Gashi, kryeshënues në futbollin e Zvicrës

28 Prill 2014, 13:33Sport TEMA

Shkëlzen Gashi është golashënuesi më i mirë në Zvicër. Kur duhen edhe pesë javë nga fundi i sezonit, mesfushori me tipare sulmuese i Kombëtares shqiptare dhe Grasshopersit kryeson listën e goleadorëve me 13 gola të shënuar. I 13-ti erdhi pikërisht në ndeshjen ndaj Bazelit të përfunduar në barazim 1-1. Gashi shfrytëzoi më së miri një top të pasuar nga e majta e sulmit në qendër të zonës kundërshtare dhe në rrëshqitje e sipër me të djathtën e dërgoi topin në rrjetë.

Ishte minuta e 36-të e takimit dhe u duk sikur Grasshsopers rihapi kampionatin, por në të 44-ën Stoker arriti të barazojë shifrat. Para shënimit të golit, Gashi pati një rast të pastër në minutën e 24-t, kur vetëm pak metra larg nga porta, brenda zonës, ballë për ballë me portierin gjuajti mbi tra. Ndërsa në pjesën e dytë, Gashi u bë protagonist i një rrëzimi në zonë, që sipas arbitrit kishte nisur jashtë, ndaj nuk ishte penallti por goditje dënimi.

Ndërkohë në minutën e 84- t, Gashi u zëvendësua nga trajneri Skibe. Në fushë nga minuta e parë deri në fund ishte edhe lojtari tjetër i Kombëtares, Amir Abrashi. Ndërkohë kujtojmë që Gashi ka shënuar këtë sezon një tripletë në fitoren 4-2 të Grasshoperit ndaj Sionit, një dopietë në fitoren 4-2 ndaj Araut dhe nga një gol në ndeshjet: Bazel- Grasshoper 1-1, Lozanë-Grasshoper 0-2, Thun-Grasshoper 1- 3, St.Galen-Grasshoper 1-5, Luzern- Grasshoper 1-3, Grasshoper- Lozanë 2-0, Grasshoper- Arau 4-2 dhe St.Galen-Grasshoper 0-2.

“Jemi në formë shumë të mirë si ekip dhe për më tepër kam besimin e trajnerit. Ai më jep lirinë e duhur në fushë, duke mos më dhënë detyra të përcaktuara dhe kjo tip formule ka funksionuar”, ka pohuar Gashi, i kontaktuar nga “Panorama Sport”. Ndërkohë, i pyetur se si është e munduar që të njëjtën gjë ai nuk ka arritur ta bëjë në Kombëtaren shqiptare, Gashi ka preferuar të mos lërë asnjë koment. Gazeta ka këmbëngulur, duke e pyetur nëse këta gola do t’i japin atij mundësinë që të jetë titullar në Kombëtaren e drejtuar nga De Biazi, por përsëri sulmuesi nuk ka kthyer përgjigje duke thënë: “No comment”!. Kujtojmë që lojtari është lënë jashtë skuadrës sonë përfaqësuese në miqësoren ndaj Maltës dhe për këtë arsye nuk nguroi të kritikonte teknikun italian të kuqezinjve, në një intervistë dhënë Panorama Sport, para një muaji.

1 komente në “Gashi, kryeshënues në futbollin e Zvicrës”

  1. bledi says:

    Se nuk eshte ftu me malten,sdo te thote se eshte lene jashte vemendjes!! Besoj se sulmi i shqiperise do jete Gashi,Berisha…….Salihi me shoke humbin 20 raste me bo gol,,,sadikut e balajt duhet ti kushtohet me shume vemendje,sidomos sadikut qe ka shpirt luftarak.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje