Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet propozimin e aleates së saj në qeveri, Partisë Socialiste, për të shtrirë në kohë objektin e komisionit hetimor paralmentar për emërimet në administratën publike. Një ditë më parë në sallën e Kuvendit, PS propozoi që hetimi të nisë nga viti 2009 dhe jo vetëm në muajt e fundit sikundër përcakton Partia Demokratike në draftin e depozituar. Duket se propozimi i socialistëve është përforëcuar edhe nga LSI përmes Kryetarit të Grupit Parlamentar Petrit Vasili. Sipas tij, ngritja e një komisioni nuk duhet të shërbejë për të mbushur karikatorët politikë me argumenta dhe as për të furnizuar me lëndë të parë konferencat për shtyp të partive. Në këtë kontekst ai e gjykoi të drejtë vendimin e kreut të Kuvendit, për shtyrjen e votimit për të enjten e ardhshme
“Ne duhet të ecim me komisionet hetimore problemore dhe jo ato që shërbejnë vetëm për të mbushur karikatorët politikë me argumenta. Nuk e imagjinojmë komisionin hetimor si një komision faktmbledhës që jep lëndë të parë për konferencat e shtypit të radhës të një partie, apo partie tjetër. Na kërkohet të mbajmë një qëndrim për fenomenin. Fenomen që reflektime të ndryshimeve politike mbi administratën publike është fakt publik që ekziston. Atëherë parlamenti duhet t’i qaset këtij fenomeni jo vetëm duke konstatuar, por dhe duke marrë veprime konkrete. Pra nuk mund të të themi se ky emërim është bërë gabim, apo ky emërim është bërë mirë. S’kemi thënë akoma asgjë këtu. Po të nisemi nga ky fakt çdo nëpunës civil ka mekanizmat e ankimimit të tij. Ndaj dhe qëndrimi i kryetarit të parlamentit për të marrë më shumë kohë për të eksploruar për një zgjidhje mendjehapur përkundrejt zgjidhjeve sepliste është qëndrim që shkon drejt një zgjidhje më konsensuale. Dy palët mendojnë njëlloj se duhet hedhur dritë mbi problematikën e influencave të ndryshimeve të mazhorancave në shërbimin civil, ndajmë të njëjtin objekt. Mendimi ynë është ky, një hetim i shtrirë në kohë , disa vite jep mundësi për një konkluzion më të bazuar dhe të shëndetshëm. Një konkluzion me paragjykime që i referohet një kohe të shkurtër do na krijonte një raport me paragjykime, të cekët dhe një raport me përmbajtje të kufizuar.Qëndrimi i LSI ka qenë të bëjmë komision hetimor me përmbajtje dhe jo një komision që i shëmbëllen një drejtorie kuadri që thjesht shfleton ca dokumenta dhe shikon janë apo s’janë në përputhje”, theksoi Vasili.
Lidhur me prishmëritë për vendimarrjen e vendeve anëtare të BE në qershor për statusin kandidat, Vasili tha se këtë herë Shqipëria ulet në tavolinë më optimiste se kurrë, duke iu referuar këtu rekomandimit të KE, një PO e forte pa kushtëzime.
“Ka qenë një raport pa kushtëzime dhe të një mbështetje të qartë për kursin e reformave. Ky ka qenë raporti më i drejtëpërdrejtë dhe pa ekuivok që shkon në tavolinën e vendimarrjes përfundimtare. Krahsa rritjes së peshës së euroskepikëve, ajo që mund të konsiderojmë duke qenë të kujdeshëm për termat politikë që përdorim, pjesa e proeuropeiste është dominuese në Parlamentin Europian. Konceptuar në këtë mënyrë arsyet për të qenë optimist janë sot më të mëdha se kurdoherë tjetër. Por dhe vëtpërmbajtja për të pritur me durim vendimin është në pjesën e kulturës politike. Gjithsesi ulemi kësaj herë në tavolinë me premisa më optimiste se anjëherë më parë”, theksoi Vasili.
Duke folur për paketën lehtësuese për biznesin fason, kreu i deputetëve të LSI-së u shpreh se nuk ka vonesa të paraqitjes së saj në parlament. Sipas tij, një pjesë e mirë e masave lidhen direkt me Qeverinë dhe agjencitë ekzekutuese dhe nuk kanë lidhje me Kuvendin.
“Masat që merren për paketën fasone nuk janë masa që lidhen me ndryshime ligjore, një pjesë e mirë e tyre kanë të bëjnë me veprime të drejtpërdrejta të karakterit administrativ, menaxherial dhe lehtësimit të procedurave që nuk e kanë të nevojshme paraqitjen në parlament. Që në ideimin e saj ka qenë krijimi i një seri masash që për ato momente kur do ketë nevojë për ndryshime ligjore do ti drejtohemi parlamentit, për të tjerat qeveria dhe agjencitë ekzekutive do të operojnë me aktet rregullatore që janë në kompetencë të tyre. Ka disa masa që janë akoma në momentin e formësimit të tyre, por pjesa dërmuese nuk kanë pasur dhe nuk kanë lidhje me parlamentin”, u shpreh Vasili.