ë një tjetër reagim Islami tha “unë vazhdoj të mos replikoj me një virus të infektuar nga një sëmundje e rëndë. Nuk je ti sëmundja, mikrobin e keni këtu”.

Spitali i Shkodrës/ Replikat Topalli-Ademi-Beqaj

Seanca parlamentare u shoqërua me debate dhe replica mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Ish-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe deputetja Voltana Ademi ngritën shqetësimin në Kuvend mbi gjendjen në spitalin e Shkodrës.. Sipas deputeteve të PD-së në qarkun më të madh në very të vendit, ky spital ku nuk ka absolutisht asgjë: as ilaçe, as doreza, as ushqim, asnjë lloj trajtimi, asnjë lloj kushti për të sëmurët. “Situata në spitalin rajonal të Shkodrës është katastrofike! Atje nuk ka asgjë! Pikërisht sot atje nuk ka pasur as drita, as ujë. S’e bëjmë për opozitë, por për njerëzillëk! Merrni masa”, iu drejtua deputetja Ademi ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Po kështu ish-Kryeparlamentarja Topalli u shpreh se “spitali i Shkodrës nuk ka asnjë ilaç, as doreza. Mjekët e atij spitali janë heronj. A e dini cili është ushqimi i spitalit? Oriz me ujë se nuk ka vaj! Prej një muaji nuk ka as bukë! Dhe së fundi: spitalin e tuberkulozit e kanë vendosur ngjitur me neurologjinë. Ju lutem, ta shikoni. Por të paktën bukë çoni në spitale”.  Në përgjigje të këtij shqetësi miministri  Beqaj u përgjigj “Ju zonjë, nuk duhet të kishit lejuar që spitali të kishte 19 lidhje të paligjshme. Fole për ushqimin. Por atje ka një specifikë, se kuzhina është e rrethuar me shirit “Zonë krimi”. Ti ke qënë prefekte dhe mban përgjegjësi për atë kohë. E ka rrethuar Prokuroria, sepse është abuzuar me atë ndërtim dhe po hetohet, është Prokuroria që nuk lejon të ndërtohet në të kuzhina e re”.

 

3 komente në “Marrëveshja FMN-Qeveri/ Opozita kundër kushteve, largohet nga salla e Kuvendit. PS-LSI: Fund praktikave abuzive”

  1. pa emer says:

    o gazetar! a u miratua marreveshja ne kuvend apo jo?

  2. Alias says:

    Abuzivitetit të kujt o paterica e gjithkujt? Të atyre për të cilët ju ngrinit kartonin pro në çdo rast?
    Kur flisni ju per abuzivitet, është njësoj sikur djalli të thotë jam jezusi.

  3. Argita_B says:

    Ne princip nese vendi yne ka qene i detyruar te negocjoje me FMN-ne kjo eshte shume e thjeshte per tu kuptuar se gjendja ekonomike e tij eshte delikate, per te mos thene ne krize.
    Nese gjendja ekonomike eshte tejet e renduar, faji kryesor i bie qeverise Berisha pasi ishte 8 vjet ne pushtet dhe ky eshte fakt.
    Opozita ushtron te drejten e saj kur kundershton akorde te nenshkruara me FMN-ne, problemi eshte se perveç kundershtimit, cila eshte alternativa qe parashtron apo propozon opozita per te zgjidhur situaten!
    Nese ekonomia shqiptare ishte ne lulezim dhe nga me solidet ne Evrope ashtu si pretendonte Berisha para nje viti, si ka mundesi qe sot qeveria aktuale gjendet me arkat bosh dhe eshte e detyruar qe te kerkoje para borxh te FMN-ja?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje