Inspektoriati i KLD, kontroll në 28 gjykata/ Shkelje në hedhjen e shortit dhe tejzgjatje seancash. Raporti i plotë

31 Maj 2014, 11:38Kronika TEMA

Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ushtron kontroll në 28 gjykata të vendit, nga të cilat 6 Gjykata të Apeleve. Inspektimi ka përfshirë rolin e Gjykatave në luftën kundër dhunës në familje nëpërmjet kontrollit të çështjeve me objekt “Lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes” dhe “Lëshimin e urdhërit të mbrojtjes”, si dhe forcimin e sigurisë publike nëpërmjet kontrollit të çështjeve për caktimin e masave të sigurimit personal për të dyshuarit për kryerjen e veprave penale të prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Periudha e zgjedhur për insketim ishte 18 muaj dhe ka përfshirë dosjet dhe vendimet nga 01.01.2011 – 30.06.2012.

“Në përfundim të këtij inspektimi është konkluduar se ka vend për përmirësim në procedurat për shqyrtimin e kërkesave për mbrojtjen nga dhuna në familje. Përmirësimi i situatës kërkon ndërhyrje ligjore dhe administrative. Po ashtu, është konkluduar se duhet të standardizohet praktika gjyqësore për masat e sigurimit ndaj të dyshuarve të veprës penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Nga analiza e këtyre gjetjeve, janë dhënë 8 rekomandime, një pjesë e të cilave lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë e KLD-së, ndërsa një pjesë me institucionet e treta. Në formulimin e rekomandimeve është mbajtur në konsideratë fakti se fenomeni i dhunës në familje kërkon një reagim të bashërenduar të institucioneve shtetërore”, thuhet në një deklaratë të KLD.

Mbi dhunën në familje

Zhvillimi i këtij inspektimi tematik synoi të monitoronte performancën e gjykatave në zbatimin e ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar. Këtij inspektimi iu nënshtruan 2689 vendime gjyqësore mbi dhunën në familje të dhëna për periudhën e inspektuar 1.1.2011-31.07.2012. Ngarkesën më të lartë të çështjeve e kanë përballuar gjykatat e juridiksionit të apelit Tiranë me 1024 çështje, për të vijuar me gjykatat e juridiksionit të apelit Durrës me 446 çështje, gjykatat e juridiksionit të apelit Vlorë me 446 çështje, me gjykatat e juridiksionit të Apelit Shkodër me 315 çështje, me gjykatat e juridiksionit të Apelit Korçë me 272 çështje dhe me gjykatat e juridiksionit të Apelit Gjirokastër me 186 çështje (të dhëna të detajuara gjenden në format tabelar në aneksin e këtij Raporti).  Krahas monitorimit të performancës së gjyqësorit, u konstatua se pothuajse i gjithë sistemi mbrojtës ligjor për dhunën në familje ka nevojë për përmirësim në drejtimet e mëposhtme:

1-Rritjen e cilësisë së mbrojtjes ndaj të dëmtuarës nga dhuna në familje, ku një rol i posaçëm i takon policisë së shtetit dhe prokurorisë. Problematika bazë në këtë drejtim lidhet me rolin e paqartë procedural të policisë së shtetit, si rezultat i të cilës, praktika gjyqësore ka qenë e ndryshme. Në një numër të konsiderueshëm gjykatash, policia e shtetit si pritëse e parë e dhunës në familje, plotëson dokumentacionin dhe i paraqet ato administrativisht në gjykatë, duke ndaluar së ndjekuri çështjen gjyqësore. Në shumicën dërrmuese të këtyre rasteve, çështjet gjyqësore të transmetuara administrativisht prej Policisë së Shtetit pushohen, sepse e dëmtuara nga dhuna në familje tregon mungesë vullneti për të vijuar. Zgjidhja e këtyre çështjeve me pushim prej gjykatave vjen në kundërshtim me qëllimin e ligjvënësit, i cili në nenin 13 pika 4 të ligjit nr. 9669/2006 ka urdhëruar vazhdimin e gjykimit për këto çështje, pavarësisht vullnetit të të dëmtuarës. Gjykatat në këto raste interpretojnë se nuk është vendi për zbatimin e nenit 13 pika 4 të ligjit nr. 9669/2006, pasi Komisariati i Policisë nuk është paraqitur në pozitën procedurale të paditësit. Megjithatë duhet evidentuar praktika e mirë e Komisariatit të Policisë në qarkun Elbasan (në periudhën e inspektuar në Gj.Rr.Gj.Elbasan janë paraqitur prej Komisariatit të Policisë 40 çështje, me palë kërkuese policinë e shtetit), dhe në Përmet (2 çështje të paraqitura nga Komisariati i Policisë);

