Strategjia e sigurisë kombëtare meriton të trajtohet edhe si një kontributore e rëndësishme për përmirësimin e marrëdhënieve midis shtetit dhe individit. Kujdesi për individin e thjeshtë, për njerëzit në nevojë e rrezik, për sigurinë e jetës, mirëqënies dhe dinjitetit njerëzor lipset të jetë një objektiv thelbësor i strategjisë së sigurisë.
Sa më i drejtë të jetë raporti midis shtetit dhe individit, aq më e përparuar dhe demokratike është shoqëria e një vendi. Një nga arsyet kryesore të zhvillimit të vendeve demokratike është pikërisht fokusi që qeveritë e tyre kanë te individi i thjeshtë, është respekti për qytetarin.
Në fjalën e tij, kur u nderua me çmimin nobel për paqe, Obama theksoi se: “Është pa dyshim e vërtetë se zhvillimi rrallë mund të zerë rrënjë pa siguri. Por është gjithashtu e vërtetë se siguria nuk ekziston atje ku njerëzit nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, ujë të pastër, apo kushte mjekësore të nevojshme për të mbijetuar. Siguria nuk ekziston atje ku fëmijët nuk mund të aspirojnë për arsim të mirë, apo një punë që mbështet një familje. Mungesa e shpresës mund ta shkatërrojë nga brenda një shoqëri”.
Trajtimi i konceptit të sigurisë njerëzore në dokumentin e strategjisë mundëson kuptimin dhe vënien në jetë të idesë se siguria njerëzore është pjesë përbërëse e sigurisë së madhe. Siguria njerëzore në këtë mënyrë shkon përtej sigurisë shtetërore, ajo plotëson sigurinë e shtetit duke vendosur njerëzit në qendër dhe duke trajtuar pasiguri që nuk janë konsideruar si kërcënime të sigurisë shtetërore.
Koncepti i sigurisë njerëzore, jo vetëm në vendin tonë, është një koncept i trajtuar jo plotësisht, si në strategjitë dhe dokumentat e sektorit të sigurisë, ashtu edhe në dialogun publik. Shkak kryesor për këtë është “kontradikta” që ekziston ndërmjet individit dhe shtetit, është përgjegjësia që shteti duhet të marrë mbi vete për sigurinë e qytetarëve të tij.
Një vështirësi tjetër për konceptin e sigurisë njerëzore është dallimi i tij nga të drejtat e njeriut. Jo të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut përbëjnë kërcënim për sigurinë njerëzore. Varfëria, për shembull, nuk përbën një rast urgjent, në kuptimin se nuk ka vlera themelore që janë nën kërcënim. Por, duke u fokusuar tek individi, varfëria është një kërcënim i menjëhershëm për vetë ekzistencën e individit, si dhe për më tej, për pasoja krizash dhe konfliktesh. Pra, e rëndësishme është të dallohet se mohimi i cilave vlera thelbësore ndikon në kërcënimin e sigurisë njerëzore.
Problematika serioze në vendin tonë, si vrasjet, aksidentet rrugore, gjakmarrja, papunësia, problemet shëndetësore, të drejtat e shqiptarëve kudo ku ndodhen, mjedisi, etj, mund të jenë pjesë e debatit dhe e përfshirjes në strategjinë e sigurisë, pa drojen e përzierjes me të drejtat e njeriut. Sot shqiptarët shqetësohen më tepër për pasiguritë e tyre individuale, familjare dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre, se sa për terrorizmin ndërkombëtar apo sigurinë globale. Strategjia e sigurisë nevojitet të japë përgjigje së pari për kërcënimet që i shqetësojnë realisht shqiptarët në jetën e tyre të përditëshme.
OKB, këtu e njëzet vjet përpara, me Programin Zhvillues të Kombeve të Bashkuara, ka synuar të ndryshojë konceptin e sigurisë, duke mos e interpretuar atë thjesht si siguri territoriale, kombëtare, apo globale, por duke e zgjeruar me fokus sigurinë njerëzore. Në këtë mënyrë, me konceptin e zgjeruar të sigurisë, OKB-ja morri më tepër përgjegjësi, për të mbështetur “sigurinë nëpërmjet zhvillimit të qendrueshëm njerëzor”. Sipas këtij Programi, njerëzit kanë të drejtën për të jetuar në liri dhe dinjitet, të lirë nga varfëria dhe dëshpërimi. Të gjithë individët dhe në veçanti individët e rrezikuar, kanë të drejtën e lirisë nga frika dhe lirisë nga varfëria, me mundësi të barabartë për të gëzuar të gjitha të drejtat e tyre dhe zhvilluar plotësisht potencialin e tyre njerëzor.
Nga ky këndvështrim, është mirë që te dokumenti i strategjisë të evidentohet roli dhe përgjegjësia e shtetit për të siguruar mbijetesën, mirëqenien dhe dinjitetin e shtetasve të vet. Shteti ka përgjegjësinë për të siguruar mbrojtjen e thelbit jetik të gjithë jetës njerëzore nga kërcënimet kritike dhe të gjera mjedisore, ekonomike, ushqimore, shëndetësore, personale dhe politike. Kjo përgjegjësi kurrsesi nuk mund të mbahet vetëm nga një apo dy ministri. Përgjegjsia për sigurinë njerëzore nevojitet të përfshijë si legjislativin, me komisionet e përhershme përkatëse të Kuvendit, me institucionet e pavarura, ashtu edhe qeverinë. Thelbësore është arritja e bashkëpunimit, i cili mund të kurorëzohet me funksionimin normal të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. E rëndësishme gjithashtu është përcaktimi se kush ka përgjegjësinë për të prodhuar siguri dhe si do ta prodhojë atë.
Te dokumenti i strategjisë është mirë të evidentohet vizioni i lirisë nga varfëria, “freedom from want”, i cili fokusohet te siguria individuale për nevojat bazë njerëzore, të fushës ekonomike, shëndetësore, ushqimore, shoqërore dhe mjedisore.
Një vizion tjetër i rëndësishëm dhe pjesë përbërëse e sigurisë njerëzore është lirina nga frika, “freedom from fear”, e cila ka të bëjë me të drejtën e individit për t’u mbrojtur prej dhunës së kryer ndaj tij nga faktorë të ndryshëm, qoftë edhe nga qeveria e tij. Liria nga frika në përgjithësi është e lidhur me traditën e të drejtave të njeriut, e cila e sheh shtetin si problemin dhe burimin e kërcënimeve ndaj sigurisë individuale.
Përveç lirisë nga frika dhe lirinë nga skamja, është edhe liria për të jetuar me dinjitet, ku përfshihet sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe madje edhe përgjegjësia për të mbrojtur.
Nisur nga moria e shembujve me mungesa të këtyre tri lirive njerëzore në shoqërinë tonë, mendoj se sigurisë njerëzore i takon një vend parësor te strategjia e sigurisë kombëtare.
Kohët e fundit, në media janë shfaqur disa debate nga studiues të ndryshëm të fushës së sigurisë. Nëse verëhen studiuesit më të famshëm botërorë të kësaj fushe, mund të thuhet se debatet mes tyre janë të pakta. Ata më lehtë e kanë të injorojnë njëri-tjetrin se sa të debatojnë apo të kundërshtojnë, duke u shmangur në këtë mënyrë edhe nga përkufizimet më thelbësore. Në këtë aspekt, do të uroja thellimin e debatit mes studiuesve të vendit tonë, si një shërbim publik në këtë fushë, por me koncepte dhe jo me zënka personale.
Berti, te pershendes dhe sinqerisht te pergezoj per shkrimet qe po ben dhe, tematikat qe trajton, pasi jane vertet ato qe kane nevoje si FA dhe strateget tane, brenda dhe jashte FA.
Qytetaria, i dashur asnjehere s’ka brire dhe nuk duhet pare te ngyrat e kollareve, rrugve ku kane shkelur, apo pritjeve qe kane marre pjese per shkak te detyres, apo aq me keq dekoratat qe ju kane apo kane varur.
Mendoj se sot si asnjehere tjeter me pare Shqiperise dhe ne vecanti FA-se, i duhen kontribute te mirfilleta per te diskutuar, rishikuar, hartuar dhe publikuar Strategjite e veta.
Dhe te dy apo tre paleve duhet thene troc, si e ke thene ti miku im “Llafet, levdatat, sharjet, ofezat etj.. e ku di une jane FUKARALLEK”, i cili per ironi te fatit asnjehere dhe ne asnje vend te botes nuk ka sjelle zhvillim..
Sinqerisht nje mik.