2-Në gjykata nuk ka një bazë solide të të dhënave mbi dhunën në familje, që vështirëson identifikimin e rasteve, monitorimin e tyre dhe analizën e të dhënave. Gjykata të ndryshme kanë ndjekur praktika të ndryshme regjistrimi, duke vështirësuar edhe nxjerrjen e statistikave, si dhe duke penguar në disa raste edhe gjykimin për shkak se gjyqtarët japin dorëheqje në çështje që i kanë gjykuar më parë. Gjithashtu, as sistemi elektronik i menaxhimit të integruar të çështjeve ICMIS nuk është i përshtatshëm për regjistrimin specifik të çështjeve të dhunës në familje.

Baza e të dhënave nuk është solide jo vetëm në gjykatë, por i mungon edhe përputhshmëria me të dhënat nga institucionet e tjera, të përfshira në zbatimin e ligjit për dhunën në familje. Në inspektim është konstatuar se edhe policia e shtetit nuk ka të dhëna solide mbi këto çështje sepse për të njëjtin rast, kanë paraqitur dy kërkesa të veçanta në gjykatë (shih rastin Karoshi në Gj.Rr.Gj.Tiranë).

3-Organizimi i shortit është një problematikë tjetër e identifikuar. Gjykata e inspektuara nuk kanë një praktikë uniforme në këtë drejtim. Në disa gjykata, çështjet i kalojnë me short gjyqtarëve të seksionit familjar të dhomës civile; në disa gjykata, gjyqtarëve të gatshëm, ndërsa në disa gjykata të gjithë gjyqtarëve me short. Vendimi nr. 238/1/a, datë 24.12.2008 i KLD-së “Për procedurat e ndarjes me short të çështjeve gjyqësore”, i ndryshuar, nuk ndihmon në këtë drejtim sepse nuk ka rregulla të mjaftueshme për këto çështje. Për më tepër, afatet e organizimit të shortit, që janë të lidhura drejtpërdrejt me shpejtësinë dhe respektimin e afateve ligjore të gjykimit, mungojnë tërësisht. Në disa gjykata janë identifikuar shkelje të afateve ligjore, pikërisht për shkak të organizimit të vonuar të shortit.

4-Rritjen e efiçencës së gjykatave në drejtim të kohëzgjatjes së gjykimeve. Gjetja kryesore e këtij Inspektimi është shkelja në mënyrë sistematike e afateve procedurale të vendosura nga ligji për shqyrtimin e kërkesave dhe dhënien e vendimeve gjyqësore mbi to. Në 183 raste nga 2689 që ishin objekt i inspektimit, janë konstatuar shkelje të afateve ligjore, të cilat zënë masën 6.8 % të volumit në shkallë vendi.

5-Gjykatat tregojnë një kujdes formal në procedurat për caktimin e seancës së parë brenda afatit ligjor, por duke dështuar në një pjesë të mirë të rasteve të përfundojnë gjykimin dhe të japin vendim. Terminologjia ligjore “vendos në lidhje me kërkesën brenda 48 orëve”, “vendos shqyrtimin brenda 15 ditëve” apo “cakton datën e dëgjimit brenda 20 ditëve” është zbatuar si detyrim nga gjykatat për caktimin e seancës së parë dhe jo për përfundimin dhe dhënien e vendimit brenda këtyre afateve. Parashikimi ligjor për afatin 20 ditor në caktimin e seancës dëgjimore është zbatuar literalisht nga gjykatat. Në një shumicë çështjesh, seanca dëgjimore e parë caktohet formalisht dhe procedura e konfirmimit të mbrojtjes zgjat në mënyrë të paarsyeshme. Një shembull i keq ilustrues është çështja civile nr. 7557 akti, datë 01.03.2011, ku padia është paraqitur më 01.03.2011 prej Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimi është dhënë pas 69 ditëve, me të cilin është pushuar gjykimi. Vonesa e gjyqtarit në këtë procedurë ka detyruar Komisariatin e Policisë të paraqesë kërkesë të re, për të cilën i njëjti gjyqtar ka vendosur lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes (shih të dhënat e rastit nr. 28 në Gj.Rr.Gj.Tiranë).Respektimi i afateve duket të jetë edhe çështje e mentalitetit të gabuar të gjyqtarëve me justifikimin se shkelja e tyre nuk sjell pasoja të dukshme. Ky konkluzion mbështetet në gjetjet e inspektimit, ku nuk mungojnë rastet e shkeljeve të afatit për shkak të pushimit javor, të pushimeve zyrtare, pushimit vjetor apo të angazhimeve të tjera më të rëndësishme të gjyqtarit, siç është pjesëmarrja në një seminar trajnimi.Në 10 gjykata, është konstatuar se afatet procedurale janë respektuar në mbi 94 % të çështjeve. Këto janë gjykatat e rretheve gjyqësore Dibër, Tiranë, Durrës, Kavajë, Kukës, Shkodër, Tropojë, Pogradec, Përmet dhe Gjirokastër. Gjykatat me treguesin kohor më të keq janë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin me 70 % dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë me 73.08 %.

6-Rritjen e efiçencës së gjykatave në drejtim të procedurave të sakta për të shmangur zhvillimin e gjykimit me më shumë se sa një seancë. Në këtë pikë, shfaqen problematika në njoftimin e palëve, në paraqitjen e provave dhe në pranimin e kërkesave për shtyrje të palëve prej gjykatës. Gjykimet mbi dhunën në familje janë të natyrës specifike dhe janë ndërtuar nga ligjvënësi për t’u përfunduar brenda një seance, që nënkupton bashkërendimin e të gjithë aktorëve, që nga policia e shtetit e deri tek mbrojtësit për të siguruar adresa të plota dhe një set të plotë dokumentacioni provues në kohën e paraqitjes së çështjes në gjykatë. Për pasojë, ka nevojë për saktësimin edhe në nivel ligji të këtyre procedurave.Rritjen e efiçencës së gjykatave në drejtim të zgjidhjes së themelit të çështjeve. Nga inspektimi u konstatua se në 11 gjykata të rretheve gjyqësore tendenca e numrit të çështjeve të paraqitura është në rritje. Këto gjykata janë të rretheve gjyqësore Dibër, Mat, Tiranë, Elbasan, Kavajë, Lushnjë, Vlorë, Korçë, Pogradec dhe Sarandë. Në 5 gjykatat e rretheve gjyqësore Krujë, Durrës, Tropojë, Fier dhe Përmet tendenca është e pandryshuar. Ndërsa në 6 gjykatat e rretheve gjyqësore Kurbin, Lezhë, Kukës, Pukë, Shkodër dhe Berat tendenca është në ulje. Lidhur me këtë çështje duhet të ketë një përputhshmëri ne nevojat për trajnim të specializuar të gjyqtarëve. Në 6 gjykata është konstatuar se përgjatë periudhës së inspektuar janë shqyrtuar më shumë se 100 çështje të tilla. Këto gjykata janë Rrethi Gjyqësor Tiranë me 845 padi, Rrethi Gjyqësor Durrës me 326, Rrethi Gjyqësor Shkodër me 142, Rrethi Gjyqësor Berat me 157, Rrethi Gjyqësor Fier me 142 dhe Rrethi Gjyqësor Korçë me 197.

7-Në këtë drejtim ka dy fenomene shqetësuese: (i) nga njëra anë, një numër i lartë çështjesh pushohen dhe nuk marrin një vendim themeli gjyqësor; dhe (ii) nga ana tjetër, numri i ankimeve në gjykatat më të larta është jashtëzakonisht i ulët. Shkaku determinant i pushimit të çështjeve është mosparaqitja e paditëses apo heqja dorë e saj, megjithatë nuk mungojnë as rastet kur gjykata vendos pushimin për shkak të normalizimit të marrëdhënieve midis palëve ndërgjyqëse (shih vendimin nr.427/2011 të Gj.Rr.Gj.Tiranë). Lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në 5 gjykata shënohen treguesit më të mirë për suksesin e kërkesave me mbi 55 % të pranueshmërisë së kërkesave. Këto gjykata janë të rretheve gjyqësore Mat, Durrës, Tropojë, Vlorë dhe Sarandë. Treguesin më të ulët e kanë 5 gjykatat, tek të cilat është konstatuar se mbi 65 % e çështjeve janë pushuar. Këto gjykata janë të rretheve gjyqësore Dibër, Krujë, Kurbin, Tiranë dhe Pogradec.Numri jashtëzakonisht i ulët i ankimeve tregon se ka një problem me aksesin në drejtësi të të dëmtuarave nga dhuna në familje. Një nga problematikat e konstatuara është numri i ulët i ankimeve, ku në 17 gjykata nuk ka patur anjë vendim të ankimuar. Këto gjykata janë Gjykatat e Apeleve Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, si dhe Gjykatat e Rretheve Gjyqësore Dibër, Krujë, Kurbin, Mat, Kavajë, Kukës, Pukë, Berat, Lushnjë, Gjirokastër dhe Përmet.13 vendime nga 2689 të dhëna gjithsej gjatë periudhës së inspektimit janë cenuar, që zënë masën 0.4 %. Ky tregues, ndonëse formalisht dëshmon për cilësi të lartë të vendimmarrjes nuk është i besueshëm për shkak të numrit të ulët të ankesave.

Masat e sigurimit

Zhvillimi i këtij inspektimi tematik synoi të monitoronte performancën e gjykatave edhe për masat e sigurimit për të dyshuarit e veprave penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Këtij inspektimi iu nënshtruan 1227 vendime gjyqësore mbi masat e sigurimit të dhëna për periudhën e inspektuar 1.1.2011-31.07.2012. Ngarkesën më të lartë të çështjeve e kanë përballuar gjykatat e juridiksionit të apelit Tiranë me 417 çështje, për të vijuar me gjykatat e juridiksionit të apelit Shkodër me 359 çështje, gjykatat e juridiksionit të apelit Durrës me 182 çështje, me gjykatat e juridiksionit të Apelit Vlorë me 172 çështje, me gjykatat e juridiksionit të Apelit Korçë me 64 çështje dhe me gjykatat e juridiksionit të Apelit Gjirokastër me 33 çështje. Në asnjë rast nuk u konstatua shkelje e afatit ligjor 48 orë në procedurën e vleftësimit të arrestit apo të ndalimit të personit. Gjatë periudhës së inspektuar u konstatuan 84 vendime të cenuara, që zënë masën 6.8 % (të dhëna të detajuara gjenden në format tabelar në aneksin e këtij Raporti).

Lidhur me këtë temë të inspektimit u konstatuan problematikat e mëposhtme:

a-Në 9 gjykata të rretheve gjyqësore tendenca e numrit të çështjeve të paraqitura është në rritje. Këto gjykata janë të rretheve gjyqësore Krujë, Kurbin, Elbasan, Kavajë, Lezhë, Kukës, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër. Në 3 gjykatat e rretheve gjyqësore Dibër, Përmet dhe Tiranë tendenca është e pandryshuar. Ndërsa në 10 gjykatat e rretheve gjyqësore Mat, Durrës, Pukë, Shkodër, Tropojë, Fier, Lushnjë, Korçë, Pogradec dhe Sarandë tendenca është në ulje.

Përsa i takon aspektit sasior, numrin më të lartë të çështjeve e kanë përballuar Gjykata e Apelit Tiranë me 142 çështje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 180 çështje dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 97 çështje. Numrin më të ulët të çështjeve e kanë patur gjykatat e rretheve gjyqësore Përmet (1 rast), Tropojë (8 raste) dhe Kavajë (8 raste), si dhe gjykatat e apelit  Gjirokastër (5 raste) Korçë (7 raste).

Gjykatat me numrin më të lartë të vendimeve të paankimuara janë gjykatat e rretheve gjyqësore Kukës, Korçë dhe Përmet, si dhe gjykatat e apelit Gjirokastër, Shkodër, Durrës dhe Tiranë me 90-100 %.

Në gjykatat e rretheve gjyqësore Mat, Durrës, Kavajë, Gjirokastër, Sarandë dhe në gjykatat e apelit Korçë e Vlorë, cilësia e vendimmarrjes mbi masat e sigurimit është nga 90-100 %. Në disa gjykata është konstatuar një cilësi e ulët vendimmarrje mbi masat e sigurimit. Konkretisht, në Gjykatën e Apelit Tiranë cilësia është 17.7 %, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë është 40 %, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës 0 %, si dhe në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore Tropojë dhe Lushnjë është 50 %.

Në ndryshim nga gjetjet mbi dhunën në familje, tek masat e sigurimit është konstatuar se afatet ligjore për vleftësimin e arrestit apo të ndalimit janë respektuar në çdo rast. Ky fakt tregon për një kulturë të zbatimit të ligjit të konsoliduar tek sistemi i drejtësisë dhe duhet të shërbejë si model për përmirësimin edhe të mekanizmit të dhunës në familje.

Niveli i arsyetimit të vendimeve gjyqësore është një çështje shqetësuese. Në një numër relativisht të konsiderueshëm rastesh, gjykatat më të larta cenojnë vendimet për shkak të arsyetimit të varfër të tyre. . Raporti i Progresit për Shqipërinë, 2013 theksonte “Nuk ka patur progres në hartimin e vendimeve gjyqësore, sidomos përsa i takon arsyetimit të tyre. Për më tepër, vendimet gjyqësore përgjithësisht shpallen pa arsyetim, i cili në shumicën e çështjeve bëhet me vonesë domethënëse” (shih fq. 38, Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat e njeriut”).

Tek niveli i arsyetimit duhet evidentuar praktika gjyqësore jo uniforme në dhënien e vendimeve, ku rrethana të njëjta vlerësohen ndryshe nga e njëjta gjykatë në raste të ngjashme. Një shembull i keq ilustrues është shprehja standarde “sanksioni i parashikuar me ligj për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake” i cili përdoret si në caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ashtu edhe në caktimin e masat e tjera të sigurimit të ndryshme nga “arresti në burg”. Duhet evidentuar se në praktikë nuk diferencohen në mënyrë të qartë me rrezikshmëri të shtuar rastet e mbajtjes së armës luftarake në ambiente publike apo rastet e përdorimit të armës. Në këtë kontekst, ndjehet mungesa e vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë mbi këto çështje të lidhura drejtpërdrejt me sigurinë publike të qytetarëve. Nga ana tjetër, konstatohet edhe një rol pasiv dhe i paqartë i prokurorisë, që duhet të unifikojë qëndrimin e saj mbi rrethanat e zbatimit të ligjit në mënyrë të njëjtë për raste të ngjashme.

Rekomandimet

Në përgatitjen e këtyre rekomandimeve është mbajtur në konsideratë misioni monitorues i mekanizmave të inspektimit, të cilat synojnë që sistemi gjyqësor të respektojë Kushtetutën, ligjet, të jetë i aftë për të realizuar dhe mbrojtur dinjitetin, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe të kontribuojë në parandalimin e shkeljeve të ligjit, në përputhje dhe në funksion të kërkesave të zhvillimit demokratik dhe të integrimit europian të Republikës së Shqipërisë.

Thelbi i institutit të inspektimit dhe mekanizmave të kontrollit është në mbrojtjen e interesit publik dhe interesave të ligjshëm të personave fizikë e juridikë.  Kjo arrihet nëpërmjet vlerësimit të respektimit të kërkesave ligjore nga subjekti i inspektimit; këshillimit të subjektit të inspektuar për zbatimin sa më korrekt të kërkesave ligjore; urdhërimit të korrigjimit të shkeljeve të kërkesave ligjore dhe eliminimit të pasojave që rrjedhin prej tyre; marrjes së masave të tjera administrative për shmangien e rreziqeve që mund t’u shkaktohen interesit publik dhe interesave të ligjshëm të personave fizikë dhe juridikë, sipas kushteve dhe procedurave të parashikuara në ligj.

Rekomandim 1. Raporti i inspektimit t’i njoftohet të gjitha gjykatave të inspektuara në zbatim të parimit të transparencës së veprimtarisë inspektuese, me qëllim njohjen me praktikat e mira të identifikuara dhe me praktikat e këqija të zbatimit të ligjit, për shmangien e tyre. Ky njoftim mund të realizohet nëpërmjet publikimit të tij në faqen zyrtare të internetit të KLD-së, duke siguruar paraprakisht anonimatin e rasteve konkrete për të respektuar mbrojtjen e të dhënave personale.

Rekomandim 2.Krijimi i një baze të të dhënave të posaçme për çështjet e dhunës në familje në gjykata, i cili të sigurojë regjistrimin në mënyrë uniformenë të gjitha gjykatat. Regjistrat në Gjykata duhen përmirësuar, ku të evidentohen veçmas rastet dhe ecuria e tyre. Po ashtu, duhet përmirësuar sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve, si dhe rregullat e shortimit të këtyre çështjeve. Në këtë kontekst, nevojitet bashkëpunimi i KLD-së me Ministrinë e Drejtësisë për të realizuar këtë rekomandim.

Rekomandim 3. Përmirësimi i vendimit nr. 238/1/a, datë 24.12.2008 i KLD-së “Për procedurat e ndarjes me short të çështjeve gjyqësore”, i ndryshuar, për të adresuar gjetjet e këtij inspektimi në drejtim të shortimit të të gjitha çështjeve të dhunës në familje.

Rekomandim 4. Analizimi i situatës në mbledhje të KLD-së, me qëllim reflektimin e të gjitha shkeljeve të konstatuara, duke i kategorizuar në shkelje me pasojë përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve, në shkelje për paralajmërim të gjyqtarëve dhe në shkelje të regjistrueshme për vlerësimin e tyre profesional dhe etik. Për qëllime të këtij rekomandimi, KLD duhet të përcaktojë standardet e kategorizimit të shkeljeve, duke marrë në konsideratë rëndësinë e tyre, numrin e shkeljeve dhe pasojat eventuale.

Rekomandim 5. Rritjen e monitorimit të praktikës gjyqësore mbi këto çështje, duke vëzhguar tendencat sasiore, cilësore dhe kohore të gjykatave. Po ashtu, rekomandohet që gjetjet e këtij Raporti t’i njoftohen Shkollës së Magjistraturës, me qëllim që të bëhen pjesë e trajnimit fillestar dhe vazhdues të gjyqtarëve.

Rekomandim 6. T’i kërkohet Ministrisë së Brendshme të rrisë cilësinë e veprimtarisë së policisë së shtetit lidhur me çështjet e identifikuara në këtë inspektim tematik.

Rekomandim 7. T’i njoftohet Prokurorisë së Përgjithshme rezultati i këtij inspektimi, duke saktësuar nevojën për rritjen e rolit të prokurorit në procesin e masave të sigurimit për të harmonizuar dhe konsoliduar praktikën gjyqësore. Ky rekomandim nxirret bazuar në parimin e qasjes proaktive në zhvillimin e inspektimeve.

Rekomandim 8. Gjetjet e këtij inspektimi të mbahen në konsideratë në procesin e hartimit të ndryshimeve ligjore eventuale të legjislacionit sektorial mbi dhunën në familje dhe në Kodin e Procedurës Penale, me qëllim uljen e hapësirave për abuzim nga organi procedues.

 

3 komente në “Inspektoriati i KLD, kontroll në 28 gjykata/ Shkelje në hedhjen e shortit dhe tejzgjatje seancash. Raporti i plotë”

  1. burgu i rrogozhines says:

    Mire beni qe kontrolloni gjykatat ..po i hapninsyte mire …..shikoni pak apelin eVlores …..pa pike turpi ,ne mes gjithe kesaj reforme …e le te lire ate oficerin hajdut ……Gjerat jane shume te thjeshta …Sa dem i ka ber shtetit ???? ta paguajne ata qe i dhane pfajesin …Pa nje pa dy ….kete mase te merni ju per gjykatesit dhe do shikoni …..do tju dhemb apo jo …..se ata leket qe marin nga hallexhinjte nuk do ti ven ne funksionim te shtetit ….se sjan budallenj …po jane ordiner …dhe ordienri gjen gjithmone argument per tu justifikuar ………………Ju te Kld ….me te pergjegjeshem ……

  2. plaku tjeter says:

    Nje tollumbace burokratike ,kontrolli nuk behet per rekomandime ,ato jane te fundit ,kontrolli behet per marrje masash programime dhe vendosje detyrash me afate,nuk e kuptoj thelbin ne kete lloj kontrolli Masat duhet te jepeshin nje e per nje dhe aty ku ka shkelje qofte ligji qofte administrative ,pergjegjesite .Grupet e kontrollit me kete qe kane bere as rrogen nuk duhet te marrin e jo me djete .

    1. Ela says:

      Jam shum dakord me ju ky eshte Albanistani. Mos te presim shume as nga drejtesia as nga gjykatat as nga prokuroria . Burri i nje shoqes time qe jetojne ne France ka qen mashtruar nga persona qe punojne pran Sali Berishes. Gjste kohes se tij se bente don denoncimin e beri ne shtator, dhe e di ci tha prokurorja e prokurorise se Tiranes? “Pse u mashtrove” sa qesharake dhe nje e paafte fodulle. Dhe ai ishte pergjigjur po te mos genjehesha une sfo kushim nevoje per prokurore se bota do ishte perfekte dhe ti sdo punoje. Megjithese po behet nje vit kjo prokurore ska bere asgje me pretendimin se nje pjese e grupit nuk jetoj ne Shqiperi dhe kan len Shqiperine me pasaporta fallso, kurse personi kyc i mashtrimit kapardiset ne Tirane si bos jo si mashtrues. Shpresoj qe burri i shoqes time te mos beje ndonje te pabere kesaj vere. Sepse e sheh sa te korruptuar jan prokurorite tone. Nese ndonje soecialis prokuror ose avokat lexon kete mesazh ju kutem na jepni ndonje keshille qe puna te mos shkoje me keq.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje